EKSKLUZIVE/ I faturoi rrëzimin, Gjoka i përgjigjet Voltana Ademit: Fajtori problem të gjendet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2018 | 21:19

EKSKLUZIVE/ I faturoi rrëzimin, Gjoka i përgjigjet Voltana Ademit: Fajtori problem të gjendet

Disa ditë pas rënies së Vllaznisë në Kategorinë e Parë, kryebashkiakja e Shkodrës, njëherësh edhe presidente e skuadrës, Voltana Ademi, vendosi të fliste “pa doreza”. Ajo akuzoi hapur stafin teknik me në krye trajnerin Ernest Gjoka dhe lojtarët për mungesë impenjimi që gjashtë javë para fundit të kampionatit.

ernest gjoka

Sipas Ademit, stafi dhe lojtarët janë shkaktarët kryesorë të rënies së skuadrës nga Superiorja. Në një reagim ekskluziv për gazetën “Panorama Sport”, është trajneri Gjoka që i përgjigjet kryebashkiakes.

GJOKA

“Çdo njeri ka mendimet e veta dhe thotë ato gjëra siç i mendon”, shprehet fillimisht ish-trajneri. I pyetur në lidhje me mungesën e impenjimit të stafit dhe lojtarëve 6 javë nga fundi, Gjoka përgjigjet: “Për mua nuk ka asnjë problem. Çdo njeri bën punën e vet. Ne nuk e bëmë punën tonë, ndërsa ajo bën punën e vet.

voltana ademi

Për mua nuk ka asnjë problem se çfarë deklaron. Unë nuk merrem me kryebashkiaken, pasi edhe  Ademi ka të drejtën e vet që të flasë”, tha ish-tekniku i skuadrës shkodrane.

Ernest Gjoka ka qenë në shënjestër të akuzave gjatë ditëve të fundit nga ish-lojtarë dhe lojtarë. Një prej më të ashpërve ka qenë ish-kapiteni i Vllaznisë, Ndriçim Shtubina, që ka akuzuar drejtpërdrejt Gjokën si shkaktarin kryesor të rënies së skuadrës në Kategorinë e Parë.

Por, tekniku nuk ka dashur të merret aspak me të. “Nuk merrem fare me atë dhe me ato që thotë”, thotë Gjoka, duke injoruar Shtubinën. I pyetur nëse ka pasur ndonjë kontakt gjatë ditëve të fundit me drejtuesit e Vllaznisë dhe me të ardhmen, tekniku përgjigjet: “Avash-avash, të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë”. Gjoka nuk e vendos gishtin tek askush si shkaktar të rënies së Vllaznisë një kategori më poshtë. “Si gjithmonë, fajtori është problem të gjendet. Megjithatë, është koha ajo që do të nxjerrë në pah gjërat më mirë”, e mbylli reagimin e tij për gazetën, ish-trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka.

Tekniku u afrua te skuadra shkodrane me synimin për ta shpëtuar, por dy javë nga fundi vendosi që të largohej nga drejtimi i skuadrës. Në ato dy ndeshje, kuqeblutë u drejtuan nga Ervis Kraja, por nuk ia dolën që të mbijetonin në Superiore, duke zbritur në Kategorinë e Parë pas 57 vitesh. Për të dytin vit radhazi ndodh në Shqipëri që trajneri kampion, sezonin pasardhës drejton një ekip që në fund të kampionatit, bie në Kategorinë e Parë. Pas Mirel Josës që u shpall kampion me Skënderbeun dhe më pas me Tiranën ra nga elita, e njëjta gjë ndodhi me Gjokën që shpalli kampion Kukësin, ndërsa këtë vit drejtoi Vllazninë që ra në të Parën.

BESAR BOZGO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"