EKSKLUZIVE/ I bekoi Zllatko Daliç, zbulohen të gjitha detajet e transferimit të Elezit dhe Pëllumbit në Kroaci. Skënderbeu mban…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2020 | 22:01

EKSKLUZIVE/ I bekoi Zllatko Daliç, zbulohen të gjitha detajet e transferimit të Elezit dhe Pëllumbit në Kroaci. Skënderbeu mban…

Jorgo Pëllumbi dhe Agon Elezi nga dje janë zyr tarisht lojtarë të klubit kroat, NK Varazhdin. Skënderbeu ka transferuar më në fund mbrojtësin dhe mesfushorin, por jo në destinacionet që kishte pasur diskutime prej kohësh. Fillimisht për Elezin ishte gjetur një akord me portugezët e Boavistës, ndërsa për Pëllumbin ishin austriakët e Shturm Gracit më afër blerjes. Gjithsesi, bisedimet mes klubeve nuk shkuan sipas parashikimeve për shkak të kërkesë-ofertës rreth shitjes së kartonit të lojtarëve.

PELLUMBI, ELEZI, DALIC (1)

Në këto kushte, drejtuesit e Skënderbeut arritën në përfundimin se duhet të pranonin ofertën e kroatëve të Varazhdinit për 19-vjeçarin Elezi dhe 20- vjeçarin Pëllumbi. Dje futbollistët kanë qenë në qytetin kroat, Varazhdin, të shoqëruar nga drejtori sportiv, Haris Fakiç, teksa kanë firmosur kontratat dhe menjëherë kanë dalë në stërvitje. Klubi Varazhdin ka mbajtur emrin NK Varteks deri në vitin 2012, kur dhe falimentoi për shkak të borxheve. Dy dekada më parë aty kanë luajtur edhe emra si Devi Muka dhe Vioresin Sinani, kështu që lidhja e ekipit kroat me shqiptarët nuk është e re.

MARRËVESHJA MES KLUBEVE

“Panorama Sport” zbulon nga burime në klubin korçar se ka qenë një marrëveshje tejet e veçantë ajo që është firmosur mes Skënderbeut dhe Varteksit. Kroatët, me ndërmjetësimin edhe të trajnerit të Kroacisë, Zllatko Daliç, i kanë ofruar Skënderbeut një paketë përfshirëse për të dy lojtarët. Në total korçarëve u është ofruar shuma prej 200 mijë eurosh për transferimin e Elezit dhe Pëllumbit. Pra, 100 mijë euro për secilin lojtar për blerjen e kartonit, por në masën 60%. Në këto kushte, Skënderbeu do të mbajë 40% të kartonit të lojtarëve, duke përfituar në këtë mënyrë në rast shitjeje të tyre në sezonet e ardhshme nga Varazhdini. Duket disi e çuditshme, por Skënderbeu është kënaqur nga fakti që ka ruajtur 40% të kartonit, ndërkohë që shuma në total prej 200 mijë eurosh duket modeste kur bëhet fjalë për dy talente dhe për më tepër që mendohej se mund të përfitohej 1 milion euro.

pellumbi elezi (1)

KONTRATAT DHE KLAUZOLAT

Pas akordit mes klubeve dy lojtarët kanë udhëtuar me urgjencë drejt Kroacisë për të finalizuar marrëveshjen. Elezi dhe Pëllumbi kanë kryer testet mjekësore e më pas menjëherë kanë zhvilluar stërvitjen e parë nën drejtimin e trajnerit Samir Toplak. Por, cilët janë termat e kontratave të dy lojtarëve? Gazeta zbulon se Elezi dhe Pëllumbi kanë firmosur për 3 vjet secili me NK Varazhdinin. Edhe pagat që do të marrin janë të njëjta. Në sezonin e parë do të marrin 40 mijë euro në total, pra me një rrogë rreth 4 mijë euro në muaj.

Mirëpo, në kontratë është parashikuar që në sezonin e dytë, paga do të dyfishohet dhe kontrata e tyre shkon 80 mijë euro. Por, është e qartë që klubi kroat kërkon të promovojë lojtarët për t’i transferuar në një ekip tjetër pas sezonit të parë. Këtë e tregon qartë edhe një klauzolë që është prezente në të dyja kontratat e lojtarëve. Është vendosur si kusht fakti që si Elezi ashtu edhe Pëllumbi do të duhet të startojnë si titullarë në 50% të ndeshjeve të këtij sezoni në Kroaci. Kjo tregon qartë se si NK Varazhdin dhe Skënderbeu kanë pasur si qëllim kryesor në këtë transferim promovimin e dy lojtarëve në Superligën kroate.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"