EKSKLUZIVE/ Ish-futbollisti i Partizanit: Si ia prishëm festën Elbasanit dhe ia hoqëm titullin Flamurtarit duke toleruar Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2020 | 0:12

EKSKLUZIVE/ Ish-futbollisti i Partizanit: Si ia prishëm festën Elbasanit dhe ia hoqëm titullin Flamurtarit duke toleruar Dinamon

Kristaq Ciko, një nga ish-lojtarët e Luftëtarit të famshëm, si edhe kampion me Partizanin në fund të viteve ’70, kujton në një bisedë ekskluzive për “Panorama Sport” histori të pathëna më parë. I ngacmuar edhe nga reagimet e ish-lojtarëve vlonjatë të brezit të tij si Vasil Ruci, Kreshnik Çipi dhe Përparim Lushaj, këtë herë ai ka rrëfyer dy histori të jashtëzakonshme.

Ciko Gega6

Fillimisht ai tregon atë që ndodhi në ditën kur Elbasani u shpall kampion për herë të parë në sezonin 1983-1984 dhe Ciko luante me fanellën e Luftëtarit. Ish-qendërmbrojtësi rrëfen gjithashtu ndeshjen me Dinamon në Gjirokastër për sezonin 1985-1986, ku blutë u shpallën kampionë pasi mundën 0-3 Luftëtarin, në një kohë që Flamurtari shpresonte se bluzinjtë do të ndalnin kryeqytetasit, në mënyrë që vlonjatët të merrnin titullin.

SEZONI 1983-1984

“Luanim në ndeshjen e fundit me Labinotin në Elbasan. Skuadra e Labinotit ishte shpallur kampion, por luante për t’i bërë nder Burrelit, në një kohë që neve (Luftëtari) na duhej pikë për të shpëtuar kategorinë. Kemi udhëtuar nga Gjirokastra të premten dhe kemi fjetur në Elbasan. Të shtunën paradite dolëm në qytet dhe të gjithë elbasanasit që takonim na thoshin se ndeshja do të dalë 0-0, një rezultat që ne na favorizonte.

Nga e premtja deri të shtunën, trajnerit tonë, profesor Hito Hitaj, i vjen një haber i mirë, se ndeshja do të dilte barazim. Në fakt, takimi do të luhej të dielën në Elbasan, duke qenë si festë për vendësit në ceremoninë e titullit. Sapo u futëm në hollin e stadiumit, Namik Jareci i thotë profesor Hitos këto fjalë: ‘Nuk do t’jua lënë ndeshjen…’. Ne si lojtarë e morëm vesh të fundit në dhomat e zhveshjes pak para se të niste loja. Por, përtej kësaj, Luftëtari, ashtu siç ka emrin, ashtu edhe luajti në fushë. Kemi bërë një lojë fantastike. Fituam 3-0 në Elbasan me gola të të paharruarit Astrit Boni, Artur Angonit dhe Pando Kserës.

Ciko Luftetari

I prishëm festën e titullit Elbasanit, madje mbaj mend që orkestra popullore iku para kohe nga stadiumi. Gjithashtu, tifozët elbasanas u larguan të trishtuar dhe nuk festuan. Në atë ndeshje Bujar Gogunja hoqi dorezat dhe la futbollin, pasi pësoi tre gola. Ndërsa ne qëndruam në kategori, duke e mbyllur me një fitore të madhe”, tregon Kristaq Ciko.

SEZONI 1985-1986

Ish-qendërmbrojtësi gjirokastrit, që për shumë vite ka bërë edhe detyrën e trajnerit te Luftëtari, tregon detaje të “hakmarrjes” ndaj Flamurtarit pas asaj që u ndodhi gjirokastritëve në Vlorë në ndeshjen e sezonit 1983-1984. “Në sezonin që diskutonim kategorinë me Burrelin, përpara se të luanim në Elbasan, nuk duhej të humbnim në Vlorë me dy gol diferencë. Ishte ndeshja 2-1 për Flamurtarin. Afër fundit u dha një penallti për vlonjatët dhe Vasil Ruci e çon në 3-1. E bukura është se para ndeshjes kishim rënë dakord të fitonte Flamurtari, por vetëm me një gol diferencë.

Luftetari Ciko

Vasili ia bën me shenjë portierit Ahmet Çumaku që të hidhej nga e djathta dhe Meti i shkretë andej u hodh. Mirëpo, Ruci gjuajti në krahun e majtë dhe shënoi. Që atëherë u prishëm me Vlorën, por pavarësisht humbjes, nuk u rrëzuam nga kategoria. Më pas erdhi edhe hakmarrja jonë ndaj Flamurtarit.

Bëhet fjalë për sezonin 1985-1986, ku i kemi hequr ekipit vlonjat kampionatin në javën e fundit. Ne luanim ndeshjen e fundit me Dinamon në Gjirokastër, ndërsa Flamurtari kundër Tiranës. Në njëfarë mënyre morëm ‘hak’ ndaj Flamurtarit për atë që na bëri në 1984-ën, kur u treguan të pabesë. Pjesa e parë me Dinamon përfundoi 0-0, ndërsa në pjesën e dytë 0- 3″, kujton një nga mbrojtësit e viteve ’70-’80.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"