EKSKLUZIVE/ Humbi vetëdijen pas përfundimit të ndeshjes, mjeku sqaron problemin e futbollistit të Apolonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2021 | 8:45

EKSKLUZIVE/ Humbi vetëdijen pas përfundimit të ndeshjes, mjeku sqaron problemin e futbollistit të Apolonisë

Qendërmbrojtësi senegalez i Apolonisë, Ismailia Diop, ka shfaqur shqetësime shëndetësore fill pas përfundimit të ndeshjes Vllaznia – Apolonia.

Vllaznia-Apolonia

Situata është trajtuar menjëherë nga stafi mjekësor në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”, ku Diop ka marrë asistencën në dhomat e zhveshjes dhe gjithçka është normalizuar. Për të marrë detaje, si dhe një informacion më të qartë rreth gjendjes shëndetësore të qendërmbrojtësit Diop, “Panorama Sport” kontaktoi me mjekun e klubit Apolonia, Marko Mërtiri.

“Pas përfundimit të ndeshjes, teksa po futeshim në dhomat e zhveshjes, futbollisti Diop shfaqi disa probleme, spazma të diafragmës, të cilat në një moment i shkaktuan vështirësi në frymëmarrje dhe humbje të vetëdijes. I dhamë menjëherë ndihmën e parë në stadium dhe gjithçka shkoi mirë. Diop është mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm gjatë gjithë natës së të shtunës dhe gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar tërësisht, është me të gjithë parametrat normalë.

Futbollisti është shumë mirë dhe do të vazhdojë normalisht stërvitje me skuadrën qysh në seancën e parë”, u shpreh për “Panorama Sport” mjeku Marko Mërtiri. Pasditen e së shtunës, fierakët kanë udhëtuar pas ndeshjes për në Fier, por bllokimi i rrugës për shkak të dëborës, i ka detyruar që të rikthehen sërish pas dhe vetëm të dielën janë kthyer në shtëpi.

BUJAR RAMA –  PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

Panik në Shkodër, mbrojtësi i Apolonisë i alarmon të gjithë pas ndeshjes…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"