EKSKLUZIVE/ Grushtet në Kamzë, trajneri i Elbasanit: Eni Llazani gënjen për racizmin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2021 | 8:42

EKSKLUZIVE/ Grushtet në Kamzë, trajneri i Elbasanit: Eni Llazani gënjen për racizmin

Trajneri i Elbasanit në basketboll për meshkuj, Banush Sinani, reagon ndaj akuzave të hedhura nga kolegu i tij i Kamzës, Eni Llazani, i cili pretendon se ka qenë ekipi i Elbasanit ai që ka provokuar sherrin duke bërë fyerje raciste ndaj kundërshtarit.

ELBASANI BASKET

“E mohoj kategorikisht që dikush nga ne të ketë përdorur shprehje raciste ndaj lojtarëve të Kamzës. Mund të them që trajneri Llazani gënjen për çdo fjalë që thotë. Sherri nisi nga stoli i Kamzës, pasi ne ishim aty gjatë një aksioni dhe ishim duke luajtur ndeshjen. Ne ishim duke luajtur në fushë, ndërsa vjen lojtari i Kamzës dhe godet”, shprehet Sinani, tekniku elbasanas. Tekniku elbasanas i kthen përgjigje Llazanit edhe sa i përket ndeshjes që Kamza zhvilloi në Elbasan. “Në Elbasan ndeshjen nuk e fillonte Llazani dhe në minutat e fundit të nxehjes komunikon me miqtë e tij, komisarin e ndeshjes dhe arbitrat, për të ndërruar fanellat Elbasani.

Janë detyruar të ikin lojtarët nëpër shtëpi për t’i marrë uniformat. Sa i përket ndeshjes më pas, ajo vazhdoi shumë fortë dhe sa herë kalonte Elbasani në avantazh, komisari i ndeshjes ndalonte lojën pa arsye. Po, është e vërtetë që ndeshja në Elbasan shkoi katër orë, por mund të shkonte edhe më tepër, derisa ta fitonte ekipi i Kamzës ndeshjen. Ndeshja në Elbasan nuk mbaronte deri sa të fitonte Kamza me patjetër. Në lidhje me gabimet teknike që ekipi i Kamzës nuk merr, është më se normale, pasi arbitrat kanë presionin e të atit, i cili është edhe sekretar i përgjithshëm i federatës.

Sa për inate kundrejt federatës nuk ka lidhje asgjë nga ajo që thotë Llazani, por ne jemi kundër veprimeve të njëanshme të urdhëruara nga federata”, vijoi më tej Sinani. Në fund, tekniku elbasanas ka edhe një pyetje për Eni Llazanin, i cili, ndoshta, nuk është kompetenti për të dhënë një përgjigje, pasi u takon zyrtarëve të ndeshjes.

“Mund të më thoni pse lojtari ynë Ramis Uruçi, u lejua të luante tri ndeshjet e kaluara për shkak të një dënimi në Kupë dhe në ndeshjen me Kamzën na doli që nuk duhej të luante?!”, e mbylli reagimin e tij për gazetën tekniku elbasanas, duke hedhur poshtë ato që deklaroi një ditë më parë tekniku i Kamzës, Eni Llazani.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE/ Grushte në Kamzë, lojtari i Elbasanit bie pa ndjenja

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"