EKSKLUZIVE/ I ngujuar në zonën e tmerrit, rrëfehet Vasil Shkurtaj: Po jetoj një makth në Barcelonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2020 | 0:05

EKSKLUZIVE/ I ngujuar në zonën e tmerrit, rrëfehet Vasil Shkurtaj: Po jetoj një makth në Barcelonë

Vasil Shkurtaj u nis tri javë më parë drejt Spanjës me idenë për të bërë një fizioterapi speciale në Barcelonë, në mënyrë që të kishte riaftësim të shpejtë pas dëmtimit që pësoi gjatë ndeshjes Kukësi-Vllaznia, më 4 shkurt në “Elbasan Arena”. Autori i 16 golave me fanellën e Kukësit këtë kampionat po përjeton tashmë një makth. “Diçka të tillë e shikoja vetëm në filma.

Shkurtaj Mustaqe

Po kaloj një moment të vështirë, jam vetëm dhe kam ndienja të çuditshme”, tregon Shkurtaj në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”. Në zonën ku ai po qëndron përkohësisht, kanë ndërruar jetë deri më tani prej koronavirusit 2760 persona, ndërsa në total janë 26.824 të prekur nga Covid-19 në Barcelonë. Sulmuesi tregon si e kalon ditën, tmerrin që po përjeton dhe atë çfarë i kanë thënë nga Ambasada shqiptare në Spanjë.

Vasil, ndodheni në Spanjë, aty ku çdo ditë e më tepër po përjetohet një tragjedi prej koronavirusit. Si ndiheni?

Të them të drejtën nuk e prisja kurrë të jetoja diçka të tillë në jetën time. Ε shikoja këtë vetëm në filma. Çfarë të them, po kaloj kohën duke bërë palestër, duke parë “Netflix”, por edhe duke gatuar gjithë ditën. Mund të them që kam zhvilluar aftësitë e një “master chef” këto ditë në karantinë.

A keni hasur vështirësi të natyrave të ndryshme gjatë ditëve të fundit, për më tepër që jeni në një zonë ku ka mijëra të prekur…?

Po patjetër që po has vështirësi, pasi së pari është çështja e familjes. Këtu jam vetëm dhe nuk kam mundësi të dal dhe të stërvitem. Gjithashtu problem është edhe ana financiare, pasi shpenzimet janë mjaft të mëdha në Barcelonë.

Çfarë të kanë thënë për t’u kthyer në Shqipëri dhe a keni kërkuar ndihmë në instancat më të larta shtetërore?

Për momentin nuk ka asnjë avion nga Barcelona për në Tiranë, sepse siç dihet janë mbyllur edhe kufijtë. Jam në kontakt të vazhdueshëm me ambasadorin shqiptar në Spanjë dhe do të më lajmërojnë nëse ndryshon diçka në vijim.

VASIL SHKURTAJ

Ndiheni i frikësuar për situatën?

Janë kohë mjaft të vështira. Siç ua thashë edhe më lart, kjo gjë është e paprecedentë. Është diçka e parë vetëm nëpër filma nga unë. Tashmë më bie që ta heq vetë si barrë. Janë ndienja të çuditshme, sepse duke qenë larg familjes, shokëve dhe njerëzve të afërt, kjo bëhet edhe më e vështirë. Por, kam besim se do e kalojmë dhe çdo gjë do shkojë mirë.

Si jane masat e marra për koronavirusin në Spanjë?

Këtu situata është shumë dramatike, siç e shihni dhe në TV ka me qindar të vdekur çdo ditë nga koronavirusi. Nuk lejohet të dalësh jashtë, perveçse të shkosh në supermaket dhe farmaci. Edhe këto duhen bërë afër shtëpisë, jo larg zonës ku jeton.

Nga klubi i Kukësit të kanë kontaktuar për të të ndihmuar në këtë situatë?

Jam në kontakt të shpeshtë me profesor Shehin, por edhe me drejtorët e klubit. Do dëshiroja në këtë periudhë të vështirë që po kalon gjithë bota, shëndet dhe durim për të gjithë. Shpresoj ta kalojmë këtë situatë të gjithë së bashku dhe të ndjekim udhëzimet e ekspertëve.

Ju shkuat në Spanjë pas dëmtimit për të kryer fizioterapi të specializuar. Si ia bëni tani në shtëpi?

Stërvitem çdo ditë aq sa mundem me kushtet që kam. Përveç hapësirës në këtë shtëpi me qira që kam marrë, kam edhe pajisjet e duhura. Natyrisht, nuk mundem të bëj vrap, sepse nuk lejohet jashtë shtëpisë. Thjesht me mundësitë që kam po përpiqem të mbaj formë fizike, por është e vështirë. Kur të fillojë kampionati do të jetë shumë e vështirë të arrijë fizikisht 100 %. Do të duhet 3 javë të paktën përgatitje, por deri atëherë, rëndësi ka të jemi mirë.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"