EKSKLUZIVE/ Ish-presidenti Çobani i bën apel bashkisë që ta shesë klubin: Pa privatizim s’ka “dritë jeshile” te Lushnja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2022 | 22:05

EKSKLUZIVE/ Ish-presidenti Çobani i bën apel bashkisë që ta shesë klubin: Pa privatizim s’ka “dritë jeshile” te Lushnja

Lushnja po përgatitet për të pestin sezon radhazi në Kategorinë e Parë. Futbolli lushnjar i ka humbur raportet me Superioren nga viti 2018 dhe me një skuadër në varësi të plotë të bashkisë, rikthimi në elitë mbetet i vështirë. Në një prononcim për “Panorama Sport” ish-futbollisti dhe ishpresidenti i Lushnjës, Artur Çobani, deklaroi se Bashkia e Lushnjës duhet të kishte filluar procedurat për privatizimin.

artur cobani

“Lushnja duhet të shkojë patjetër drejt privatizimit. Arsyet janë në radhë të parë sportive, sepse bashkia nuk mund të ndërtojë një ekip pretendues. Në veçanti, Bashkia Lushnjë ka bërë maksimumin për futbollin. Nuk mund të shkohet më tutje, se kaq janë limitet e fuqisë paguese të bashkisë dhe për mua duhet falënderuar. Por, nga ana tjetër duhet me patjetër të kishte filluar procedurat e privatizimit”, deklaroi Çobani.

“LUKSI” PËR INVESTITORËT- Ish-presidenti tregon edhe arsyet pse Lushnjës duhet t’i afrohen investitorët: “Për mendimin tim, Lushnja e ka ‘luksin’ që t’i afrohen investitorët. Janë shumë arsye. E para, ka traditën në futboll. Në Lushnjë futbolli është shumë popullor dhe i mbështetur nga qytetarët lushnjarë. Ka shumë talente në qytet që duan të luajnë futboll. Ka edhe një tifozëri shumë të zjarrtë. Gjëja kryesore që kërkojnë edhe investitorët sot, në radhë të parë nga ana sportive, kjo është. E dyta, ka nisur puna për infrastrukturën dhe unë kam shpresën se do të vazhdojë. Nuk është e lehtë të gjesh një infrastrukturë të tillë siç e ka Lushnja. Pengesë kryesore në mosbërjen e fushave në shumë qytete, kanë qenë vendet se ku do të ndërtoheshin terrenet e reja, pasi në shumë qytete ka ndodhur ‘zaptimi’. Ndërsa Lushnja e ka luksin e dy anekseve, plus fushën sportive të Plugut. Edhe aneksin nga spitali që kërkonte një vlerë monetare nga shpronësimi. Megjithatë, të kesh dy fusha rreth e qark stadiumit, plus fushën sportive të Plugut, është luks për një skuadër futbolli. E treta, Lushnja ka stadiumin. Kërkon vetëm shtrimin e tapetit. Të tjerat janë gjëra që rregullohen. Në këto kushte çdo investitor do t’i bashkohet Lushnjës”.

LUSHNJA DUHET PRIVATIZUAR- Çobani nënvizoi se u bashkohet zërave kritikë që duhet të shkohet drejt privatizimit, nismë që i takon bashkisë së qytetit verdhejeshil.

“Me të drejtë shtrohet pyetja: Lushnja, pse nuk u privatizua? Unë nuk i jap dot përgjigje sot, por do të vazhdoj të ngre zërin që Lushnja duhet të privatizohet. Kjo është mënyra që Lushnja të rikthehet aty ku duhet të jetë. Pa privatizim, Lushnja nuk mund të shkojë dot aty ku e duam të gjithë ne, nga i pari, të gjithë tifozët, specialistët, drejtuesit e sportit. Ne nuk duam që Lushnja të mbijetojë në Kategorinë e Parë, të jetë konkurrente për t’u ngjitur në elitë. Kjo gjë arrihet vetëm nëpërmjet privatizimit. Ligji për sportin parashikon që bashkitë nuk duhet të investojnë më. Atë buxhet që Bashkia e Lushnjës ka parashikuar për sportin, fare mirë mund të shkojë për investimin në infrastrukturën e sportit. Kështu që, edhe unë bashkohem me zërat kritikë që Lushnja duhet të shkojë drejt privatizimit. Jam shumë falënderues ndaj bashkisë si ish-sportist, ish-drejtues, sportdashës i Lushnjës dua ta quaj veten sot. Kërkoj me ngulm që klubin ta shikoj sa më mirë. Falënderoj bashkinë për çfarë ka bërë, por ajo duhet ta marrë nismën drejt privatizimit”.

SKUADRA AKTUALE- Në fund, ish-presidenti dha mendimin tij për skuadrën aktuale dhe planin për të ardhmen.

“E kam ndjekur situatën e fundit në ekip. Të them të drejtën, afrimi i trajnerit është diçka që ashtu e kanë menduar drejtuesit. Në radhë të parë, një trajner duhet afruar kur ti aty afron futbollistë. Nëse është menduar që Lushnja të drejtojë sytë nga akademia, atëherë më duhet të them se do të jetë një projekt afatgjatë. Nuk do të jetë një projekt për të ngjitur Lushnjën në Superiore. Nëse klubi do të afrojë futbollistë cilësorë për t’u ngjitur në Superiore, kjo gjë kërkon buxhet dhe duhet të kishte nisur me kohë. Po shkojmë në mesin e gushtit dhe kampionati fillon më 3 shtator. Nuk besoj se ka shumë kohë për të afruar lojtarë cilësorë, që ta bëjnë skuadrën konkurrente. Megjithatë, shpresa vdes e fundit. Gjithmonë me shpresën e madhe, por ‘drita’ mua nuk më duket aq ‘jeshile’, përderisa nuk shikoj akoma një investitor. Gjatë gjithë fazës së dytë të sezonit të kaluar, shumë njerëz u interesuan për t’u afruar te Lushnja. Por, nuk e di se çfarë ka ndodhur kohët e fundit”, deklaroi ish-presidenti i Lushnjës, Artur Çobani.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"