EKSKLUZIVE/ Intervista “e çuditshme” me Tomason: Në Shqipëri kthehem vetëm nëse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2022 | 23:54

EKSKLUZIVE/ Intervista “e çuditshme” me Tomason: Në Shqipëri kthehem vetëm nëse…

Numrin e telefonit të John Dal Tomasonit ma siguroi kolegu im Ermal Kuka dy ditë para se t’i shkruaja. E mbaja mend danezin që nga koha kur luante me Milanin dhe ende e kam para syve golin që ia “vodhi” Inzagit kundër Ajaksit në fitoren dramatike 3-2 të kuqezinjve në çerekfinale të Champions më 23 prill 2003.

Van Persi Tomason

I shkrova një mesazh më 20 maj, jo vetëm sepse ai është pjesë e klubit të Fejnordit, por edhe se në finalen e Kupës UEFA që Fejnordi fitoi kundër Dortmundit (3-2), Tomason u shpall njeriu i ndeshjes në vitin 2002.

Ishte hera e fundit që Fejnordi fitonte një trofe europian, ndërsa pak javë më vonë Tomason u transferua te Milani. Nuk e dija që do të ishte në Tiranë, thjesht më ngelën në mendje dy tentativat e tij për t’iu përgjigjur mesazhit tim. E tradhtoi ikona “typing” në “Whatsapp”.

Por në fund Tomason vendosi të mos kthente përgjigje. Befasisht u ndesha me të në tribunën kryesore në “Air Albania” të mërkurën, 5 ditë më vonë. Kishte ndryshuar shumë, sepse vitet bëjnë të vetën, por jo aq sa për të mos e njohur. Herën e parë thjesht e përshëndeta nga larg dhe e provokova me një “Forza Milan”. Buzëqeshi dhe me një italishte të vrazhdë u përgjigj: “Po, forca Milan, por sot duhet ‘Forca Fejnord’, sepse Milani e fitoi titullin…”.

Qeshi dhe kaq. E kisha të pamundur të depërtoja mes njerëzve që e rrethonin në tribunë për ta intervistuar. Në pushim të ndeshjes i vura vetes mision që të bisedoja me të shkurtimisht ose qoftë edhe për të bërë një foto.

Zbrita nga tribuna e sajuar e gazetarëve në katin e tretë të stadiumit dhe për fat të mirë e pashë që ishte në krah me Van Persin, por disi i shqetësuar. Nxitova duke i kaluar rreshtat me karrige nxitimthi dhe pa pikë finese, aq sa edhe një stjuard i alarmuar do të më kishte zili. Kur iu afrova, në fytyrën e tij lexohej habi dhe shqetësim: “Po tani çfarë do?!” Nuk më zhgënjeu intuita, sepse pyetja e parë e danezit ishte si një grusht: “Çfarë kërkon?”…

Ja intervista “e çuditshme” me ish-lojtarin e Milanit:

Përshëndetje Tomason, mund t’ju marr pak sekonda kohë?

Po, por çfarë kërkon?

Një foto si fillim… A mundem?

Po mirë, dakord. Por më duket sikur po më ndiqni vetëm mua… (qesh i sforcuar).

Jo, thjesht po përfitoj nga rasti meqë është hera e parë që ju takoj. Jam gazetar.

Ah, gazetar? Po pse do të bësh foto?

Po pse të mos bëj?, Ju jeni i famshëm, keni fituar Champions-in me Milanin…

Mirë, por zakonisht gazetarët bëjnë pyetje, jo foto…

Po, unë nuk kam mbaruar… Fillimisht po ju kërkoj një foto meqë është hera e parë që ju takoj.

Nuk është hera e parë që vij këtu. Kam luajtur me Danimarkën në Tiranë dhe kam fituar (0-2, golat e Jorgensen dhe Tomason në vitin 2004).

E di, por thashë “hera e parë që ju takoj, jo që hera e parë që vini këtu…”.

Ah, OK. E bëjmë foton atëherë.

Si ju duket atmosfera?

E shkëlqyer. Por ndeshja nuk më pëlqen. Nuk duhej të pësonim gol në pjesën e parë. Nuk është mirë.

Keni frikë nga Murinjo se do të mbyllet në mbrojtje?

Jo, por finalet janë të komplikuara mjaftueshëm edhe pa pësuar gol. Hëm, nuk e di, shpresoj ta përmbysim. Fejnordi është klubi im, e kam shumë për zemër.

Si ju duket stadiumi?

I mirë. Shumë më i mirë se ai ku kam luajtur unë, pa dyshim. Atëherë edhe fusha ishte shumë e keqe. Po ti ke qenë atëherë në stadium?

Jo, nuk munda.

Më mirë, se do të ishe mërzitur për humbjen… (tani qesh me të vërtetë).

Shumë holandezë në Tiranë…

Shumë? Kaq janë pak! Po të ishte në një vend pak më afër Holandës, do të kishte edhe mijëra të tjerë. Tifozët e Fejnordit janë specialë.

Si ju duket Tirana?

Mirë, shumë mirë. Atmosfera është mbresëlënëse, por shumë vapë.

A do të kishit dëshirë të vinit prapë në Tiranë?

Nëse fitojmë sot po, pse jo…

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"