EKSKLUZIVE/ “I kemi bërë llogaritë pa ardhur kamarieri”, Lala flet pa doreza: Ja pse u mposhtëm nga Lituania, Hysaj mund ta largonte topin, por… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2020 | 0:04

EKSKLUZIVE/ “I kemi bërë llogaritë pa ardhur kamarieri”, Lala flet pa doreza: Ja pse u mposhtëm nga Lituania, Hysaj mund ta largonte topin, por… (E PLOTË)

Shqipëria vuajti shumë, nuk tregoi asgjë ndaj Lituanisë dhe thuajse bëri ndeshje katastrofike. Mirëpo, për Altin Lalën kjo ka një shpjegim. Ish-kapiteni i Kombëtares, në një intervistë për “Panorama Sport”, tregon se çfarë ndodhi me Gjasulën në këtë përballje, “trukun” e lituanezëve me të, komenton rastin e Hysajt te goli dhe ka përgjigje për cilindo që hamendëson moslargimin e sferës.

Lala 

Lala shprehet me superlativa për trajnerin Reja dhe idetë e tij, por aq sa edhe për kënaqësinë që po vijnë shumë të rinj cilësorë në Kombëtare. “Problem është mentaliteti dhe po të kishim Kombëtare të përbashkët, do të ishim shumë herë më top”, deklaron ndër të tjera Lala.

Lala, si i patë ndeshjet e Kombëtares në Bjellorusi dhe me Lituaninë?

Këto dy ndeshje ishin, si të thuash, diell dhe hije. Ndeshja e parë ishte shumë e mirë, ndërsa e dyta e anasjellta.

Pse ndodh gjithmonë kjo, pra një ekip me dy fytyra?

Kjo është një pyetje shumë e madhe. Shumë e rëndësishme dhe me vend. Për mendimin tim, ndeshja e parë për nga organizimi, serioziteti në lojë, ana fizike dhe gjithçka ishte siç duhet. Pra luajtëm në grup, shumë mirë. Ndërsa tjetra, pavarësisht shenjave shumë pozitive në Bjellorusi, edhe nga lojtarët, nga opinioni i futbollit në Shqipëri, pyetej thuajse vetëm sa do dilte ndeshja. Pra, që do të fitohej patjetër. Por ja që në futboll ndodh e kundërta. E kanë thënë shumë që nuk ka skuadra të dobëta dhe secila të krijon vështirësi. Siç luajti Lituania në mënyrë agresive gjatë gjithë ndeshjes, nuk e pata për asnjë moment ndjesinë hajt se mund ta kthejmë apo do ta kthejmë rezultatin. Shumë vështirë me çfarë u tregua.

auto_lala1476889308

Mungesë përqendrimi, mungesë serioziteti apo eufori. Si e lexuat?

Unë mendoj se ana mentale është shumë e rëndësishme. Në sensin: Në çdo lojë që ke për të luajtur, të investosh. Ta mendosh mirë. Edhe nga opinioni apo të gjithë dëgjoj të thuhet që ne do të jemi të parët në grup. Jo! Duhet ta luash një herë ndeshjen e pastaj… Si të thuash i kemi bërë llogaritë pa ardhur kamerieri me faturën (Qesh…). Është ai që sjell llogarinë në fund, për çfarë ke konsumuar. Kështu edhe kjo…

Lala, a mund të ketë Shqipëria sukses me skemën 3-5-2?

Unë them e rëndësishme është që Kombëtares po i afrohen lojtarë të rinj. Përveç kësaj ndeshjeje që ishte njëfarë disfate, e them këtë sepse vetëm një lojë është dhe prapë kemi shanse për të zhvilluar ndeshje të mira apo edhe për të dalë në vend të parë, unë them që të paktën fituam një lojtar si puna e Brojës. U fut në ato minuta, pavarësisht se pozicioni i tij është në qendër, ka shumë premisa. Edhe lojtari i ri, Çepele, i afruar së fundmi, plus Kumbulla, e shumë të tjerë për të mos i përmendur… Them se kemi prurje të mira në Kombëtare.

Edhe trajneri të ketë mundësi që të zgjedhë. Për t’iu kthyer pyetjes suaj, unë them se nuk është e rëndësishme se me cilin sistem loje luan, por cili prej tyre u përshtatet lojtarëve. Trajneri është shumë i zgjuar, me shumë eksperiencë… Ndaj Lituanisë ai pati edhe idetë e veta për të rifreskuar grupin, për të ndryshuar disa lojtarë formacioni dhe për të qenë më agresivë, por fatkeqësisht nuk doli ashtu siç e kishte menduar. Kemi lojtarë edhe për 3-5-2.

Po cili ishte problemi në këtë ndeshje me Lituaninë atëherë?

Nuk di se sa është vënë re në këtë ndeshje, që problemi më i madh ishte dublimi i Gjasulës. Klausi është një nga pikat kyçe ose pika kyçe e skuadrës sonë dhe ata e markuan në çdo moment. Çdo sekondë kishte 2 lojtarë që e markonin në mënyrë që ai të mos gjente zgjidhje. Sipas meje, duhej gjendur një zgjidhje tjetër për ta çmarkuar Gjasulën. Një lloj zgjidhjeje për t’i krijuar atij mundësinë që të gjente hapësira bosh, me anë të lojtarëve të tjerë.

Gjasula po tregon lojëra shumë të mira, por pa Baren në krah has probleme. Një lloj varësie nga kjo dyshe?

Jo, nuk e shoh kështu. Më besoni që problematika e ndeshjes me Lituaninë ishte fakti që Gjasulën ata e markuan çdo sekondë. Gjasula është shumë i rëndësishëm për ekipin, si e nxjerr topin nga mbrojtja. Është deçiziv për lojën tonë. Kurse ai gabimi ndodh. I ndodh çdokujt. Nuk e llogaris fare. Trajneri i Lituanisë e kishte bllokuar, plus edhe fakti që po luante shumë e ngjeshur dhe shumë agresive. Kjo bëri që Gjasula të mos kishte hapësira.

171F73BD-3E41-4110-9379-FD45ED23F046

A mund ta largonte Hysaj topin te rasti i golit?

Tani mbrapa duket që mund ta kishte larguar me këmbën e djathtë, me trinën e jashtme. Por, ai donte që ta hiqte nga ana tjetër. Pastaj, mos harroni që bëhet fjalë për një veprim në të qindtat e sekondës. Ai donte që ta hiqte gjithsesi topin, por i doli pak ters. Edhe fushën nuk e shoh shumë të mirë. Nuk e di çfarë ndodh, por çdo herë ka probleme aty. Kjo është një temë tjetër, por në gjysmë metri fushë del ai bari në atë formë dhe mendoj se duhet gjetur një zgjidhje.

Në rrjete sociale, Hysaj edhe është akuzuar për moslargimin e atij topi, duke mbetur ai imazh kur e ka sferën ngjitur në këmbë…

Jo, jo, jo! Fare! Tani, të futesh në teori konspirative, unë them që nuk ka asnjë lidhje. Ai është profesionist. “Pra e dinte Hysaj, e priti atë rastin dhe e la të kalojë dhe duke e ditur që do vijë topi, s’do ta largojë”. Kjo logjika e atyre që marrin vesh shumë nga futbolli… Janë idiotësi.

E dëgjojmë nga trajneri Reja që nuk ka vend për Roshin, për X-in apo Y-in me këtë skemë. A duhet të tregohet pak më fleksibël për këtë?

Sipas meje, ne jemi me fat që e kemi atë trajner. Njeri me shumë eksperiencë dhe nga larg më duket edhe shumë pozitiv. Asgjë tjetër veçse të bëjë më të mirën e mundshme. Natyrisht, jo çdo gjë që bën trajneri, mund të dalë me sukses. Sipas meje, edhe nga kjo lojë mund të mësosh. Mbi të gjitha, çunat, të cilët janë të rinj, çdo ndeshje duhet ta luajnë, të japin 120%. Gjithmonë! Sigurisht që mund edhe të humbësh. Por, mënyra se si, duhet të jetë ndryshe.

altin lala armand duka

Lala, në kohën tuaj ishit të gjithë me peshë dhe “ustallarë”, ku në mos shumë kapitenë nëpër ekipe, ishit të rëndësishëm. Me Lituaninë, nuk dëgjohej askush të ngrinte zërin e të drejtonte në fushë. Lideri nuk ka recetë, por çfarë duhet të dijë ky brez?

Unë mendoj se çdo njeri, i ri apo i vjetër, është kapiten në qoftë se merr përgjegjësi. Natyrisht që lojtarët me më shumë ndeshje në këmbë duhet të ndihmojnë të rinjtë duke u dhënë suport. Mund të luash rolin e kapitenit, të lëvizësh duart si polic trafiku, por në fund… Kapiten unë e quaj kur jep rendiment, kur përplasesh, jep 120% dhe u jep kurajë të rinjve me atë lojë që po bën. Kjo është puna e kapitenit. Ti mund të kesh shirit, por nëse nuk jep 120% dhe në sensin e asaj që nuk je serioz në fushë, atëherë nuk luan rol edhe t’u japësh të gjithëve nga një shirit. Çdokush të ketë përgjegjësi dhe të mbajë përgjegjësi.

A i mungon Shqipërisë një lider në fushë?

Nuk e mendoj të jetë kjo, sepse një ndeshje më parë ishim të gjithë superoptimistë. S’besoj të jetë kjo për vetëm 3 ditë…

Por çfarë atëherë?

Shqipërisë i mungon mentaliteti. Pra, për lojtarët jo vetëm në Kombëtare, por kudo, rëndësi më shumë ka mentaliteti sesa kualiteti. Pastaj vjen në pyetje puna e kapitenit, pasi mendoj se nuk do të bëhej kjo pyetje pas ndeshjes me Bjellorusinë.

Edhe ai triumf është diskutuar, nuk ka “ngrohur” shumë…

Dakord, por prapë e fituam, kishte një lloj strukture, njëfarë qartësie në lojë. Plus fakti që luajtëm jashtë. Prapë, edhe ne duhet të rrimë me këmbë në tokë. Kombëtarja është duke gjetur elementë të rinj, formën e vet dhe trajneri po provon, teston e gjithçka.

Ka shumë të rinj, por si mund të shmanget një tjetër rast “Rashica”?

Rashica luan për Shqipërinë tjetër. Nuk po luan për Zvicrën, Italianë apo Greqinë. Prapë po luan për Kosovën, aty ku ka lindur. Unë e kam thënë, me humor apo edhe pa humor, që ishalla të kemi një Kombëtare të përbashkët. Do të ishim shumë herë më TOP. Prapë, si në Shqipëri edhe në Kosovë, është problem mentaliteti. Diferencën në futboll e bën mentaliteti, pasi talente te ne ka sa të duash.

Kur thoni mentaliteti, çfarë nënkuptoni?

Në sensin që s’duhet të dalim në origjinën tonë të të luajturit futboll, pra duke neglizhuar. Unë e kam vënë re edhe në kohën time, sa vinim në grumbullim liroheshim në sensin “hë se jemi në shtëpi, në vendin tonë”. Për shembull, vjen një minutë me vonesë. Ama në klubet ku kemi luajtur, një minutë herën e parë merrje gjobë të majme. Në Gjermani, nëse përsëritej dy apo tri herë, në të 4-tën përsëritje, të thoshin: “Ik fare”. Ndërsa te ne sikur bëjnë numra. Mentaliteti është serioziteti, edhe në stërvitje, edhe në fushë. Sigurisht që kënaqen me njëri-tjetrin se janë shokë, por në fushë duhet të jenë profesionistë.

OLSI TUJANI-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"