EKSKLUZIVE/ I kënaqur me lojën e ekipit, Dede është gati për sezonin e ri: Ta kthejmë Dinamon ku e ka vendin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2022 | 11:29

EKSKLUZIVE/ I kënaqur me lojën e ekipit, Dede është gati për sezonin e ri: Ta kthejmë Dinamon ku e ka vendin

Trajneri i Dinamos, Nevil Dede, është i bindur se po ndërtohet një skuadër që misioni i rikthimit në Superiore të realizohet 100 %.

NEVIL DEDE

Në bisedën për “Panorama Sport” pas miqësores me Egnatian, kreu i pankinës blu u shpreh i kënaqur për lojën.

“Koha vazhdon, intensiteti është i madh, ngarkesat po vazhdojnë. Gjithsesi, lojtarët po lodhen dhe e rëndësishme është që të fitojmë siguri dhe ata të shfaqin kualitetet që kanë. Do të kemi vetëm hyrje në skuadër, ndërsa dalje nuk do të ketë më. Besoj se çdo gjë do të bëhet më mirë dhe më shpejt. E rëndësishme është që ne të plotësohemi në disa pozicione dhe në fund fare, atëherë kur të fillojë sezoni, të jemi akoma më gati për të përballuar gjithçka me sukses”, ka deklaruar Dede.

I pyetur për besimin që ka se synimi i kthimit në elitë do të realizohet, ai shtoi: “Objektivi është i shpallur 100%, duhet të jemi fitues edhe të kthejmë Dinamon aty ku e ka vendin. Sa për merkaton, mendoj se është një fjalë e madhe. Pra, merkatoja është një kampionat më vete, sepse të gjithë duan të kenë lojtarët më të mirë në skuadër. Sa më shumë lojtarë të mirë të kesh në ekip, aq më të lumtur, aq më të kënaqur do të jemi dhe punët do të jenë akoma më mirë për të gjithë”.

Kujtojmë që në sezonin e fundit Dede drejtoi Erzenin e Shijakut, duke pasur një meritë të madhe në rikthimin e skuadrës në Superiore pas plot 19 vitesh. Tashmë, ish-trajneri i Tiranës kërkon të realizojë të njëjtën gjë me Dinamon.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"