EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri Mirel Josa: Tirana “e fryrë”, gabuan me Hoxhallarin. Ja çfarë duhet të bëjnë me Memën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2019 | 22:03

EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri Mirel Josa: Tirana “e fryrë”, gabuan me Hoxhallarin. Ja çfarë duhet të bëjnë me Memën

Tirana është në një situatë të turbullt. Një pikë e marrë në 3 javët e fundit ka bërë që në klub të mendojnë seriozisht largimin e Ardian Memës.

Josa

E megjithatë, zyrtarisht ai vazhdon të jetë ende trajner i bardhebluve. Një gjendje deri diku e ngjashme me atë që ka përjetuar edhe Mirel Josa në kohën kur drejtonte kryeqytetasit. Ndaj, askush më mirë se ai nuk mund të analizojë gjithçka po ndodh. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 56-vjeçari i bën thirrje klubit që ta ndajë mendjen dhe të marrë një vendim.

E quan të tepërt dënimin e Erjon Hoxhallarit pa dijeninë e trajnerit, në një kohë kur edhe të tjerë gabuan në derbi. As ecurinë pas 7 javësh nuk e quan të rëndë, madje me bindje e thotë që ekipi ka “brumë” për të rivalizuar Partizanin e Kukësin. E megjithatë, ka rezerva vetëm për merkaton, të cilën e quan disi “të fryrë”.

josa

Tirana ka marrë vetëm një pikë në 3 ndeshjet e fundit dhe mbi të gjitha ka humbur me pretendente si Kukësi e Partizani. Një situatë që ka lëkundur edhe Memën. Si e sheh Josa gjithçka po ndodh?

Dua të flas sa më pak për këtë situatë. E kam ndjekur Tiranën në TV, ashtu si edhe ekipet e tjera, për aq sa më ka lejuar koha. Humbjet me dy rivalë për titull dhe lënia e pikëve ndaj Flamurtarit të vendit të fundit janë problem. E megjithatë, nuk do të ishte mirë që ne që e shohim situatën nga jashtë t’i hedhim “benzinë zjarrit”.

Është komode të flasësh kështu. Unë mund ta njoh Tiranën, por në tri periudha që e kam drejtuar edhe situatat nuk i kanë ngjarë tjetrës. Dihet që Tirana e nisi me pretendime të mëdha sezonin, ndaj lënia e pikëve nuk është pozitive. Por gjithçka duhet të marrë zgjidhje brenda klubit. Më vjen keq për Tiranën, ashtu si edhe për Memën. Në fund të fundit unë jam trajner vetë, por duhet të vendosin në “peshore” atë që ka ndodhur dhe të bëjnë një analizë të thellë.

E keni përjetuar edhe ju diçka në ngjashme në vitin kur Tirana ra nga kategoria…

Nuk ka vend për paralele dhe pikërisht për periudhat. Vërtet është i njëjti klub, por unë e drejtova ekipin deri në fund kur pësuam edhe atë disfatën e rëndë të rënies nga kategoria. Ndërsa, aktualisht janë luajtur vetëm 7 javë… Megjithatë, në kohën time edhe unë kisha ato dilemat e mia. Në fund vendosa që të qëndroja dhe të mos e lija në baltë ekipin. Çështja qëndron që kurrë nuk u bë një analizë se përse shkuan gjërat deri në atë pikë.

Mirel Josa

Janë mjaftueshëm 7 javë për të vendosur që një trajner nuk po bën mirë?

Trajnerët me “valixhe në duar janë”, kjo dihet. Por nuk mendoj se është kohë e mjaftueshme për të thënë që trajner është i mirë apo i keq. Ka ndodhur që dikush që nuk ka bërë mirë në një ekip, por kur ka shkuar diku tjetër ka pësuar rritje. Puna e trajnerit është e lidhur ngushtë edhe me lojtarët. Por pa lënë jashtë këtu edhe klubin dhe drejtimin e saj, pasi duhet të ketë mirëfunksionim të të gjitha hallkave. Më ndodhi edhe mua një gjë e tillë, te Prishtina. Kur palët nuk gjejnë merren më vesh mes tyre, vjen edhe fundi.

Pse ndodh rëndom që drejtuesit shfrytëzojnë pauzën e kombëtareve për të bërë lëvizje në stol?

Ndodh prej kohës që është në dispozicion. Janë dy javë që i japin mundësi trajnerit të ri të njohë ekipin dhe të punojë.

Tirana rëndohet pas një derbi të humbur, duket se i është kthyer psikologjike?

Një ndeshje mund të humbet, qoftë derbi apo edhe ndaj Kukësit. Gjithsesi, tani nis puna për Tiranën. Duhet ta mbledhin veten dhe të tregojnë se një 90-minutësh nuk të nxjerr nga pretendimet.

Josa

Ka “brumë” Tirana që të rivalizojë Partizanin dhe Kukësit?

Absolutisht po. Kanë ekip me cilësi. Pastaj as Partizani dhe Kukësi nuk kanë qenë perfekt në nisje të këtij sezoni, kanë edhe ato ulje-ngritjet e veta, gjë që duket te pikët.

Po merkatoja e bërë si ju duket?

Kanë bërë merkato të mirë, është investuar. Por ndoshta mund ta kenë “fryrë” disi. Nuk do të thotë se more 3 lojtarë dhe zgjidhe gjithçka. Shoh që kanë marrë 3 lojtarë për një rol.

Rastin “Hoxhallari” si e gjykoni?

U dënua nga klubi dhe pa dijeninë e trajnerit… Nuk më duket normale. Kur merr masë ndaj një lojtari duhet që të vihet në dijeni edhe trajneri. Këtu përgjegjësia bie mbi drejtuesit. Pastaj me aq sa e kam parë unë ndeshjen, Hoxhallari nuk ishte i vetmi që gaboi. Po të shohësh me vëmendje ndeshjen, e kupton që faji është i shpërndarë. U tha edhe që u gabua me vendosjen e Vangjelit në qendër të mbrojtjes. Ndaj kush më pak e kush më shumë ka përgjegjësi. Nuk mund të vendoset gishti te një lojtar i vetëm. Kishte edhe të tjerë që gabuan.

Rastet janë të ndryshme, por edhe keni pasur një histori me Takun. Ju e pezulluat dhe klubi e ktheu…

Nuk ka shumë vend për krahasime, pasi dënimi që unë i dhashë Takut ishte disiplinor. Gjithsesi, nuk është mirë që t’i kthehem asaj historie.

Të kalojmë pak te Prishtina, si erdhi ndarja?

Erdhi pas gati dy vitesh. Ata nuk “duruan” dhe as unë nuk “durova”. Ndaj, erdhi fundi i marrëdhënieve. Megjithatë, që ta mbyllim zyrtarisht, duhet të flasim edhe këto ditë. Pasi unë kam edhe një vit kontratë, ndaj duhet të diskutojmë për pjesën e detyrimeve.

Nëse nuk zgjidhet, do t’i drejtoheni FIFA-s…?

Jo, nuk besoj. E thashë që do flasim këto ditë që të rakordohemi. Por nëse nuk shkohet drejt asaj që unë pres, do ta mendoj edhe atë.

 

Që të sqarohemi, jam larguar prej gati 1 muaj e një javë më parë nga Prishtina. Dallku në atë kohë ishte te moshat, ndërsa ekipi për tri ndeshje drejtohej nga një trajner realisht i madh në Kosovë. Unë nuk e di se çfarë ka thënë Armendi, por mund të të them që një trajner kur merr një ekip, nuk ka pse të kapet me atë që ka bërë paraardhësi i tij. Kur angazhohesh në një detyrë, mban përgjegjësi për punën tënde.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"