EKSKLUZIVE/ “Ika prej Lerdës”, rrëfehet Mensah: Partizanit i fala 15 mijë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2019 | 23:20

EKSKLUZIVE/ “Ika prej Lerdës”, rrëfehet Mensah: Partizanit i fala 15 mijë euro

Emanuel Mensah ishte një nga kon tribuuesit te Partizani në fitimin e titullit kampion në sezonin e fundit. Për shkak të paraqitjes së mirë, klubi i kuq i ofroi rinovimin sulmuesit ganez pas përfundimit të edicionit, por me ardhjen e trajnerit Franko Lerda, ujërat u trazuan gjersa sollën “divorcin” mes palëve.

mensahh

Edhe me italianin Mensah e nisi si titullar aventurën në Champions ndaj Karabakut, ku luajti 58 minuta në ndeshjen e parë dhe një javë më pas përfundoi në stol, për të vijuar në tribunë në duelet ndaj Sherif Tiraspolit. Metamorfoza e ganezit ishte e çuditshme, pasi nga titullar doli jashtë planeve, aq sa për dy javë nuk u la të stërvitej me grupin nga trajneri Lerda.

Kjo bëri që Mensah të kërkonte largimin dhe në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” 25-vjeçari tregon edhe rrugën se si e fitoi lirinë. Mensah pohon se trajneri nuk i dha asnjë arsye për trajtimin që i bënte dhe iu desh që të linte pa marrë premion e titullit dhe rrogën e muajit të fundit.

emanuel mensah

Ky është çmimi i lirisë së Mensah, i cili sqaron edhe zërat që e lidhën me Tiranën. Në fund ai deklaron se mbase nuk kthehet kurrë më që të luajë në Shqipëri. Rroga e ganezit te Partizani mësohet se ka qenë afro 4500 euro në muaj në fillim dhe pas rinovimit ka shkuar te 5 mijë euro.

Ndërsa premioja që Mensah duhet të përfitonte për fitimin e titullit kampion mësohet se ka qenë te 10 mijë eurot. Me një llogari të përafërt, i bie që Emanuel Mensah i ka falur 15 mijë euro Partizanit për të dalë futbollist i lirë.

Mensah, mund ta dimë arsyen pse u larguat nga Partizani, kur pas fitimit të titullit kishit rinovuar me të kuqtë?

U largova nga Partizani për shkak se trajneri nuk më donte. Ai më nxori jashtë planeve të skuadrës, madje as nuk më lejonte që të stërvitesha me shokët e ekipit. Përpos këtij trajtimi, trajneri kurrë nuk ma tregoi arsyen, madje as që e mori mundimin edhe të fliste.

Mensah

Jeni shprehur se Partizani nuk ju ka paguar ju. Si është e vërteta dhe sa ju detyrohen?

Po, ata refuzuan që të më jepnin mua premion e titullit dhe rrogën e muajit të fundit. Kjo është ajo që më mbajtën.

Jeni ankuar diku në klub për pagat e pashlyera apo e keni dërguar çështjen në FIFA?

Kjo është një çështje e mbyllur për mua.

Për çfarë arsyesh keni hequr dorë nga ato pagesa?

Unë doja të dilja lojtar i lirë dhe të vazhdoja të luaja diku tjetër, pas mënyrës se si më trajtuan. Duke ditur se si u sollën me mua në periudhën e fundit, nuk mund të qëndroja më te Partizani. Besoj se kjo ishte e mjaftueshme për t’u larguar, pasi për dy javë nuk më lejuan që të stërvitesha me skuadrën. Kështu që, nuk doja t’i hyja kësaj çështjeje të pagesave, pasi më duhej dokumentacioni për të dalë lojtar i lirë.

Pra, hoqët dorë nga detyrimet vetëm për të dalë i lirë?

Në atë situatë që isha unë nuk mendoja për paratë, pasi nuk isha i lumtur dhe dëshiroja të ndryshoja ambient.

Tani që jeni larguar, mund të na sqaroni për zërat që ju lidhnin në merkaton e janarit për një kalim të mundshëm te Tirana?

Nuk është tamam ashtu. Kërkesën për largim nuk e kisha që të kaloja nga Partizani te Tirana, por doja të largohesha nga Shqipëria që të luaja diku tjetër.

Jeni kthyer për të luajtur në Sllovaki. Në të ardhmen e mendoni të riktheheni sërish në Shqipëri?

Po, është e vërtetë që jam rikthyer në Sllovaki, një vend që e njoh mirë. Sa i përket rikthimit në Shqipëri, nuk di çfarë të them për momentin. Ndoshta jo, nuk kthehem më.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"