I bëjnë ofertë zyrtare, Mirel Josa do te Vllaznia fantazistin e Prishtinës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2022 | 14:31

I bëjnë ofertë zyrtare, Mirel Josa do te Vllaznia fantazistin e Prishtinës

Vllaznia e nisi merkaton me kapitenin e Prishtinës, Lorik Boshnjaku, i cili firmosi për dy vite me kuqeblutë, por gjasat më të mëdha janë që edhe goditja numër dy të vijë pikërisht nga klubi më i madh në Kosovë.

ENDRIT KRASNIQI 1

“Panorama Sport” mëson se trajneri Mirel Josa u ka kërkuar drejtuesve të bindin fantazistin Endrit Krasniqi.

27-vjeçarit i ka përfunduar kontrata me Prishtinën dhe është tashmë lojtar i lirë.

Krahas Vllaznisë, për mesfushorin ofensiv kanë shfaqur interes konkret më parë edhe Tirana e Partizani, por gjithashtu Llapi i Podujevës në Kosovë, që është pjesë e Ligës së Konferencës.

Mediat kosovare kanë raportuar së fundmi se Krasniqi është i dyzuar për të ardhmen, pasi përveç këtyre klubeve, ka marrë edhe një ofertë për rinovim të kontratës nga Prishtina.

Vetë lojtari, përmes një njoftimi në rrjetet sociale i ka dhënë lamtumirën Prishtinës.

“Çdo fillim e ka edhe fundin. Ka qenë nder dhe privilegj për mua që të vesh fanellën e Prishtinës në dy periudha të ndryshme.

Jam krenar që kam arritur ta ndihmoj ekipin në fitimin e të gjithë trofeve të mundshëm në futbollin e Kosovës. Shihemi së shpejti në një ambient të ri”, ka thënë Krasniqi.

Ky i fundit është një numër 10 tipik dhe nga trajneri Josa shihet si zëvendësuesi ideal i brazilianit Viktor da Silva, i cili nuk ka pranuar rinovimin me Vllazninë dhe pritet të firmosë me Partizanin.

TË TJERËT – Një objektiv konkret i klubit shkodran për të afruar një mesfushor me tipare sulmuese ishte edhe Engjëll Hoti, i cili u largua nga Tirana pak ditë më parë.

Bisedimet kishin nisur prej ditësh, por dje lojtari zgjodhi të vijonte karrierën me Partizanin. Kësisoj, klubi shkodran kërkon medoemos të bindë Krasniqin.

Vetë Josa e njeh mirë këtë të fundit, pasi e ka pasur në ekip kur ka drejtuar Prishtinën. Në Kosovë kanë përmendur dje edhe mesfushorin e Gjilanit, Albert Dabiqaj, si një mundësi për t’u transferuar te kuqeblutë.

ENDRIT KRASNIQI

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"