EKSKLUZIVE/ Analiza e Ilir Lames: Partizan, nuk je për titull!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2018 | 22:04

EKSKLUZIVE/ Analiza e Ilir Lames: Partizan, nuk je për titull!

Ish-futbollisti i famshëm i Partizanit në vitet 1980, Ilir Lame, mendon se me organikën që Partizani ka aktualisht nuk mund të jetë pretendent për të fituar titullin kampion sezonin e ardhshëm. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai është shprehur se të kuqve u duhen me patjetër të paktën tre futbollistë, sidomos në mesfushë dhe në sulm, por edhe mbrojtja ka probleme. Lame, që gjithashtu është një ndër të preferuarit e tifozëve, thekson se tranzicioni i gjatë i të kuqve ka ardhur për shkak se në skuadër nuk janë afruar lojtarët e duhur.

lame
Profesor, cilat ishin ndryshimet sipas jush që Partizani kishte në dy ndeshjet e Europës, në krahasim me skuadrën e sezonit të shkuar?

Të them të drejtën, nuk është se kam vënë re ndonjë ndryshim të madh, kushedi se çfarë. Partizani aktualisht është një skuadër që ka shumë dobësi në lojën që zhvillon, sidomos në organizimin e lojës, në mesfushë. Duhet që dikush të luajë topin, gjë të cilën unë nuk e kam parë në asnjë moment. Edhe mbrojtja kishte shumë defekte, si në qendër ashtu edhe në krahët e këtij reparti.

Në dy sfidat ndaj Mariborit edhe sulmi nuk arriti të shënonte asnjë gol. E shihni shqetësues një fakt të tillë?

Natyrisht që po dhe nuk diskutohet që skuadra nuk ka sulmues race, i cili gjen golin lehtësisht dhe një gjë e tillë mund të konstatohet lehtësisht. Por, Partizani e ka pasur historikisht një problem të tillë në repartin e sulmit. Edhe në kohën kur kam qenë unë futbollist në skuadër me vështirësi arrinte të shënonte dhe rezultatet i kishim të ngushta.

31676594_109171099951201_6711880599029678080_n

Megjithatë nuk pësonit gola në portën tuaj apo jo?

Po, kjo është e vërtetë. Ne shënonim pak, por e mbyllnim ndeshjen, pasi kishim portën dhe mbrojtjen pa diskutim në nivel të mirë dhe jepte garanci për pjesën përpara.

Në skuadër ka edhe disa që rinj premtues. Keni një koment për paraqitjet e tyre në lojën e skuadrës?

Tani po shoh me interes edhe atë të riun Bardhi, për të cilin thonë që është talent. Por, vajti kaq kohë që po luan te Partizani dhe nuk po jep atë që duhet të japë. Shikoj që ka shenja egoizmi, nuk luan më për shokët, por bën lojë individuale.

Që nga koha e Ekubanit, Partizani ende nuk ka gjetur një sulmues që të bëjë diferencën…

Ai ishte një sulmues race që bënte diferencën dhe largimi i tij u ndje shumë në lojën e skuadrës, pasi nuk është zëvendësuar ende.

Përse mendoni se tranzicioni te Partizani ka zgjatur më shumë se te skuadrat e tjera, që kanë arritur të fitojnë vitet e fundit?

Kjo ka ardhur për shkak se lojtarët nuk kanë pasur një nivel shumë të mirë dhe ka munguar cilësia. Për të fituar duhen futbollistë shumë më të mirë. Unë nuk shikoj që ndonjë lojtar që është pjesë e ekipit të bëjë ndonjë dallim, siç ndodh apo ka ndodhur në ekipet e tjera, që kanë rreth 2-3 futbollistë, të cilët arrijnë të dallojnë. Ka pasur edhe shumë lojtarë të huaj, që kanë ardhur dhe kanë ikur, por nuk kanë qenë cilësorë, thjesht kanë luajtur. Të gjithë kanë qenë lojtar të nivelit mesatar, jo që të spikasnin.

Çfarë i duhet trajnerit Gega që të ndryshojë në këtë ekip?

Nëse do të ketë mundësi tek afrimet e reja, i duhet me patjetër që të marrë ndonjë sulmues të mirë ose mesfushor cilësor, pasi vetëm kështu mund ta ngrejë nivelin.

Me një Skënderbe që nuk po kalon momentin e tij më të mirë pas dënimit, me Tiranën e ngjitur në Superiore dhe Kukësin si rival, a mund ta fitojë Partizani titullin në këtë sezon?

Jo, jo. Nuk mund të themi se Partizani është për titull këtë vit. Me këtë përbërje që ka aktualisht, për mendimin tim, Partizani nuk është pretendent për titull. Pavarësisht problemeve që ka Skënderbeu, mendoj se Kukësi është shumë më mirë se Partizani, Tirana gjithashtu besoj se do të ketë tjetër prezantim. Flamurtari gjithashtu. E thashë duhet të ketë dytre blerje cilësore që të pretendohet. Kuptohet që emri dhe historia bëjnë që pretendimet të jenë të mëdha, por unë e shoh të vështirë.

Edhe tifozët e duan një titull, pasi vajti kohë e gjatë pa një trofe…

Pa diskutim që vajti jo shumë gjatë, por shumë shumë gjatë, pafundësisht, por kjo është situata.

ARMAND HALILI

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"