EKSKLUZIVE/ “Humbja ndaj Egnatias nuk justifikohet!”, Alban Xhaferi: Vllaznia është më e fortë se vjet! Kemi luftuar për Kristjan Vulajn, por nuk… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2022 | 21:45

EKSKLUZIVE/ “Humbja ndaj Egnatias nuk justifikohet!”, Alban Xhaferi: Vllaznia është më e fortë se vjet! Kemi luftuar për Kristjan Vulajn, por nuk… (E PLOTË)

Alban Xhaferi nuk e përtyp dot humbjen e fundit ndaj Egnatias, por nga ana tjetër është i bindur se Vllaznia është më e fortë se ajo e sezonit të kaluar. Presidenti i kuqebluve tregon në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, se ka besim absolut te skuadra aktuale dhe trajneri Mirel Josa për t’i shkuar deri në fund ëndrrës për rikthimin e titullit kampion në Shkodër. Xhaferi prek të gjitha temat më të nxehta rreth skuadrës, deri tek aktivizimi i paktë i Kristjan Vulajt, për të cilin thekson se ka bërë “luftë” për ta afruar.

ALBAN XHAFERI 1

Alban, fitoni ndaj Kukësit dhe Tiranës, por humbni kundër Erzenit dhe Egnatias. Çfarë përshtypje ju la disfata e thellë në Rrogozhinë?

Faktikisht në të dyja humbjet që kemi bërë, skuadra ka luajtur shumë dobët. Me Erzenin menduam se ishte fillimi i kampionatit dhe nuk ishim kolauduar ende si ekip, duke futur këtu edhe një nënvlerësim apo mendjemadhësi që treguan lojtarët ndaj kundërshtarit. Ndërsa te humbja e fundit me Egnatian, nuk ka asnjë justifikim. Pasi u kaluan me sukses dy skuadra si Kukësi dhe Tirana, duhet të vazhdohej me fitore në Rrogozhinë. Shumë gjëra çaluan dhe ndoshta mund të them se mungesat apo ndryshimet e detyruara në formacion ndikuan. Goli i shpejtë e goditi skuadrën dhe nuk reaguam. Ne e kemi bërë një analizë, por nuk është justifikuese gjithsesi.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Në asnjë aspekt nuk mund të gjejmë alibi për humbjen në Rrogozhinë. Në atë ndeshje ne nuk prodhuam fare lojë. Motivimi ka qenë më i madh nga lojtarët në përballjet me skuadrat më të forta në letër, por ky është gabim, sepse duhet të luajnë njësoj ndaj kujtdo kundërshtari. Për mua Egnatia ka bërë një skuadër shumë të mirë dhe e pësuam keq ndaj tyre. E përsëris, humbja e fundit është e papërtypshme dhe nuk ka asnjë justifikim. Natyrisht, ky është futbolli dhe këto ndodhin në çdo kampionat, por duhet të shohim përpara.

Kjo që po i ndodh Vllaznisë duket sikur është kthyer në “sëmundje”, sepse sa herë bën një ose dy fitore me ekipe që kanë pretendime për titull, më pas e pëson. Pse kjo përsëritet sipas jush?

Këto janë disa oshilacione që ndodhin zakonisht në periudha të ndryshime te çdo skuadër. Nuk dua të bëj krahasime me sezonin e kaluar, pasi ka qenë ekip dhe trajner tjetër. Fakt është që ne me Egnatian nuk kemi fituar asnjëherë në këto dy vite në Rrogozhinë. Janë disa faktorë që në futboll ndoshta edhe nuk mund të shpjegohen, pasi ka një milionë detaje që përbëjnë një ndeshje. Shpresoj që ta lëmë pas si një ditë të keqe dhe të bëjmë kthesën me Kastriotin.

Ju prisni një kthesë të shpejtë apo e ndieni se diçka nuk shkon në skuadër dhe këtë ndoshta e keni analizuar së fundmi edhe me stafin?

Absolutisht që unë besoj shumë te kjo skuadër dhe trajneri Josa, bashkë me stafin e tij. Kjo është e padiskutueshme. Pjesa teknike i përket trajnerit, por unë si president di të them se jam munduar të bëj më të mirën në ndërtimin e një skuadre pretendente. Sigurisht do të donim të kishim gjëra edhe më të mira, por në këtë moment duhet të flasim për skuadrën që kemi.

Cila është gjëja më e mirë që mund të kishit dhe nuk e keni?

Po ndoshta do të kishim dashur të kishim edhe një sulmues klasi. Gjithsesi, kemi ruajtur bazën e ekipit të sezonit të kaluar dhe gjithmonë jemi munduar të përforcohemi në pozicionet që kanë qenë më problematike. Mendoj se afrimet e Boshnjakut dhe Malës janë të goditura, po ashtu edhe rikthimi i Markut. Edhe Vulaj jam i bindur se do t’i japë skuadrës një përmirësim në vazhdimësi. Unë kam besim te ky grup lojtarësh dhe duhet të kuptojmë që kampionati është i gjatë, kështu që tashmë ekipi të ulë kokën dhe të ecë përpara.

Ky është sezoni i tretë që investoni dhe pas dy Kupave të fituara, besoj se titulli është fiksimi juaj…

Fakti që vijmë pas fitimit të dy Kupave, për mua është një kënaqësi e veçantë, sepse është arritje në vetvete. Duhet përgëzuar çdo element që ka ndikuar në këtë sukses, pasi u rikthyem të marrim pjesë në Europë, duke bërë lojëra dinjitoze. Shkodrës i kthyem kënaqësinë e munguar për Vllazinë dhe do të vazhdojmë t’ia shtojmë buzëqeshjen.

Titulli mungon prej 21 vitesh dhe një emër i madh si Vllaznia e meriton plotësisht të jetë kampione. Jam mundur të bëj ekip me pretendime për titullin dhe mendoj se kemi mësuar shumë nga gabimet e dy sezoneve të fundit, ku jemi djegur vetëm prej golavarazhit. Do të mundohemi të jemi më racionalë dhe të prodhojmë rezultate, sepse kjo është më e rëndësishme për ekipin. Ky kampionat është shumë i fortë dhe besoj se tifozët do ta shijojnë më shumë.

Ka diçka që të ngroh më shumë te kjo skuadër duke e krahasuar me atë të sezonit të kaluar?

Deri më tani shembulli për këtë Vllazni, për mua, është pjesa e parë ndaj Tiranës, ku luajtëm shumë bukur. Edhe pjesa e parë me Kukësin ka qenë fantastike, kështu që nëse ecim me ritmin e këtyre dy ndeshjeve, do të jemi të denjë deri në fund për të fituar titullin. Unë mendoj se kemi një grup më të konsoliduar se sezoni i fundit. Kemi djem me eksperiencë dhe cilësorë. Jemi munduar që të plotësojmë çdo kusht dhe jo pak e rëndësishme është që ne këtë verë kemi bërë dy faza përgatitore, fillimisht në Austri dhe më pas në Pogradec.

Infrastruktura është përmirësuar ndjeshëm dhe duke rritur nivelin, do të shkojmë aty ku presim. Nëse e keni vënë re, po bëjmë gradualisht edhe afirmimin e të rinjve këtë sezon, siç ishte rasti i Alivodës, Smajlit, Delajt etj. Vllaznia është futur në rrugën e duhur dhe ndërthurja e elementit cilësor dhe me eksperiencë bashkë me të rinjtë që premtojnë për të ardhmen, do të jetë filozofia jonë. Në këtë mënyrë ne synojmë të jemi në luftë për çdo trofe.

Kur do ta bëjë shitjen e parë të madhe Vllaznia?

Kemi pasur kërkesa, por nuk kanë qenë në nivelin që mund të na bindnin sa u përket shifrave. Gjithsesi, ky do të jetë viti i promovimit të të rinjve dhe më pas të presim për transferime në ligat më të mira. Keni ndonjë peng nga merkatoja e verës? Nuk kam ndonjë peng. Rëndësi ka që të ecim mirë deri në dhjetor. Pastaj, në janar do të shikojmë mundësitë që do të na jepen për ndonjë emër cilësor. Ky është një proces i hapur.

Cilin prej klubeve shikoni si rivalin më të fortë këtë sezon?

Nuk dua të përjashtoj asnjë skuadër. Shikoj një garë shumë të fortë dhe të gjitha ekipet duhen vlerësuar në maksimum. Me sinqeritet nuk mund të fokusohem tek asnjë emër i përveçëm

 

A mund të themi se ka një çështje “Vulaj” në skuadër…?

Unë nuk mund të ndërhyj në anën teknike. Këtë e shikon më mirë në stërvitje trajneri Josa, por unë si president di të them që Vulaj për ne është një blerje shumë e rëndësishme. Kemi luftuar për ta marrë te Vllaznia, por ana teknike, kondicioni fizik i tij apo skema, janë gjëra që nuk më takojnë mua, por trajnerit. Ka luajtur në dy nga katër ndeshjet e kampionatit, por ekipi do të ketë nevojë për të në një sezon të gjatë. Rëndësi ka që ai të jetë i gatshëm në çdo moment.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"