EKSKLUZIVE/ “Guardiola më frymëzon”, rrëfehet Ilir Daja: Korçës ia kisha “borxh”, Partizanin e ndalim si Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2019 | 23:04

EKSKLUZIVE/ “Guardiola më frymëzon”, rrëfehet Ilir Daja: Korçës ia kisha “borxh”, Partizanin e ndalim si Kukësin

Titull kampion me Elbasanin, më pas me Dinamon dhe dy sezone të mrekullueshme te Skënderbeu, ku jo vetëm fitoi kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë, por theu një rekord, pasi arriti të kalojë katër ture në Ligën e Europës, si askush më parë, duke futur për herë të dytë në fazën e grupeve korçarët.

iLIR DAJA

Ilir Daja mbushi të dielën 53 vjeç dhe pasi festoi me miqtë e tij më të ngushtë, pranoi të fliste ekskluzivisht për “Panorama Sport”, në një intervistë ndryshe, nga ëndrrat që ka, te trajnerët që e frymëzojnë dhe deri tek oferta e Shkëndijës së Tetovës.

Si është të jesh 53 vjeç?

Një jetë e tërë e kaluar në sport. Edhe po të kisha mundësi ta ndryshoja, do të bëja të njëjtën gjë, pasi është një profesion që e kam marrë që në moshën 10-vjeçare dhe sot e kësaj dite nuk jam shkëputur. Vazhdoj prej 25 vitesh trajnim me suksese e vështirësi, por i shpërblyer me rezultate dhe arritje të mira.

daja

Cila ka qenë ëndrra juaj përpara se të bëheshit trajner dhe ndiheni i plotësuar tashmë?

Të them të drejtën, duke qenë se jam lidhur me sportin, investimi në këtë fushë ka qenë mjaft i madh për mua. Në këtë linjë, nuk e kam menduar se mund të jetoja pa futbollin. Mund të them se një ëndërr e realizuar shumë pak ka qenë karriera si futbollist, e cila u mbyll më shpejt nga sa e kisha menduar për shkak të dëmtimeve të shumta në gju.

Cili është pengu më i madh që keni dhe diçka që nëse do të ktheheshit pas në kohë do ta bënit më mirë?

Nuk kam shumë pengje, pasi gjithmonë me çdo ekip duke filluar nga moshat e vogla kam marrë kënaqësi. Peng, nëse mund të quhet i tillë, mbetet mosvijimësia e ciklit të suksesshëm me Skënderbeun për ta provuar në nivelin më të lartë. Pavarësisht se për aq sa kemi arritur mund të them pa më të voglin dyshim se mbetet arritje historike në futbollin shqiptar.

Kush ka qenë presidenti më problematik që keni bashkëpunuar?

Unë kam pasur një marrëdhënie goxha të mirë me presidentët. Kemi anë jo të mira edhe ne trajnerët, por kur bashkëpunimi është korrekt, veçanërisht kur secili mbulon pjesën që i takon, kur nuk ka pasur ndërhyrje në atë pjesë që më takon mua, bashkëpunimi përfundon me sukses. Nganjëherë vetë ne trajnerët në marrëdhënien e punës kemi “fajin” tonë. Për këtë arsye nuk mund të përmend asnjë emër.

ilir daja

Po arbitri që gjithnjë keni pasur probleme?

Të them të drejtën, pavarësisht gjithçkaje, nuk kam pasur një marrëdhënie të mirë me arbitrat. Kjo ndodh edhe tani pasi edhe eksperienca nuk më ka zbutur. Nuk është se kam pasur marrëdhënie të mira me arbitrat. Nuk po përmend emra, pasi janë disa. Problemi është hasur gjithmonë me ata arbitra që nuk ndëshkonin lojën e rëndë. Trajneri vihet në vështirësi në të tilla raste se nuk ka çfarë t’i thotë lojtarit. Problem ka qenë dhuna që tani është ulur.

Cili trajner ju frymëzon në futbollin botëror?

Me periudha të ndryshme kam pasur frymëzim nga disa. Gjatë gjithë kohës kam dashur të jem vetvetja. Guardiola ka qenë gjithmonë një frymëzim për mua, por Klopin e pëlqej për stilin agresiv që përdor për të shkuar te porta.

ilir daja

Skuadra më e mirë që keni drejtuar si trajner?

Kam pasur disa skuadra me të cilat kam fituar shumë, por do të veçoja këtu Skënderbeun e para dy sezoneve. Me një ekip fantastik arritëm të fitonim gjithçka që ishte për t’u fituar në Shqipëri dhe më pas kaluam katër ture në eliminatoret e Kupave të Europës për të shkuar në grupe ku nuk humbëm asnjë ndeshje në fushën tonë dhe i shkuam pranë kualifikimit në fazën pasardhëse.

Jeni gati për të marrë drejtimin e Kombëtares dhe a e ndieni se mund t’ju bëhet një ofertë nga FSHF në të ardhmen?

Në fakt, para një jave, e kam theksuar në një intervistë, por ka qenë në kontekstin e pyetjes që më është bërë. Jam i gatshëm siç mund të jenë edhe kolegë të tjerë. Kombëtarja po bën mirë, duke marrë rezultate mjaft pozitive. Le ta lëmë trajnerin të jetë i qetë dhe të punojë ashtu siç di ai për ta çuar lart këtë ekip që na përfaqëson të gjithëve.

Ilir Daja

Çfarë përgjigjeje do u jepnit atyre që mendojnë se Daja i është futur një aventure në këtë rikthim në Korçë?

I kam pasur qejf aventurat, por rikthimi në Korçë ishte një “borxh” që ia kisha këtij qyteti, pavarësisht se mbylla kontratën dhe kërkova motiv tjetër. Doja që edhe në këtë moment goxha të vështirë të isha prapë këtu, pasi të ofron kushte për të punuar i qetë dhe të marrësh maksimumin nga puna që bën.

Është e vërtetë që keni refuzuar Shkëndijën e Tetovës?

Dua të jem i vërtetë, pavarësisht se Shkëndija e ka trajnerin tani. Në momentin që Shkëndija largoi trajnerin, kam pasur ofertë, gjë që më ka bërë të hyj në bisedime. Por, duke parë se kisha një kontratë me Skënderbeun, marrëveshja ishte e vështirë.

Një fitore ndaj Partizanit do të ishte dhurata më e bukur që mund të merrnit nga ekipi për ditëlindjen e 53-të?

Në fakt, urimet nuk bëhen para, por të nesërmen e ndeshjes me Kukësin u kam thënë lojtarëve për atë ndeshje të bërë me Kukësin që ishte dhurata më e bukur që mund të më bënin. Kampionati është lojë e 36 javëve. Do doja ta përsërisim më shpesh një lojë të tillë, pavarësisht se cili do të jetë kundërshtari ynë në javët e ardhshme.

Në kushtet ku është Skënderbeu, çfarë ju motivon të drejtoni një ekip të dënuar dhe që nuk e di të ardhmen?

Politikat në Shqipëri janë pragmatiste. As futbolli nuk bën përjashtim. Por, më motivon pjesa që e dashuroj profesionin dhe e bëj punën në një infrastrukturë mjaft të mirë dhe në një qytet që ta bën më të lehtë këtë dënim që kemi mbi supe.

Kush ka qenë lojtari që e keni pasur pikë të dobët dhe shpesh keni debatuar?

Debatin unë e kam pikë të fortë të punës, por sigurisht në seancat teorike dhe gjithmonë i bazuar mbi argumente. Dua që lojtarët të jenë të ndërgjegjshëm për veprimet që bëjnë. Nuk kam pasur debate jashtë normave me lojtarët, sepse edhe ata e dinë që në momentin kur nuk të kërkoj llogari kaq janë mundësitë ose je jashtë fokusit. Të drejtosh ekipe që ke marrë rezultate, tregon se ke pasur shumë lojtarë të mirë. Po përmend kapitenët në ato ekipe ku unë kam korrur suksese si trajner. Po veçoj Deden, Pishën dhe Shehin edhe pse e di se ka shumë lojtarë që mund t’u “ngelet” qejfi.

 

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"