EKSKLUZIVE/ “I befasuar nga pritja”, trofe pas tri seancash, Ivanoviç: Martini më bindi të zgjidhja Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2021 | 10:58

EKSKLUZIVE/ “I befasuar nga pritja”, trofe pas tri seancash, Ivanoviç: Martini më bindi të zgjidhja Teutën

Filip Ivanoviç ishte një nga lojtarët që spikati më shumë me Teutën në finalen ndaj Vllaznisë. Qendërmbrojtësi serb luajti titullar pas vetëm tri ditësh stërvitje me fanellën e kampionëve të Shqipërisë. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 29-vjeçari zbulon arsyet e ardhjes në Durrës dhe ambicien që ka për të fituar trofe të tjerë.

FILIP IVANOVIC 2

Filip, e nisët me trofe te Teuta duke debutuar si titullar në finalen e Superkupës. Cila ishte përshtypja pas kësaj ndeshjeje të parë me fanellën e ekipit durrsak?

Jam shumë i kënaqur pasi kisha bërë vetëm tri seanca stërvitore me ekipin para asaj ndeshjeje. Më vjen mirë për lojtarët sepse dhanë gjithçka në fushë për të arritur në atë fitore. Ne gjithmonë duhet të qëndrojmë së bashku, si në humbje, ashtu edhe në fitore sepse kjo përshkruan edhe ekipin e duhur.

Pas aventurës 3-vjeçare në Azerbajxhan firmosët me Teutën dhe tashmë do të luani për herë të parë në kampionatin shqiptar. Si erdhi ky vendim?

Po, unë kalova tri sezone të bukura në Azerbajxhan dhe ky vend do të jetë gjithmonë shtëpia ime e dytë. Megjithatë, vendosa për një sfidë të re duke pranuar ofertën e Teutës sepse klubi shqiptar është ambicioz dhe konkurrues për të fituar trofe.

Kush ishte njeriu që insistoi më tepër për t’iu afruar te Teuta?

Merita më e madhe për ardhjen time shkon për Edi Martinin, i cili tregoi respekt të madh për mua. Tashmë më takon mua të justifikoj besimin e tij, por edhe të drejtuesve të klubit.

Thatë që pranuat ofertën pasi kërkoni trofe. Sa e njihni kampionatin shqiptar?

Unë jam i uritur për trofe, kam ambicie. E di që është e vështirë që Teuta të përsërisë rezultatet e vitit të kaluar, por në këtë kohë të shkurtër mendoj se po e njoh mirë ekipin. Të gjithë jemi të motivuar për të qenë përsëri kampion. Unë jam i bindur që kam marrë vendimin e duhur. Jam i befasuar pozitivisht sepse më kanë pritur shumë mirë në Durrës. Koha do të tregojë gjithçka, por nuk kam dyshim se kam marrë një vendim të mirë për të ardhur këtu, pasi edhe kampionati mendoj se është interesant.

Pas Superkupës, besoni te titulli apo do të jetë shumë e vështirë këtë sezon?

Ekipi tregoi ndaj Vllaznisë se është i uritur për trofe. Ne e kemi marrë tashmë një. Gjëra më të vështira na presin, pasi ka shumë ekipe që do të sulmojnë majën. Do të jetë interesante gara deri në fund.

Përpara se të vendosnit për të ardhur në Shqipëri, a keni pasur variante të tjera për të ardhmen tuaj?

Përveç Azerbajxhanit kisha shumë oferta nga klube të vendeve lindore, por diskutova me familjen dhe vendosëm të ishim më afër shtëpisë.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"