EKSKLUZIVE/ Humbja ndaj Tiranës, presidenti Bardhi: Ndjesë tifozëve të Dinamos, Shkëmbi nuk rrezikon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2021 | 17:39

EKSKLUZIVE/ Humbja ndaj Tiranës, presidenti Bardhi: Ndjesë tifozëve të Dinamos, Shkëmbi nuk rrezikon

Një zhgënjim i madh për presidentin Adrian Bardhi ishte ndeshja me Tiranën. Ashtu si në Shkodër, edhe në këtë derbi ai pa skuadrën e tij të shpërfytyrohej pas pësimit të golit të parë dhe, siç pohon në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, nuk di si ta shpjegojë atë paraqitje. Presidenti i bluve së pari u kërkon ndjesë tifozëve të Dinamos për atë humbje turpëruese dhe pastaj thekson se trajneri Bledi Shkëmbi nuk është aspak i rrezikuar, madje ai nuk do të lëvizë edhe sikur skuadra të bjerë nga kategoria. Në anën tjetër ai thotë se do të merren masa që të tilla zhgënjime të mos përsëriten në të ardhmen.

ARDIAN BARDHI ARMAND DUKA

Zoti Bardhi, si e keni përjetuar humbjen e thellë të Dinamos në derbin me Tiranën?

Jam shumë i mërzitur për atë ndeshje. Nuk jam i mërzitur me humbjen, sepse humbjet ndodhin në futboll, por jam i mërzitur me mënyrën si humbëm. Ishte një paraqitje shumë e dobët dhe jam i pari që dua t’u kërkoj ndjesë tifozëve për atë zhgënjim, edhe atyre tifozëve të padukshëm që nuk e kanë ndjekur skuadrën në stadium. Dua dhe do ta bëj edhe stafin teknik, atë drejtues dhe futbollistët, që t’u kërkojnë ndjesë tifozëve të Dinamos, sepse ata nuk e meritojnë atë zhgënjim të tillë. Është një humbje që nuk i shkon aspak për shtat fanellës së Dinamos.

U takuat me stafin teknik apo futbollistët pas ndeshjes?

Me stafin teknik kemi kontakte të vazhdueshme gjatë gjithë kohës, por këtë e bëjmë para ndeshjes. Pas ndeshjes nuk jam takuar me stafin dhe skuadrën

A rrezikon trajneri Bledi Shkëmbi pas kësaj humbjeje?

Jo, trajneri Shkëmbi nuk rrezikon aspak. Ne kemi nisur një projekt dhe trajneri Shkëmbi do të jetë si një Ferguson te Dinamoja. Ai nuk do të largohet nga Dinamoja edhe sikur ne të biem nga kategoria. Ne do të vazhdojmë punën, do të analizojmë me kujdes gjithçka që ka ndodhur dhe do të marrim masat tona për të ardhmen.

Masat në çfarë kuptimi?

Masat që në të ardhmen humbje si kjo me Tiranën të mos përsëriten më. Duhet të nxjerrim shkaqet dhe secili duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë për atë që nuk ka bërë mirë. Personalisht, nuk di si ta shpjegoj pse ndodh kjo gjë, sepse ne jemi përpjekur të jemi model në gjithçka në klub, në çdo detyrim që unë kam karshi skuadrës. Nëse unë nuk do ta kisha bërë punën time, dakord, por kështu nuk arrij ta kuptoj. Skuadra ka dy ditë pushim dhe pastaj do të bisedojmë për gjithçka. Dua që të jemi të bashkuar për të arritur aty ku duhet. Dua që lojtarët të jenë më burra në fushë dhe të japin më shumë për fanellën e Dinamos.

Skuadra ka vuajtur edhe nga mungesat ndërkohë…

Nuk e di nëse janë mungesat shkaku, por për mua nuk është justifikim. Kur themi se kemi 20 lojtarë të gatshëm, atëherë nuk është punë mungesash. Ne e dimë që skuadra ka nevojë për përforcime, si çdo skuadër tjetër. Për këtë pjesë po punojmë, por deri në merkaton e janarit ka kohë. Dinamo duhet të shfaqet si një skuadër dinjitoze në fushë, humbje si kjo me Tiranën janë të papranueshme.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"