EKSKLUZIVE/ I grisi kartonin arbitrit, sulmuesi Muhametaj: U bëra si Salihi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2021 | 14:39

EKSKLUZIVE/ I grisi kartonin arbitrit, sulmuesi Muhametaj: U bëra si Salihi

Albpetroli – Maliq i vazhdon të prodhojë polemika. Ashtu si në korrikun e 2020-ës, as këtë të diel nuk mungoi tensioni. Nëse një vit më parë degradoi në sherr, këtë herë pamë një tjetër skenë.

Muhametaj-Salihi

U dhanë 4 të kuq për patosarakët dhe Marjus Muhametaj nuk ka duruar dot. Ia mori kartonin nga duart kryesorit Egli Spahiu dhe e grisi. Ky gjest na ktheu në kohë, pasi në majin e 2017-ës ishte Hamdi Salihi që bëri të njëjtën gjë (ndaj Enea Jorgjit, në Kukësi-Skënderbeu).

Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, është vetë sulmuesi që tregon pse veproi në atë formë. Ai qartësoi se e bëri për të protestuar dhe i duket habi që ndaj tyre vazhdojnë të sjellin arbitra “robotë” dhe të komanduar.

Morët të kuq dhe i grisët kartonin arbitrit, çfarë ndodhi në Albpetroli-Maliqi?

Ishte një lloj proteste. Është e pamundur të kontrollosh veten, kur sheh që mbizotëron padrejtësia dhe për më tepër që nuk ke as ku të ankohesh. Kjo nuk është hera e parë, pasi u bënë disa takime me Maliqin ku gjyqtarët “gabojnë”.

Nëse do të ktheheshit pas, a do ta kryenit të njëjtin veprim?

Kryesori Spahiu ishte tendencioz ndaj nesh. Kjo u pa qartë që në 20 minutat e para, kur nxori 5 kartonë në formë presioni, për të mos protestuar ndaj vendimeve të padrejta. Ky gjykim arriti në një pikë ku emocionet dhe nervat nuk kontrolloheshin. Në minutën e 75-të, nuk u dha një penallti e pastër për ne. Kjo na irritoi.

Doni të thoni që ndiheni të penalizuar sa herë luani me Maliqin?

U bënë kaq vite dhe asnjë përmirësim sa i takon gjykimit dhe përsëritet rregullisht në të njëjtën sfidë. Kjo të bën të dalësh nga vetja.

Të njëjtin gjest ndaj gjyqtarit ka bërë më parë edhe Hamdi Salihi, në kohën kur luante te Skënderbeu. Kur e grisët kartonin ju kujtua ajo skenë?

Në atë moment as nuk e kam menduar fare. Tani po. U bëmë dy në Shqipëri që bëjmë të njëjtin reagim, Salihi dhe unë (qesh).

Për çfarë luan Albpetroli këtë sezon?

Objektivi ynë mbetet ngjitja në Kategorinë e Parë. Me anë të “play off”-it ne duam të sigurojmë një nga pesë vendet e para të klasifikimit.

Duke parë se si na kanë masakruar gjyqtarët në ndeshje vendimtare gjatë viteve, them se do ta kemi të vështirë. Ndërkohë që më lejoni të shtoj edhe unë një pyetje: Si ka mundësi që në përballje të rëndësishme për ne fusin hundët gjyqtarë të komanduar, robotë, për të shkatërruar gjithçka?!

LUIS FEJZULLAH – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"