EKSKLUZIVE/ Ish-sulmuesi vlonjat i Tiranës: Titulli i vitit 2000 ishte i merituar, por Flamurtari u vodh në 1997-ën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2020 | 0:34

EKSKLUZIVE/ Ish-sulmuesi vlonjat i Tiranës: Titulli i vitit 2000 ishte i merituar, por Flamurtari u vodh në 1997-ën

E mbani mend Anesti Viton? E filloi karrierën në vitin 1991 si kampion te Flamurtari kur ishte vetëm 19 vjeç dhe më pas mori një tjetër titull në sezonin 1999-2000, këtë herë si pjesë e Tiranës.

Tirana-Tomori

Ish-sulmuesi vlonjat shënoi për bardheblutë 11 gola, duke dhënë një kontribut të madh për skuadrën e drejtuar nga Shkëlqim Muça në atë periudhë. Finalja me Tomorin për titullin ka prodhuar shumë polemika, madje edhe 20 vite më pas, kur në “Panorama Sport” kanë folur protagonistët e kohës.

Gazeta kontaktoi me ish-sulmuesin Vito, i cili ka qenë pjesë e kuqezinjve edhe në sezonin tjetër të kontestuar, 1996-1997. “Tirana e meritoi titullin ndaj Tomorit në vitit 2000, ndërsa në 1997-ën Flamurtari u vodh hapur”, thotë ndër të tjera Vito, sot 48 vjeç, në një bisedë ekskluzive për “Panoramasport.al”. Situatën aktuale në futbollin vlonjat ish-sulmuesi e cilëson si një fjalëkryq, ndërsa ironizon edhe me legjendën Vasil Ruci.

tirana vito

Anesti Vito me trofeun e vitit 2000 të fituar nga Tirana në stadiumin e Elbasanit

Anesti, si po i kalon këto ditë karantine?

Si të gjithë po veproj edhe unë. Patjetër që po zbatoj çdo rregull, qoftë si vlonjat dhe shqiptar. Qëndroj në shtëpi dhe dalim në oraret e caktuara për aktivitetin e përditshëm për të përmbushur detyrat imediate te familjes.

Sa ndikon te futbollistët ky pushim kaq i gjatë?

Patjetër që ndikon shunë. Te ne shqiptarët veçanërisht ndikon negativisht. Kjo për arsye që dihen. Por ndikim ka edhe në anën sportive. Gjithsesi, ata janë futbollistë profesionistë dhe stërviten individualisht edhe në bazë të programeve aq u japin stafet teknike.

Si mendon se duhet të vijojë kampionati pas ndërprerjes, aty ku u la apo duhet gjetur një zgjidhje tjetër?

FSHF duhet të publikojë dokumentin që ka aprovuar UEFA. Ai është mjaft i qartë.

Eshtë hapur së fundmi një debat në “Panorama Sport” nga protagonistët e kohës për titullin e vitit 2000, të cilin e fitoi Tirana ku dhe ju bënit pjesë atë sezon. Beratasit ndihen të vjedhur, si është e vërteta sipas jush?

FSHF ka një program që miraton UEFA. Rregullorja e kampionatit të sezonit 1999-2000 është  miratuar nga ky institucion pa filluar kampionati. FSHF nuk e dinte që në shtator të vitit 1999 se Tirana do dilte me Tomorin në finale.

Vito Flamurtari

Vito gjatë një ndeshjeje me Flamurtarin ndaj Lushnjës në vitin 1999. Pas pjesës së parë të atij sezoni u transferua te Tirana

Për golavarazh Tirana ishte në vend të parë, ndërsa në javën e fundit nëse Teuta fitoten në Peqin, atëherë i binte të bëhej një triangolare për titullin, sepse ishim tri ekipe me pikë të barabarta në krye. Por, tabela flet qartë që Tirana është e para, më pas Tomori dhe Teuta. Troç, Tirana e meritoi titullin në fushë. Është diçka që është e kot të diskutohet.

Polemika ka edhe për vitin 1997, ku Flamurtari pretendon se i është mohuar ai kampionat. Çfarë kujton nga ai sezon, ku ju keni qenë pjesë e skuadrës vlonjate?

Jam plotësisht dakord që ndaj Flamurtarit në vitin 1997 ishte e hapur një vjedhje e kampionatit. Dakord duhej mbyllur kampionati, por me pikët që kanë pasur ekipet në atë periudhë, nuk mund t’i bësh “play-off” ashtu si ndodhi.

Flamurtari Vito

Anesti Vito (i ulur poshtë duke përqafuar një fëmijë) në vitin 1996 me Flamurtarin, që kishte në përbërje emra si Kushta, Bushi, Muka, Fakaj, Prenga etj..

Flamurtari ishte disa pikë larg dhe duhej te shpallej kampion atë vit. E meritonte, pasi bëri një kampionat shumë të mirë dhe derisa u shpërbë për shkak te situatës kaotike nga trazirat e vitit 1997, kishte lojtarë mjaft cilësorë. Mbaj mend që atëherë u bë edhe një mbledhje në FSHF. Përfituan nga situata dhe ngjarjet në atë vit dhe Flamurtarit i vodhën kampionatin.

Flamurtari aktualisht është drejt rënies nga Superiorja. Pse mendon se është në këtë situatë dhe çfarë strategjie të ndiqet në të ardhmen?

Ky është një fjalëkryq që nuk mundem t’i japë një përgjigje. Për këtë  mund të flas këshilltari i administratorit Idrizi, i madhi Vasil Ruci, sepse ai e di më mirë…

ERMAL SIKA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"