EKSKLUZIVE/ Hidi: Duhet shumë fat, ja kush është pika e fortë e Anorthosis

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 12, 2018 | 13:30

EKSKLUZIVE/ Hidi: Duhet shumë fat, ja kush është pika e fortë e Anorthosis

Isli Hidi ka një jetë në vendin ishullor. Ish-portieri i Kombëtares shqiptare ka luajtur në pesë skuadra të kampionatit qipriot, teksa për herë të parë shkeli në ishullin e Afërditës në vitin 2008. Në prag të ndeshjes AnorthosisLaçi, që luhet sot në orën 19:00, “Panorama Sport” kontaktoi me portierin tiranas, i cili aktualisht po pushon në kryeqytet, teksa njëkohësisht kryen edhe kursin e kualifikimit si trajner për licencën UEFA B.

isli hidi

“Anorthosis është një ekip me traditë në Qipro, edhe pse në vitet e fundit nuk ka qenë në nivelet e së kaluarës. Gjithsesi, mbetet një ekip solid dhe me lojtarë me shumë eksperiencë. Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për Laçin, sepse përveç ekipit solid që ka Anorthosis, kurbinasit duhet të përballen edhe me temperaturat e larta që janë aktualisht në Larnaka”, ka thënë fillimisht Hidi. I pyetur se sa mund të ndikojë fakti që stadiumi do të jetë me dyer të mbyllura, portieri u shpreh:

hidi

“Ky është një avantazh për Laçin, pasi tifozëria në përgjithësi atje është shumë e zjarrtë. Shpresoj të ndikojë pozitivisht në lojën e Laçit”. Më pas portieri që mbylli sezonin me Olimpiakos Nikosia tregoi pikat e forta të kundërshtarit të bardhezinjve. “Të them të drejtën, në sezonin e fundit pika më e fortë e Anorthosis ka qenë porta, pikërisht izraeliti Ariel Harush. Ky i fundit u shpall edhe portieri më i mirë i vitit, por që nuk është më tashmë pjesë e Anorthosis. Megjithatë, për mua lojtari që bën diferencën te qipriotët është numri 10. Bëhet fjalë për fantazistin Rajo, i cili është një lojtar mjaft cilësor. Duhet pasur shumë kujdes, pasi nga këmbët e tij kalon thuajse gjithçka në fazën ofensive të Anorthosis”, tregon Hidi. Në fund, portieri foli edhe për veten. “Aktualisht po pushoj, në pritje të ofertave. Kam disa kontakte me klube shqiptare, por ende diçka konkrete. Nuk dua të nxitohem, jam gati të vijoj në nivele të larta”, përfundoi portieri.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"