EKSKLUZIVE/ Ish-portieri Dani: Te Vllaznia s’ka disiplinë, luajnë për qejfin e tyre

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2021 | 22:36

EKSKLUZIVE/ Ish-portieri Dani: Te Vllaznia s’ka disiplinë, luajnë për qejfin e tyre

Avenir Dani, një emër i madh i portës shkodrane, flet pa doreza lidhur me situatën që po kalon Vllaznia në kampionat. Ishtrajneri i portierëve për shumë vite në skuadrën kuqeblu, mendon se aktualisht Vllaznisë i mungon disiplina.

avenir dani

Ai e cilëson lojën që po bën ekipi si të turpshme dhe me futbollistë që luajnë sipas qejfit të tyre. Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, Dani tregon se ku duhet të korrigjohet Vllaznia, në mënyrë që ajo të jetë rivale për titull deri në fund. Ish-zv.trajneri i shkodranëve shikon Kukësin dhe Tiranën si ekipet më të përgatitura për të marrë trofeun më të rëndësishëm këtë sezon.

Zoti Dani, si e shikoni situatën te Vllaznia pas dy humbjeve radhazi në kampionat?

Të them të drejtën unë shikoj një Vllazni të padisiplinuar. E shikoj me probleme të brendshme. Këtu e kam fjalën ndërmjet lojtarëve dhe stafit.

Çfarë mendoni se nuk shkon në skuadër?

Vllaznia çalon te mënyra e lojës që bën. Ajo po bën një lojë të turpshme, pa lidhje repartesh. Të gjithë lojtarët luajnë pa detyra dhe për qejfin e tyre.

Sipas jush, si mund të zgjidhet ky problem në ekip?

Besoj se kryesorja është ndërhyrja e stafit, që duhet të bashkojë lojtarët në grup, që mendoj se mungon te Vllaznia. Duhet të ndryshojë mënyrën e lojës nga kjo që po bëjnë. Të ndiejnë përgjegjshmëri lojtarët në skuadër, vetëm kështu ndryshon situata.

Në krahasim me ekipin e sezonit të kaluar, ku mendoni se është ndryshimi?

Ndryshimi i Vllaznisë aktuale me atë të sezonit të fundit gjykoj se ka të bëjë me grupin më cilësor të lojtarëve. Pra, këtë sezon ka më shumë cilësi, por me sa duket futbollistëve nuk po u gjejnë vendet e tyre ideale në fushë dhe mundësitë ku ato japin më shumë.

Prisni një kthesë të shpejtë?

Nëse nuk ndërhyhet shpejt, unë mendoj se Vllaznia mund të notojë në ujëra të turbullta.

Në klub mendojnë se janë pretendentët kryesorë për titull këtë sezon, ju si mendoni?

E thashë edhe më lart, është një grup lojtarësh më i mirë se vjet dhe normalisht duhet të renditet te skuadrat pretendente për titull. Mirëpo, kjo do shumë punë për të dalë te loja që pretendojnë se duhet për të fituar titullin kampion këtë sezon.

Cilat nga skuadrat i shikoni si më të forta në garën për kreun?

Janë luajtur pak javë kampionati dhe është shumë herët për të dhënë mendim të saktë. Gjithsesi, me aq sa kam parë, më të përgatitura për titullin më duket se janë Kukësi dhe Tirana.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"