EKSKLUZIVE/ Ish-sekretari Prodani: FSHF luks për fasada, klubet në varfëri (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2019 | 20:58

EKSKLUZIVE/ Ish-sekretari Prodani: FSHF luks për fasada, klubet në varfëri (E PLOTË)

Çdo ditë e më shumë trumbetohet avan cimi i futbollit, i rritjes së shpenzimeve nga klubet apo edhe i nivelit të garave në vend, por një gjë e pandryshuar prej vitesh është shpërblimi i federatës për fituesit. Ndonëse UEFA, vit pas viti, rrit fondet për anëtarët e saj apo edhe për ekipet pjesëmarrëse në kompeticionet e saj, në vendin tonë, fituesi i Kategorisë Superiore nuk merr më shumë sesa 100 milionë lekë (të vjetër) shpërblim nga FSHF.

Prodani-Eduard

Ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ish-sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, analizon mangësinë e klubeve dhe presidentëve të tyre për këtë aspekt, po aq sa edhe problemet që ka institucioni i futbollit referuar të ardhurave që gjeneron. Në fjalën e tij, Prodani liston luksin e institucionit që do të jetë verbues në krahasim me varfërinë e atyre që duhet të jenë vërtet “pronarë” të institucionit të futbollit.

UEFA shton çdo vit të ardhurat për klubet apo federatat, por shpërblimet e FSHF-së janë njësoj si në vitin 2002. Pse ndodh kjo sipas jush?

Në fakt, fondet që FSHF merr nga UEFA dhe FIFA jepen në kuadër të programeve të mirëstrukturuara për zhvillimin e sektorëve dhe aspekteve të caktuara të futbollit në Shqipëri. Pra, pavarësisht nga fakti që FSHF i përdor ato dukshëm jashtë qëllimeve, për të cilat ato adresohen dhe sigurisht pa transparencën e nevojshme, kjo nuk mund të justifikojë në asnjë rast shpërndarjen e tyre si stimuj për fituesit e kompeticioneve.

Në të vërtetë, shpërblimet për fituesit e kompeticioneve si rregull duhet të vijnë nga të ardhurat që FSHF siguron nga komercializimi i këtyre institucioneve. Shuma e shpërblimeve që përfitojnë fituesit sot kujtoj që është rritur për së fundmi në periudhën 2010-2011 dhe që atëherë nuk do të ketë ndryshuar.

Si shpjegohet kjo gjë?

Një gjë e tillë shpjegohet lehtë me faktin se që atëherë s’ka ndryshuar asgjë në aspektin e komercializimit të veprimtarive pasi siç e kam theksuar edhe herë të tjera, FSHF është tashmë një institucion pa ide për shkak të centralizimit ekstrem dhe izolimit të drejtuesve nga shpura rrethuese.

Disa prej presidentëve të Superiores, mes tyre Ardian Takaj, kanë kritikuar disa herë këtë çështje, por FSHF nuk reagon. Si lexohet kjo sjellje e institucionit?

Edhe kjo shpjegohet shumë thjesht. Presidentët e Superiores dhe të klubeve të tjerë anëtarë të federatës nuk e kanë kuptuar dot asnjëherë si duhet se ajo që ata quajnë “federatë” nuk është gjë tjetër veçse një administratë e zgjedhur dhe e paguar nga ata për t’u shërbyer atyre dhe zhvillimit të futbollit në Shqipëri.

Ndërsa kur zhvillohet Asambleja e Përgjithshme e FSHF-së, këta presidentë rendin kush e kush të demonstrojë besnikërinë ndaj establishmentit dhe votojnë pa pyetje raportin financiar dhe buxhetin. Kritikat në media janë thjesht shprehje e ndonjë pakënaqësie momenti, në mos qofshin teknika për të tërhequr vëmendje mediatike mbi vete. Ndërkohë, sjellja e institucionit është ilustrim i shkëlqyer i vërtetësisë së thënies “çdo popull meriton qeverinë që ka”.

Presidenti Duka në UEFA ka qenë një prej hartuesve dhe iniciatorëve në komisionin që u hartua Liga e Kombeve (një kompeticion i ri dhe më shpërblime për kombëtaret), mirëpo në vendin tonë shpërblimet për fituesit janë mizerabël. Pse kjo sjellje e tij kaq e ndryshme?

Kjo është një pyetje që me huton disi, sidomos në pjesën e parë të saj. Megjithatë, për të qëndruar në temën e shpërblimeve, mund të shprehesha që në kushtet e shterpësisë dhe impotencës së institucionit për të siguruar të ardhura më të mëdha nga komercializimi i kompeticioneve, FSHF mund dhe duhet të përdorte një pjesë të të ardhurave që vijnë nga kompeticionet e ekipeve kombëtare.

Në fund të fundit, kampionatet kombëtare lidhen dhe u shërbejnë ekipeve kombëtare. Natyrisht që për këtë duhet të reduktonte ndonjë kat apo thjeshtonte ndonjë fasadë në godinën e zyrave të reja të administratës, luksi i të cilave do të jetë verbues krahasuar me varfërinë e “pronarëve” të FSHF-së dhe të vetë atyre fondeve që janë për klubet e futbollit.

Zgjedhja e Dukës ne Komitetin Ekzekutiv të UEFAs, çfarë mund të përfitojë sipas jush më tepër futbolli shqiptar?

Zgjedhja e zotit Duka në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s është një temë, për të cilën nuk dua të shprehem e të mos jap rast të keqinterpretohem si subjektiv. Mund të analizoj vetëm se në rast se do të pohonim që anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s sigurojnë privilegje për federatat e tyre, atëherë kemi pohuar edhe që UEFA është një institucion i korruptuar.

Ndaj, le të themi së zgjedhja e zotit Duka është vetëm një promovim personal i tij. Më shumë për këtë temë mbase do të kemi rast në ndonjë moment tjetër.

 OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"