EKSKLUZIVE/ Hallaçi si trajner, Kukësi i ri në dorë të 3 ish-kapitenëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2021 | 11:13

EKSKLUZIVE/ Hallaçi si trajner, Kukësi i ri në dorë të 3 ish-kapitenëve

Kukësi është vënë në një kërkim të një tra jneri, pasi vetëm pas zyrtarizimit të tij mund të nisë edhe puna për formatimin e skuadrës së re. Synimet e Kukësit, edhe pas ndërtimit të stadiumit “Zeqir Ymeri”, janë që këtë sezon kampionati të shkojë në verilindje, ndaj duan të mendohen mirë për çdo lëvizje që po bëjnë. Mësohet se kjo është edhe arsyeja pse klubi nuk po nxitohet, si për sa i përket trajnerit ashtu edhe lojtarëve.

pjimage (1)

Sakaq, drejtori sportiv Pero Pejiç, i ftuar në “RTSH”, foli rreth trajnerit të ri, ku nëse do të ishte plotësisht në dorë të tij do të preferonte një të huaj, për faktin se mund të sjellë më shumë disiplinë në skuadër. “Unë preferoj të huaj, pasi nëse vjen një i tillë, unë mendoj se ka më shumë disiplinë. Për momentin nuk jam gati ta marr skuadrën si trajner, por pas dy vitesh ndoshta ka shanse”, u shpreh Pejiç, i cili u rikthye në Kukës sërish, kësaj here jo më si një futbollist që bëri historinë, por si një drejtues që kërkon të sjellë përsëri titullin në këtë klub.

PRAPASKENA PËR TRAJNERIN

Nëse Pejiç nga njëri krah preferon më shumë një trajner të huaj, në klub ekziston një grup i fortë që kërkon ta ndërtojë skuadrën me ishlojtarë që kanë kontribuar me këtë ekip në të kaluarën, ku edhe kanë bërë historinë. Burimet e gazetës pohojnë se po mendohet seriozisht që drejtimi i skuadrës t’i besohet Rraman Hallaçit, i cili aktualisht është trajner i ekipit të 21-vjeçarëve. Ish-kapiteni gëzon respekt dhe ka një reputacion të mirë jo vetëm te drejtuesit, por edhe te tifozët, si dhe e drejtoi për disa ndeshje Kukësin pas dorëheqjes së Skënder Gegës dhe la mbresa të mira, sidomos sa i përket harmonisë së skuadrës.

Mësohet se grupimi pro besimit të ish-ëve në këtë klub kërkon që pasues i Hallaçit të jetë një tjetër ishkapiten, Ylli Shameti, i cili mund të bëjë shumë mirë ndihmësin e tij dhe së bashku mund ta rikthejnë Kukësin drejt titullit të dytë kampion të historisë. Së bashku me Pejiçin, do të bëheshin tre ish-ët më të rëndësishëm të historisë së kësaj skuadre, të cilët me “bekimin” e presidencës mund të bënin gjëra të mira së bashku. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin ngjarjet, por nëse nuk arrihet afrimi i një trajneri të huaj, me shumë gjasa Hallaçi-Shameti-Pejiç do të jenë treshja që do të drejtojnë skuadrën për këtë sezon të ri futbollistik.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"