EKSKLUZIVE/ I përfundon kontrata, mesfushori konfirmon “divorcin” me Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2022 | 14:47

EKSKLUZIVE/ I përfundon kontrata, mesfushori konfirmon “divorcin” me Skënderbeun

Skënderbeun e ndajnë edhe dy ndeshje nga lamtumira me Kategorinë Superiore, pasi në sezonin e ardhshëm korçarët do të militojnë në Kategorinë e Parë.

Moraesh Skenderbeu logo

Për momentin Skënderbeu ka hyrë në një periudhë tranzicioni, proces i cili do të shoqërohet edhe me ndryshime në strukturën aktuale të skuadrës.

Pjesa dërrmuese pritet që të largohen nga Korça, ku bëjnë pjesë lojtarë pa kontratë apo edhe ata që kanë interes nga klube si brenda dhe jashtë vendit, por ndryshimi i ambientit varet edhe nga drejtuesit e klubit, që mund të përfitojnë ndonjë të ardhur nga shitja e mundshme.

Te grupi i lojtarëve pa kontratë dhe që e kanë mbyllur aventurën me Skënderbeun bën pjesë edhe mesfushori Agnaldo Moraesh.

28-vjeçari brazilian iu bashkua bardhekuqve në tetorin e vitit të shkuar dhe fillimisht u mendua se ai do të ishte nën kontratë edhe për sezonin e ardhshëm me Skënderbeun.

Por, ka qenë vetë lojtari që ka sqaruar për “Panorama Sport” se aventura e tij me korçarët konsiderohet thuajse e mbyllur dhe pas mbarimit të kampionatit ai del lojtar i lirë, pasi i mbaron kontrata dhe në vijim do të vendosë për të ardhmen e tij.

Madje, braziliani pohon se sezoni është mbyllur për atë me Skënderbeun, jo se është i dëmtuar, por tani klubi do t’u japë prioritet të rinjve apo atyre që kanë luajtur më pak.

“Dua të konfirmoj se kontrata ime me Skënderbeun përfundon me mbylljen e kampionatit, kështu që dal lojtar i lirë.

Më vjen keq që nuk e arritëm qëllimin për ta mbajtur ekipin në Superiore dhe largohem vetëm me këtë peng nga Korça, pasi me gjërat e tjera kam qenë në rregull.

Madje, nuk pres as që të luaj në dy ndeshjet e mbetura dhe kjo është logjike, pasi klubi duhet të mendojë që tani për sezonin e ri dhe natyrshëm prioritet do të ketë aktivizimi i lojtarëve të rinj, ata që kanë pasur më pak hapësira dhe ata që janë nën kontratë dhe janë pjesë e projektit të ringritjes së Skënderbeut.

Për sa i përket së ardhmes do të vendos në vijim.

Pasi të shqyrtoj ofertat do të vendos nëse do të mbeten në Shqipëri apo do të nis një aventurë në ndonjë shtet tjetër”, u shpreh Agnaldo Moraesh për “Panorama Sport”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"