EKSKLUZIVE/ Ish-kapiteni Agolli: Momenti më i errët i Kombëtares, ja pse lojtarët nuk duhen kritikuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2018 | 23:00

EKSKLUZIVE/ Ish-kapiteni Agolli: Momenti më i errët i Kombëtares, ja pse lojtarët nuk duhen kritikuar

Asnjëherë polemizues dhe gjith monë prej futbollistëve që ka përçuar frymën e grupit dhe të bashkëpunimit. Ansi Agolli, si gjithmonë kërkon të jetë optimist, edhe në momentin kur të gjithë shohin vetëm errësirën në të cilën ka rënë skuadra përfaqësuese. Ish-kapiteni i Kombëtares, i pagrumbulluar për këto dy ndeshje, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, komenton situatën e kuqezinjve, disfatën turpëruese ndaj Skocisë, shkaqet që kanë sjellë këtë gjendje dhe mbi të gjitha elementet që nevojiten për t’u ringritur. Por, duke theksuar që nuk interesohet për qëndrimin apo largimin e trajnerit Panuçi.

agolli

Agolli, nuk mund të ketë pyetje tjetër në këtë situatë veçse çfarë po ndodh me Kombëtaren?

Nuk besoj se duhet të themi shumë fjalë për rezultatet e Kombëtares. Rezultati i fundit na ka zhgënjyer të gjithëve. Megjithatë, unë mendoj se është momenti për pak qetësi nga skuadra. E them këtë, pasi e shoh ambientin shumë të acaruar me këto rezultate. Gjë e cila nuk ndihmon aspak, e mbi të gjitha djemtë e rinj të cilët janë të shumtë në përfaqësuese apo e veshin për herë të parë fanellën e Kombëtares dhe ndaj bëj thirrje për më shumë qetësi dhe më shumë reflektim.

Ju përmendni reflektim, ndoshta duhet që të nisë që nga drejtimi dhe mënyra si është drejtuar Kombëtarja deri më tani?

Pa diskutim që pas një humbjeje të tillë duhet të ketë patjetër reflektim, të merret gjithçka me qetësi. Megjithatë, unë nuk e kam këtë me dikë, me një emër, por e them në përgjithësi që është moment reflektimi.

Çfarë doni të thoni atëherë?

Shikoni, gjithmonë kur ka disa rezultate negative radhazi, nevojitet një moment reflektimi për çfarë po ndodh. Unë e them këtë duke shtuar që gjithçka duhet bërë me qetësinë e duhur.

Donim fitore, por luajtëm vetëm 10 minuta dhe pësuam në goditjen e parë. Kaq e fortë ishte Skocia apo u bë Shqipëria shumë e dobët?

Skocia meriton komplimente në vete. Me ndeshjen e fundit tregoi një skuadër të maturuar, mjaft racionale, e cila shfrytëzoi çdo mundësi që i dhamë dhe që krijuan. Ishte ndeshja perfekte nga ana e skocezëve. Deri-diku, e patën edhe pak më të lehtë, pasi arbitri na penalizmi me karton të kuq. Gjithsesi, pa i hequr asnjë vlerë, ata e merituan plotësisht fitoren.

Sa ndikoi dalja me karton të kuq, të cilin ju e cilësoni si penalizim të arbitrit?

Po, sepse nuk jam akoma i qartë nëse ishte apo jo karton i kuq në atë moment, pasi arbitri mund ta interpretojë në mënyra të ndryshme. Nuk ishte goditje e pastër që lojtari ynë të merrte të kuq. Me dhjetë veta është absolutisht më e vështirë ta përballosh skuadrën kundërshtare. Megjithatë, në ndeshje të tjera kemi treguar se me dhjetë lojtarë mund të përballojmë edhe skuadra më të vështira, por varet se si reagon skuadra. Mendoj se nuk u reagua mirë pas kartonit të kuq dhe prandaj erdhi rezultati i thellë.

E keni parë Kombëtaren në situatë kaq të keqe?

Të them të drejtën, në rezultate jo. Asnjëherë nuk më ka qëlluar që të mundemi në të kaluarën me rezultatin 4-1 apo 3-0 me skuadra modeste, që janë nën nivelin tonë ose të mundemi 4-0 me skuadra që janë në nivelin tonë. Pavarësisht kësaj, unë gjithmonë mundohem të shoh dritë në ‘fund të tunelit’. Shikoj shpresë, pasi ka shumë lojtarë të mirë, kemi lojtarë cilësorë që luajnë në kampionate mjaft të mira dhe mendoj se skuadra ka kualitet, nuk është se mungon diçka e tillë. Në këtë aspekt, unë jam optimist.

Thoni që kemi kualitet, por nga ndeshja në ndeshje shohim të shtohen gabimet individuale. Pse mendoni se ndodh kjo gjë?

Futbolli është lojë e gabimeve dhe çdokujt i ndodh të bëjë gabime. U ka ndodhur edhe lojtarëve më të mëdhenj në botë, kështu që u ndodh edhe lojtarëve tonë. Megjithatë, unë mendoj se mbase edhe skuadra e ndien peshën e rezultatit dhe kërkon me çdo mënyrë të fitojë dhe ndoshta ky presion ndikon keq në ekip.

Ama Shqipëria ka përballuar me sukses edhe presion si Europiani?

Në vitet e fundit është e vërtetë që jemi mësuar të kemi një nivel mbi mesataren dhe tani që ndodhin këto rezultate negative të njëpasnjëshme, edhe këto kanë ndikimin e vet. Ndikojnë te lojtarët. Prandaj e thashë që në fillim se duhet që skuadra të jetë më e qetë dhe të luajë atë futboll që di të bëjë zakonisht, me thjeshtësi duke dhënë maksimumin. Nëse çdo lojtar nuk jep maksimumin në çdo ndeshje, atëherë gjërat bëhen mjaft të vështira për një ekip si Shqipëria.

Atëherë si i shpjegoni gjithçka ka ndodhur së fundmi në fushë?

E para, duhet të jemi më shumë optimistë për Kombëtaren. Tjetra që dua të them është se unë kurrë nuk do të flas keq apo të kritikoj lojtarët. E them këtë, pasi kam luajtur me shumicën prej tyre, i kam shokë dhe kemi qëndruar bashkë për shumë kohë. Jemi vëllazëruar me njëri tjetrin. Sa u përket lojtarëve, e theksoj që kanë dhënë maksimumin e tyre. Edhe herën e fundit që isha i grumbulluar, angazhimi i tyre ka qenë mbi 100 për qind.

Po ju bëj të njëjtën pyetje që i është bërë trajnerit pas humbjes me Skocinë. A është tradhtuar Panuçi dhe a e ka besimin e ekipit?

Kjo pyetje nuk ka vend. Nuk mund të bëhet një pyetje e tillë, sepse nuk besoj se futbollistët vijnë në Kombëtare se trajner është Panuçi. Besoj se çdo lojtar vjen në Kombëtare, në radhë të parë për vendin e tij dhe për të dhënë më të mirën te skuadra Kombëtare. Unë nuk kam asnjë pikë dyshimi që çdo lojtar ka dhënë maksimumin, si në fushë edhe në stërvitje. Kam qenë vetë pjesë e kësaj skuadre, kam qenë prezent dhe kam parë se si punojnë lojtarët, të cilët kanë angazhimin maksimal si gjatë seancave stërvitore, edhe gjatë ndeshjeve. Nuk ka asnjë pikë dyshimi që çdo lojtar ka dhënë maksimumin për fanellën e Kombëtares.

Sa mundësi ka Kombëtarja që të ringrihet dhe si mund të ndodhë?

Pas kësaj ndeshjeje është e vështirë të flasësh. Duhet më shumë qetësi dhe jo nxitim me deklarata apo përkufizime. Megjithatë, ka shumë kohë deri në mars kur nisin edhe kualifikueset e Europianit. Për mua, ka lojtarë cilësorë, është skuadër e ndërthurur me lojtarë eksperience dhe të rinj, ndaj në çdo fund tuneli ka një dritë që ndriçon. Duhet të jemi më shumë optimist për skuadrën kombëtare.

Panuçi erdhi me filozofinë që skuadra ka cilësi për të luajtur në sulm. Me çfarë kemi parë, mos ndoshta duhet që Shqipëria të rikthehet te loja e kujdesshme që të marrë rezultatet?

Shqipëria ka trajner dhe ai i di më mirë këto çështje. Më mirë sesa unë, ndaj nuk besoj se çfarë mund të them unë të ketë më shumë vlerë. Nuk ka kuptim që unë të komentoj punët e trajnerit. I përket atij të vendosë.

Kaq shumë gabime në këtë kompeticion, do t’i shërbejnë si mësim ekipit për kualifikueset apo do ta dobësojnë sidomos në aspektin psikologjik?

E vërtetë që nga ana psikologjike nuk ndikojnë mirë këto rezultate negative. Sidoqoftë ka disa muaj për t’u përgatitur për eliminatoret, e cila sipas meje mendoj se është kohë e mjaftueshme për t’i bërë gjërat në mënyrën e duhur.

Kur do e shohim Agollin në Kombëtare, apo duhet që të largohet trajneri?

Nuk besoj që është ky momenti për të folur për Agollin, se mbase Agolli do ndryshojë diçka. Jam i vetëdijshëm që sa më përket pjesës time, është që të stërvitem sa më shumë e të mbaj formën time konstante deri në momentin që do vendos të var këpucët. Herën e fundit që jam grumbulluar në Kombëtare nuk luajta asnjë minutë në dy ndeshje si me Izraelin edhe me Skocinë. Gjë për të cilën sigurisht që nuk më erdhi mirë, por kjo nuk më pengoi që deri në momentin e fundit të grumbullimit të tregoja profesionalizmin tim, sepse në Kombëtare shkoj për të përfaqësuar vendin tim, e jo sepse më mori në telefon Panuçi dhe më kërkoi të vija.

Nuk më intereson fare a ndërrohet trajneri apo jo. Puna ime është që sa herë të më jepet mundësia ta përfaqësoj vendin tim, të jem i gatshëm dhe të jap të gjithë energjitë e mia. Në karrierën time në ekipin kombëtar kam kaluar shumë trajnerë, por kurrë nuk kam bërë kompromis me profesionalizmin dhe korrektësinë sepse në mes është diçka më madhore se unë apo se ‘ti’. Është kombëtarja, ajo që ka vlerë më shumë se gjithçka.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"