EKSKLUZIVE/ Ish-mesfushori gjeorgjian i Kukësit “zbërthen” rivalët e “Demave”: Partizani një klub i madh, ja kush është favoritë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2022 | 14:50

EKSKLUZIVE/ Ish-mesfushori gjeorgjian i Kukësit “zbërthen” rivalët e “Demave”: Partizani një klub i madh, ja kush është favoritë (E PLOTË)

Më datë 7 korrik Partizani sfidon Saburtalon në Gjeorgji në ndeshjen vajtëse të raundit të parë kualifikues. Një nga personat e paktë, që i njeh të dyja skuadrat është Irakli Dzaria. Mesfushori ka qenë pjesë e Kukësit në sezonin 2018-2019, teksa Saburtalon e njeh shumë mirë, pasi përveçse është gjeorgjian, luan me Torpedo Kutaisin në kampionatin vendës dhe është përballur disa herë me Saburtalon. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 33- vjeçari tregon më shumë mbi rivalin e “demave”. Dzaria shprehet se Saburtalo është ekip kryesisht me djem të rinj të talentuar, teksa filozofia e klubit është të rrisë talente.

irakli dzaria

Së pari, ju ka marrë malli për Shqipërinë?

Po, më ka marrë malli për Shqipërinë, kam shumë miq të mirë atje. Kur isha atje, kalova një eksperiencë të bukur.

Na tregoni pak për Saburtalon, cila është pika e tyre e fortë?

Saburtalo është një skuadër shumë e mirë. Ata kanë disa djem të rinj, që luajnë me kombëtaren U-21. Sulmuesit janë të rinj, por lojtarë me shumë cilësi.

A është avantazh për Partizanin fakti që Saburtalo nuk ka eksperiencë në kompeticionet europiane?

Saburtalo është një klub i ri në Superligën e Gjeorgjisë dhe në shumicën e rasteve nuk janë kualifikuar në kompeticionet europiane. Nga ana tjetër, Partizani është një klub i madh në Shqipëri dhe ata kanë eksperiencën e duhur për të luajtur ndeshje të tilla dhe këtë e shoh si avantazh.

Cila është favoritja për t’u kualifikuar?

Partizani është në periudhë riformatimi dhe nuk e di kualitetin e tyre. Gjithsesi, mendoj se shanset për t’u kualifikuar në raundin e dytë janë 50-50, të barabarta mes dy skuadrave. Kohët e fundit Saburtalos i janë larguar katër lojtarë. Ata kanë probleme, por do të jenë gati për ndeshjet e Ligës së Konferencës, sepse siç dihet, ato janë shumë të rëndësishme.

Saburtalo ka vetëm dy lojtarë që vijnë nga jashtë. Përse është zgjedhur kjo strategji? 

Po, është e vërtetë. Te Saburtalo janë vetëm dy lojtarë që vijnë nga jashtë Gjeorgjisë. Kjo ndodh, sepse ai klub ka një akademi shumë të mirë dhe u jep shans të rinjve të ardhur nga skuadrat “zinxhir” të tregojnë veten në ekipin e parë. Strategjia e tyre është të luajnë me lojtarë të rinj gjeorgjianë.

Do të ktheheshit në Shqipëri nëse do t’ju vinte ndonjë ofertë?

Jam “pak si” 33 vjeç tashmë (qesh), por nëse do të më vinte një ofertë e mirë, përse jo. Realisht, unë kam kujtime shumë të bukura dha kam bërë shumë miq të mirë në Tiranë. I përshëndes të gjithë nga larg. Gjithashtu, dua t’u uroj sukses skuadrave të tjera shqiptare më Europë. Shpresoj që Tirana të mbërrijë grupet. Më vjen keq për Kukësin, sepse nuk e kapi Europën, por shpresoj të jenë vitin tjetër. Do të bëj tifo për Saburtalon, sepse jam gjeorgjian, por do të uroj që ekipet e tjera, përveç Partizanit, të shkojnë sa më larg.

Ku është ndryshimi mes ligës shqiptare dhe asaj gjeorgjiane?

Ekipet shqiptare dhe gjeorgjiane janë thuajse i të njëjtit nivel. Loja bazohet shumë në aspektin teknikotaktik. Në Shqipëri është luftë për 90 minuta dhe nuk fiton asnjëherë lehtë. Këtu gjithashtu kemi shumë lojtarë të rinj me cilësi. Gjithashtu, skuadra kombëtare ka nisur të paraqitet mirë.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"