EKSKLUZIVE/ “Ikin nga Vllaznia edhe për 100 mijë lekë më shumë”, Zmijani: Drejtuesit kanë faj (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2020 | 21:57

EKSKLUZIVE/ “Ikin nga Vllaznia edhe për 100 mijë lekë më shumë”, Zmijani: Drejtuesit kanë faj (E PLOTË)

Mjeshtri i madh, Hysen Zmijani, një nga personalitetet e futbollit shkodran, ndër vite ka folur për situatën në të cilën po kalon Vllaznia. Ai prej disa ditësh është edhe anëtar i bordit të klubit, një bord që ende nuk mësohet të ketë nisur punë. 
hysen zmijani

Pavarësisht dëshirës që ka për të kontribuar për këtë emër me shumë vlerë për të e për Shkodrën, sërish Zmijani e sheh të turbullt situatën. Zgjidhja e vetme është kalimi sa më shpejt i klubit në duart e privatit.

Zmijani, Vllaznia po kalon një situatë të vështirë. Humbja edhe ndaj Tiranës po paraqet probleme të shumta të këtij ekipi…?

Në këto momente është shumë e vështirë që të flasësh për Vllazninë. Nuk mund të gjesh asnjë fjalë optimiste. Edhe në takimin e fundit pamë një Vllazni për të cilën nuk di çfarë të thuash.

Ndikoi në përkeqësimin e situatës largimi i papritur i trajnerit?

Normalisht që po. Për mua Jonuz ka qenë një trajner mjaft profesionist dhe dha vlerat e tij me Vllazninë, por momenti sesi u largua lë shumë për të dëshiruar. Ai mund të kishte bërë një ikje tjetër dhe do të kishte atë vlerësim që të gjithë kanë pasur për të. Nuk ishte momenti që të largohej ashtu, në atë mënyrë. Por unë nuk ia vë krejt fajin trajnerit. Edhe drejtuesit duhet të shikojnë veten në pasqyrë dhe të shikojnë ku kanë gabimet e tyre. Gjithsesi, e thënë copë, mënyra e largimit pa u dhënë dorën drejtuesve e lojtarëve nuk ishte e duhura.

Në krye të pankinës erdhi një ish-koleg dhe mik i juaji, Dedja…?

“Seri” (Dedja) jam i bindur se ka ardhur në Shkodër me të vetmin mendim që të bëjë sa të mundet për këtë emër. Ai e thekson diçka të tillë shumë e shumë herë, por mesa duket e ka të vështirë në këtë situatë. Ai ka bërë atë që një ish-futbollist dhe ish-trajner i kësaj skuadre, dhe për më tepër një shkodran do të bënte për të kontribuar për Vllazninë. E merr ekipin për 8 takime, kur jam i bindur se ata trajner të tjerë që janë kontaktuar s’e kanë marrë përsipër. Në një situatë të tillë, me një ekip në këtë gjendje, ai e ka tejet të vështirë për të treguar vlerat e tij.

Lojtarët duket se kanë një ndryshim të madh, nga ata të pak muajve më parë?

Situata ka ndikuar, por ajo që shoh është se tani më shumë po shikojnë për të marrë paratë e tyre, sesa për të dhënë atë shpirtin për këtë skuadër. Mungon dëshira për këtë fanellë, për të kontribuar për të. Jam plotësisht dakord që nuk luhet pa lekë dhe pa një korrektesë në këtë drejtim, por nga sa kam informacion pagat e tyre do të paguhen rregullisht. Mosmarrja në kohë ka ndikimin e vete, por jo deri këtu.

Sërish mesa duket problemet bashkiake po ndikojnë te Vllaznia?

Nuk është hera e parë që flasim për një gjë të tillë. Normale që aty fillojnë problemet. Për më shumë se tetë sezone kemi një ekip që shkon çdo sezon deri në frymën e fundit për të mbijetuar. Përherë shpenzohet dhe frytet janë njëlloj. Nuk e di çfarë pret më kjo bashki kur i afrohet një njeri apo një firmë serioze dhe nuk arrin që ta bëjë të mundur kalimin e skuadrës te privati. Vetëm privatizimi është shpëtimi i Vllaznisë.

Zmijani

Më vjen keq se e kanë çuar emrin e këtij klubi dhe fanellën e saj në fund të koshit. Dikur ishte ëndërr për gjithkënd që luante futboll, shkodran apo jo shkodran, që të vishte të paktën njëherë fanellën e Vllaznisë. Tani lojtarë apo edhe trajnerë për 100 mijë lek të vjetra më shumë janë të gatshëm që të ikin prej Vllaznisë. Këtu them për shkodranë e jo shkodranë. Të vjen keq sinqerisht që s’di çfarë të thuash për këtë emër. E këtu është ndikimi i drejtuesve.

Bashkia duhet ta lëshojë sa më shpejt këtë ekip. Të vjen keq që ekipe të tilla si Flamurtari, Vllaznia apo edhe Tirana që ishte para dy sezonesh vuajnë në këtë mënyrë. E ritheksoj, kur ta marrë një person që i “djeg xhepi”, vetëm atëherë do të shikojmë Vllazninë që duam.

Pak javë më parë ju u përfshitë në bordin e klubit, si ju erdhi ky propozim?

Një gjë të tillë ma propozuan miqtë të mi. Kur më thanë, u kam kërkuar dhe ua ritheksoj edhe tani që do të jem pjesë e tij, nëse do të më dëgjohet fjala ime për Vllazninë. Do të mjaftonte një takim apo një javë, dhe, nëse nuk mund të flas për atë që duhet, do të largohem menjëherë. Për mua nuk ka rëndësi politika apo të qenët në bord. Për mua ka rëndësi vetëm Vllaznia dhe të jap maksimumin për të. Unë s’kam krah politik, kam vetëm Vllazni.

Jeni mbledhur në ndonjë takim, pasi koha po kalon dhe pozitat e ekipit dihen tani?

Jo, nuk di asgjë për të. Nuk di as se çfarë po bëhet, do të jetë i ligjshëm apo jo? Nuk jemi mbledhur në asnjë moment dhe nuk di as çfarë të them më shumë.

Mesazhi juaj për këtë Vllazni?

Bashkia ta lërë sa më parë klubin. Lojtarët ta vlerësojmë dhe të bëjnë më shumë për këtë fanellë. Të gjithë duhet të lënë përkatësitë politike, por të bëjnë të mundur ringritjen e këtij emri aty ku i takon.

ADMIR URUÇI 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"