EKSKLUZIVE/ “Halili donte të më nxirrte nga formacioni, Agustin Kola s’pranoi”, Patushi: Tirana për titull, por nuk ka… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2020 | 23:02

EKSKLUZIVE/ “Halili donte të më nxirrte nga formacioni, Agustin Kola s’pranoi”, Patushi: Tirana për titull, por nuk ka… (E PLOTË)

Saimir Patushi men don se do të jetë një luftë treshe për titullin kampion. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-kampioni i shumëfishtë me bardheblutë analizon gjendjen e ekipit kryeqytetas. Thotë se merkatoja e janarit nuk u ofron asgjë klubeve, ndërkohë që pranon historinë e famshme mes Halilit dhe Kolës në dhomat e zhveshjes. Po kështu, veçon Muçin si djalë me të ardhme, por këshilla e tij është që të mos “fluturojë para kohe”.


saimir patushi

Si ju duket koha e merkatos për skuadrat shqiptare dhe si e keni parë kampionatin në dy fazat e para të tij?

Kjo kohë merkatoje, për mendimin tim, nuk është se jep ndonjë shpresë për ekipet që duan të dalin kampion. Këtë e them nga eksperienca ime kur luaja. Mbaj mend që rrallëherë për skuadrat mund të ketë ardhur ndonjë blerje e goditur. Vera është periudha që mund të sjellë lojtarë cilësorë. Tani mund të afrohen lojtarë të cilët më parë kanë qenë të dëmtuar. Nuk është se janë ndonjë prurje e mirë për ekipet pretendente për të dalë kampion, si Tirana, Kukësi, Partizani apo ndonjë tjetër.

Si e shihni në veçanti ekipin e Tiranës? Skuadra bardheblu ka nevojë për lojtarë të tjerë në skuadër?

Që të dalësh kampion duhet të kesh një grup shumë të mirë, lojtarë shumë të mirë. Unë besoj se Tirana nuk e ka atë grup. Nuk besoj se Tirana apo edhe skuadrat e tjera mund të bëjnë afrime cilësore që të bëjnë diferencën.

Cili lojtar ju ka surprizuar këto dy fazat e para të kampionatit shqiptar apo ju ka lënë një shije të mirë?

Të them të vërtetën nuk është se më ka lënë shije të mirë ndonjë futbollist. Nuk ka ndonjë element cilësor. Është Muçi i Tiranës, që u pa dy ndeshjet e fundit. Do Zoti është me këmbë në tokë dhe jo nga ata që fluturojnë shpejt. Uroj të jetë me këmbë në tokë. Nëse punon shumë, mund të jetë surpriza e kampionatit, por gjithmonë duke ia lënë kohës.Patushi Sajmir

Cili nga lojtarët në qarkullim i ngjason Patushit kur luante në kampionat?

Nuk mund të jap një lojtar si Patushi. Çdo njeri ka eksperiencën e tij, veçoritë e tij dhe nuk mund të krahasohem me lojtarë të tjerë. Uroj që Tirana të gjejë një lojtar si unë. Një që luan në pozicionin tim, duhet që të japë maksimumin, pse jo, ta ndihmojë për titullin kampion që mungon prej shumë vitesh te bardheblutë. Për më tepër që është një 100-vjetor dhe trofeu duhet medoemos. E pranoj, gjithsesi, se janë kohëra të ndryshme. Është futboll ndryshe dhe shumë gjëra apo lojtarë nuk përputhen me karakterin tim sportiv.

Përse futbolli juaj ishte i ndryshëm nga futbolli i sotëm? Shumë thonë që luanit më mirë…

Në radhë të parë, futbolli i sotëm ka shumë gjëra që në kohën tonë nuk ishin. Ndryshimi më i madh është te karakteri i individit. Për të ngritur një skuadër kampione, duhet të gjesh njerëzit e duhur, karakteret e duhura që të përshtaten me filozofinë e skuadrës. Dhe kjo është e veçantë për Tiranën, sepse atë skuadër e njoh shumë mirë. Në atë vend kam luajtur gati 11 vite dhe për atë skuadër duhen karaktere të forta. Duhet të jenë drejtuesit që të gjejnë lojtarët e duhur për skuadrën, sidomos Tiranën.

Do të them diçka: Tani lojtarët stërviten në luks, ne në baltë. Dhe të mos marrësh tani rezultate apo të fitosh nuk ka ku të shkojë. Ishim lojtarë të sakrificës dhe nuk trembeshim edhe kur ishte futboll i fortë. Ama kur vinte 90- minutëshi nuk kishim nevojë as për trajner dhe drejtues. Thjesht merrnim fitoren. Drejtuesit kishin fatin që të merrnin më shumë se 100-përqindëshin tonë. Këtë gjë lojtarët e tanishëm nuk e kanë. Janë karakter shumë i dobët.

Cili është trajneri më i mirë që keni pasur në karrierë?

Nuk është një, por dy, edhe pse kam kaluar jashtëzakonisht trajnerë. I pari është Aurel Veria, ndërsa i dyti është Fatmir Frashëri. Ky i fundit zotëri burrë, njeri i jashtëzakonshëm. I vetmi që thoshte dhe ishte me lojtarët. E di si u thoshte drejtuesve: “Unë jam me lojtarët”. Këta dy emra janë trajnerët që kanë shenjë në karrierën time.

Cila është skuadra favorite për titullin kampion?

Pothuajse të gjitha skuadrat janë në një hap. Është luftë e barabartë. Nëse do të vazhdojë kështu, është shumë mirë për kampionatin. Janë tri ekipe, si Tirana, Kukësi e Partizan,i në një linjë, Teuta është aty, ndërsa Bylisi është surpriza e kampionatit. Nëse vazhdon me këtë ritëm edhe dy fazat e tjera, do të jetë problematike për skuadrat që duan të dalin kampione.

Keni një fjalë për Flamurtarin apo Luftëtarin në fund të renditjes?

Është fatkeqësi të dëgjosh që Flamurtari po bie nga kategoria. Vit pas viti është tragjedi. Tirana, Partizani, Vllaznia, tani Flamurtari e Luftëtari. Nuk e di se si do të zgjidhen këto problematika, por të shohësh Flamurtarin, Tiranën, Vllazninë që bien është humbje e madhe e futbollit shqiptar. Është fatkeqësia e futbollit shqiptar. Është për të vënë kujën. Nuk e di kush do të ndërhyjë, me financa apo me ligj. Është e thjeshtë që të thuash: “Nuk u bë nami që ra Flamurtari”. Për mua është fatkeqësi. Nuk e konceptoj dot që një qytet si Vlora me breza të mëdhenj futbollistësh të jetë pa futboll.

kola

Agustin Kola pak ditë më parë tha se kur drejtonte Tiranën, pati presion nga presidenti Halili që të hiqte Patushin nga titullar e të aktivizohej Sefa. Është e vërtetë kjo gjë?

E mbaj mend shumë mirë. Ka ndodhur pas një pjese të parë të dobët nga gjithë ekipi. E veçanta jonë ishte që nuk dorëzoheshim dhe Agustini e tregonte dhe e përcillte te ne. Ne i sheshonim gjërat në fushë. Presidenti Halili, edhe pse nxitohej, pastaj bëhej pishman. Me sa di unë për rastin tim, ka kërkuar falje tek Agustini dhe i ka thënë: “Të përgëzoj për këtë gjë”, sepse trajneri nuk pranoi urdhrin e Halilit.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"