EKSKLUZIVE/ Grent Halili: Pasi të mundim virusin festojmë titullin, tani po bëj edhe çiklistin për të qenë në formë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Mars 28, 2020 | 18:17


EKSKLUZIVE/ Grent Halili: Pasi të mundim virusin festojmë titullin, tani po bëj edhe çiklistin për të qenë në formë

Grent Halili është një nga ata lojtarë, që këtë sezon ka vënë jo pak gurë drejt titullit kampion. Me disa gola të shënuar që kanë vlejtur tre pikë, por edhe paraqitjet e tij, ai gjithmonë ka dhënë shumë për skuadrën.

grent halili

Në këtë situatë të vështirë, ku ekipi është izoluar në shtëpi, sulmuesi tregon momentin e pazakontë që po kalon së bashku me familjen dhe skuadrën. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Halili thotë se paçka sportit, të gjithë bashkë do të mundim Koronavirusin.

Grent si po shkon izolimi këto ditë të papara ndonjëherë nga të gjithë ne?

Izolimi është një situatë e pazakontë, në të cilën ndodhemi. Dihet që është diçka e vështirë për ne sportistët të qëndrojm në shtëpi për kaq gjatë, pasi jemi mësuar me aktivitete sportive. Por gjatë kësaj kohe është e rëndësishme të jemi sa më pranë familjarëve tanë.

Sa e vështirë është për një sportist të qëndrojë i mbyllur mes katër mureve?

Eshtë më e vështirë të qëndrosh pa futboll, sesa pa dalë. Nëse do që t’i bësh keq dikujt s’është thjesht t’i heqësh lirinë, por më shumë t’i presesh hovin dhe dëshirat aq më tepër ëndrrat dhe pasionin. Pra, po pres të më shuhet uria për futbollin e bukur të luajtur në stadium, mbi fushën e blertë, pasi për mua ajo është liria vërtetë.

Me stërvitjen në kushtet e shtëpisë si po shkon…

Kam respektuar oraret e vendosura nga qeveria me përpikmëri. Kam vrapuar përgjatë orareve të lejuara si edhe jam stërvitur në komplekset tona sportive të disinfektuara sistematikisht, me jo më shumë se tre futbollistë të tjerë. Jam munduar të bëj edhe pak çiklistin në këto kohë. Kryesisht jam ushtruar në ambientet e shtëpisë, duke ndjekur një program individual, të cilin na e ka shpërndarë klubi.

Do të luhet me shumë mundësi në verë. Përbën problem për sportin?

Nuk më mbetet gjë tjetër, veçse të uroj që kjo gjendje të përfundojë sa më shpejt, pasi po e kërkojmë me ngulm normalitetin. Pasi të mundim Koronavirusin kam përshtypjen se mund të mundim edhe lodhjen e një kampionati të zhvilluar në muajt e nxehtë të verës.

Edhe pse nuk e ka fituar matematikisht, Tirana është shumë pranë titullit. Ka nga ata që mendojnë për play-off, ndërsa të tjerë duan që kampionatin ta marrë skuadra bardheblu. Ju si mendoni?

Unë besoj në drejtësi. Besoj se do të bëhet më e mira e mundshme për ecurinë e kampionatit shqiptar. Gjithsesi, do të preferoja të mos kishte kurrëfarë kontestimi ndaj do të pres me durim rinisjen e kampionatit.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com