EKSKLUZIVE/ Ish-portieri kthehet si trajner në Shijak pas 19 vitesh, Kapllani: Pse i thashë “PO” Erzenit dhe si i dua lojtarët (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2022 | 16:55

EKSKLUZIVE/ Ish-portieri kthehet si trajner në Shijak pas 19 vitesh, Kapllani: Pse i thashë “PO” Erzenit dhe si i dua lojtarët (E PLOTË)

Xhevahir Kapllani ka marrë përsipër një mision të vështirë, por me bindjen se mund të bëjë mirë në krye të Erzenit, aty ku dhe ka mbrojtur portën dy dekada më parë. 48-vjeçari pranoi ofertën e drejtuesve shijakas për të udhëhequr ekipin në Superiore, në një prej momenteve më delikate pas problematikës që pati në klub. Gjithsesi, në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, ish-portieri kampion me Teutën tregon pse bëri këtë zgjedhje dhe planet që ka me shijakasit.

XHEVAHIR KAPLLANI

Dy dekada më parë keni qenë portier i Erzenit, ndërsa tashmë riktheheni në Shijak si trajner. Çfarë ju bindi të merrnit përsipër drejtimin e një klubi që pas ngjitjes në Superiore ka pasur probleme në organizim?

E vërteta është që pasi fola me drejtuesit e klubit, u binda për idetë që ata kishin për të ardhmen e ekipit. Këtë ofertë e kam pritur me dëshirë të madhe dhe me shumë entuziazëm për të punuar. Natyrisht jemi pak me vonesë, por në këtë moment nuk mund të qajmë kohën e humbur. Do të punojmë 24 orë për të rifituar atë që mund të kemi humbur. Do të mundohemi të ndërtojmë një skuadër dinjitoze për Superioren. Pra, një Erzen që të mos jetë thjesht kalimtar në elitën e futbollit.

Fakti që Erzeni ka nisur më vonë se çdo skuadër tjetër përgatitjet dhe ju si trajner jeni në luftë me kohën për ndërtimin e grupit, si do ta zgjidhni këtë situatë?

Në këtë moment po mendojmë së pari të krijojmë boshtin e skuadrës dhe klubi ka rënë dakord me disa elementë cilësorë të kampionatit shqiptar. Shpresojmë të gërshetojmë mirë lojtarët me eksperiencë dhe ata të rinj që mund të shpërthejnë në Superiore këtë sezon. Plani im është të ndërtojmë një ekip solid dhe që të jetë me këmbë në tokë.

Nga grupi i lojtarëve që rikthyen Erzenin në Superiore pas 19 vitesh, sa prej tyre do të qëndrojnë?

Për grupin e futbollistëve do të japim diçka konkrete në ditët në vijim. Sigurisht, mund të konfirmoj se disa lojtarë që kontribuuan për ngjitjen e Erzenit, do të vazhdojnë të jenë pjesë e ekipit edhe në Superiore.

Janë përfolur disa emra së fundmi, cilin mund të konfirmoni si afrim tek Erzeni?

Aktualisht nuk mund të jap emra për afrimet, sepse duhet të mbyllen zyrtarisht marrëveshjet. Pasi të firmosen kontratat, atëherë do të flasim me siguri. Jemi një situatë ku duhet të ruajmë edhe imazhin e lojtarëve. Jetojmë në Shqipëri dhe ajo që ndodh sot, mund të kthehet ndryshe nesër.

Sa përforcime ju duhen në total për të qenë gati?

Nuk diskutohet që kemi nevojë për shumë afrime. Nëse flasim me përqindje në këtë moment, na duhet të përforcojmë grupin në masën 60% nga sa jemi aktualisht.

Cili është plani për fazën përgatitore?

Fillimisht kishim si plan për të shkuar në Korçë ose Pogradec për fazën përgatitore, por ende nuk kemi vendosur. Duke qenë se jemi në ndërtim e sipër të ekipit, mund të qëndrojmë gjithë kohës edhe në Shijak, pasi kushtet janë të mira dhe stadiumi ku po stërvitemi e ka fushën me bar natyral.

OK, por stadiumi “Tofik Jashari” nuk është i licencuar dhe ndeshjet do t’i luani në Durrës…

Dëshira e madhe ishte që të luanim në Shijak, pasi Erzeni ka një tifozëri shumë të zjarrtë. Pra, duke ditur që komuniteti shijakas është shumë futbolldashës, gjëja më e mirë ishte të luanim në fushën tonë. Megjithatë, edhe stadiumi i Durrësit na përshtatet shumë, pasi jo vetëm që është afër, por edhe kushtet i ka të mira. Në pamundësi për të luajtur në Shijak, mendoj se kjo është një zgjedhje ideale.

Nga 10 klube, katër prej tyre do të drejtohen nga trajnerë durrsakë këtë sezon, pasi përveç jush tek Erzeni, është edhe Shehi te Tirana, Arapi te Teuta dhe Tetova tek Egnatia…

Është kënaqësi e madhe, aq më tepër kur shikon se nga 10 ekipe të elitës, 4 prej tyre drejtohen nga durrsakë. Janë miqtë dhe shokët e mi, me të cilët kam luajtur, edhe pse jam më i madh se ata në moshë. Kam luajtur me ta në periudha të ndryshme dhe përfitoj nga rasti t’u uroj sukses të treve për sezonin e ri.

Dje u zbardh edhe kalendari për kampionatin. E nisni ndaj Vllaznisë…

Nuk kisha asnjë preferencë për fillimin. Për mua të gjitha skuadrat janë shumë të forta.

Çfarë ju bën të besoni më tepër që Erzeni do të mbijetojë në elitë, edhe pse po organizohet me shumë vonesë?

Së pari, duhet të ndërtojmë një grup sa më harmonik dhe me lojtarë që të kenë dëshirë për t’u stërvitur. Nëse angazhimi i tyre do të jetë maksimal, unë jam më i qetë, sepse garancia financiare nga bashkia Shijak dhe donatorët, nuk do të mungojnë. Jo gjithçka lidhet me financat, edhe pse ato janë shumë të rëndësishme. Ajo që mua më ngroh deri në këto momente është serioziteti që kanë drejtuesit për të bërë diçka të mirë.

Djalin tuaj, Dejvid, e keni në plane për ta marrë tek Erzeni?

(qesh) Djali është te Teuta. Ishalla shkon mirë aty.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"