EKSKLUZIVE/ “Kështu ishte edhe Tirana në fillim”, ish-kapiteni Fatjon Tafaj: Ja pse vuan Partizani në mbrojtje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2020 | 0:19

EKSKLUZIVE/ “Kështu ishte edhe Tirana në fillim”, ish-kapiteni Fatjon Tafaj: Ja pse vuan Partizani në mbrojtje

Partizani i sezonit 2019-2020 nuk ngjan me një ekip kampion, madje ka prishur edhe krenarinë që e ka kushtëzuar skuadrën në sezonet e fundit, që ishte mbrojtja. Të kuqtë janë shpërfytyruar në pjesën e dytë të sezonit, pasi kanë pësuar gola, aq sa në 6 sezonet e më parshme nuk i kanë pësuar gati gjithë kampionatin. Ish-kapiteni dhe ish-mbrojtësi i Partizanit, Fatjon Tafaj, në një prononcim për “Panorama Sport” tregon arsyet pse “demat” po vuajnë këtë edicion në mbrojtje. Ish-mbrojtësi pohoi se problem që kanë aktualisht kampionët në fuqi ngjan me atë situatë që pati Tirana në fillim të sezonit.Tafaj-Fatjon

Duket ditur që Partizani ka mbetur pa trofe këtë sezon, Tafaj pohoi se ekipi duhet të minimizojë gabimet, që të paktën të sigurojë pjesëmarrjen në Europë. Aktualisht Tafaj ushtron detyrën e zv.trajnerit te Shkëndija e Tetovës dhe i pyetur për situatën, pasi edhe në Maqedoninë e Veriut është ndërprerë kampionati, ish-kapiteni i kuq pohon se primare mbetet kalimi i situatës dhe sigurimi i shëndetit. Ndërsa në aspektin sportiv, trajneri Tafaj pohon se ndërprerja do të ndikojë te forma e lojtarëve dhe ekipeve.

Fatjon, si ish-mbrojtës dhe kapiten i të kuqve, si i shpjegoni mangësitë e shfaqura nga Partizani në fazën defensive, që ka qenë një nga repartet më të spikatura në 6 sezonet e shkuara?

Situata lidhet me gjithçka u bë në verë, pasi nga ky repart ikën disa mbrojtës që u shpallën kampion. Pastaj edhe skemat e përdorura, që kanë ndryshuar disa herë kanë pasur ndikimin e tyre te paraqitja e ekipit. Për sa i përket repartit të mbrojtjes mendoj se në ndeshjet e fundit ka qenë më shumë mungesë përqendrimi, se sa gabime individuale apo si repart në vendosje.

Po të hyjmë më thellë dhe të analizojmë dhe mënyrën se si janë pësuar golat, në disa raste kemi penallti dhe në disa raste kemi gola të dyshimtë (ka kaluar vijën fatale apo jo). Apo le të kujtojmë dhe situatën tjetër në ndeshjen me Teutën, ku vështirësia e arritjes së realizimit të golit solli një mungesë përqendrimi në mbrojtje nga ku edhe u ndëshkuan me gol. Mendoj që të gjitha këto kanë ndikuar negativisht nga ana psikologjike në ekip.

Si mund ta kalojnë këtë problem në pjesën e mbetur?

Kampionati është në momentet më delikate dhe çdo gabim në pikë është shumë i vështirë ta rekuperosh. Të njëjtën situatë pati dhe ekipi i Tiranës në fillim të kampionatit, por koha ishte mëse e mjaftueshme për të rregulluar situatën.gjoka-dhe-tafaj

Të eliminuar nga Kupa, por edhe thujase të dorëzuar për titull, a mendoni se Partizani do ta sigurojë një biletë për në Europë?

Llogaritë e pikëve ia japin mundësinë edhe 4 ekipeve të tjera të jenë në garë për Europë. Ndaj, mendoj se gabimet duhet të jenë sa më të vogla në ndeshjet e mbetura, ndryshe do të jetë shumë e vështirë pjesëmarrja në Kupat e Europës.

Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Maqedoninë e Veriut ku ju punoni te Shkëndija e Tetovës, futbolli është pezulluar nga epidemia e Koronavirusit. Mendoni se kjo ndërprerje do të ndikojë te lojtarët dhe ekipet kur futbolli t’i kthehet normalitetit?

Nga ana njerëzore, personalisht uroj që të gjithë së bashku ta kalojmë sa më lehtë këtë situatë mjaft të vështirë që po kalon e gjithë bota. Për sa i përket ndërprerjes se kampionatit, absolutisht që ndikon jo mirë për ekipet mosstërvitshmëria dhe periudha që nuk dihet se kur do të rifillojë aktiviteti. Do të ketë një ndikim jo pak të vogël në garë, por dihet që para shëndetit të njerëzve nuk ka vlerë asgjë.

ILIR CARA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"