EKSKLUZIVE/ “Halili nuk e do Tiranën”, legjenda Omuri: Drejtuesit të ikin, 10 vite pa titull janë shumë. Rrezikojnë rënien

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2019 | 21:36

EKSKLUZIVE/ “Halili nuk e do Tiranën”, legjenda Omuri: Drejtuesit të ikin, 10 vite pa titull janë shumë. Rrezikojnë rënien

Tetë trofe të fituar me Tiranën (4 tituj dhe 4 kupa) në harkun e rreth 12 viteve janë histori. Mirëpo, kur një ish-lojtar i tillë e sheh Tiranën që e ka kaluar një dekadë pa fituar asgjë, nuk mundet tjetër veçse ta shohë dramatike situatën e krijuar te 24 herë kampionët.

bedri omuri

Legjenda e Tiranës, Bedri Omuri, në një bisedë për “Panorama Sport” është i drejtpërdrejtë dhe i ashpër me mënyrën si është drejtuar klubi së fundmi. “Mua më dhemb, atij mbase jo. Por, është shumë të drejtosh Tiranën dhe për dhjetë vite të mos fitosh titullin”, shprehet ndër të tjera ish-mesfushori i 17 Nëntorit.

Zoti Omuri, Ze Maria, Ardian Mema dhe Julian Ahmataj janë tre trajnerët, të cilët largohen duke thënë thuajse të njëjtën gjë: Te Tirana nuk e lënë trajnerin të punojë. Si e shihni nga jashtë këtë situatë?

Të them të drejtën, unë kam kohë që jam shkëputur nga ai klub. Ka rreth dy apo tri vite që nuk jam më pranë tij. Ndaj, specifikisht nuk di të them se kush e ka fajin. Në rregull, dihet që Tirana po vuan prej kaq e kaq vitesh. Që aty është diçka madhore, as që diskutohet. Kryesorja është që në kaq shumë kohë, Tirana nuk po del kampion. Kjo është e keqja e parë dhe më e madhe. E në këtë situatë, po jua bëj unë një pyetje: Kush e ka fajin që për gati një dekadë, Tirana nuk del kampion?

tirana

Profesor, konsiderojeni si pyetje këtë që sapo shtruat dhe çfarë përgjigjeje do t’i jepnit, për vetë njohjen dhe kontributin që keni te ky klub?

Është një drejtim shumë i dobët i Tiranës. Me njerëz jokompetentë dhe ndoshta edhe me njerëz që nuk janë të profesioneve që bëjnë aty. Ndoshta-ndoshta, është edhe me vetëdashje. Nuk e di.

Çfarë doni të thoni me këtë, vetëdashje e kujt dhe për çfarë?

Patjetër që e them dhe merret vesh se nga kush. Drejtuesit! Është kryesorja, se nuk ka mundësi ndryshe.

E njihni Tiranën, fizionominë, historinë e gjithçka rreth klubit. Cila mund të jetë zgjidhja për këtë situatë?

Zgjidhja do të jetë që të heqë drejtuesit. Normalisht nuk shoh zgjidhje tjetër. Nuk është problem trajneri, pasi edhe 100 të ndërrojë, po kjo situatë është.

Përmendët disa herë drejtuesit. Deri ku shkon kritika juaj, duke ditur që maja e drejtimit është presidenti?

Presidenti po harxhon lekët e veta, por, me sa duket, nuk e dashka Tiranën.

Pse e thoni këtë?

Sepse nuk ka mundësi që ta drejtojë kaq vite e të mos fitojë një titull. Të mos dalësh një herë kampion me Tiranën në të paktën dhjetë vite është diçka që nuk shkon.

Si e shikoni edhe ecurinë sportive të skuadrës, referuar këtij objektivi që edhe ju e përmendni, pra titullit?

Pavarësisht dëshirës që kemi për të dalë kampion, me këtë ekip që ka Tirana këtë vit, ka rrezik që sërish për “playoff” do të luajë, me sa shoh.

Sipas jush, edhe skuadra dhe organika e lojtarëve nuk është e duhura?

Për mua, jo. Është ndërtuar keq. Ka shumë gjëra që nuk shkojnë, nisur që me mbrojtjen. Tirana bën gola dhe pëson aq shumë gola, sa nuk ka mundësi. Aq sa nuk i ka pësuar ndonjëherë në histori të vet, besoj.

Në sezonin që kulmon me 100-vjetorin, nuk paskeni optimizëm dhe duket sikur parashikoni të mos ketë festë me titull?

Nuk besoj se ka festë. Më vjen vërtet keq. Madje, më dhemb vetë në radhë të parë, se ndoshta presidentit nuk i dhemb. Mua më dhemb më tepër se atij.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"