EKSKLUZIVE/ “Granada është bombë”, Hasanbelliu beson te surpriza: Dikur Realin e eliminoi një ekip i vogël (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2020 | 21:16

EKSKLUZIVE/ “Granada është bombë”, Hasanbelliu beson te surpriza: Dikur Realin e eliminoi një ekip i vogël (E PLOTË)

Në raundin e dytë të Ligës së Europës, Teuta do të ndeshet me spanjollët e Granadës, skuadra surprizë e sezonit të kaluar në La Liga. Ndeshja me Teutën në “Niko Dovana” do të jetë historike për Granadën, që merr pjesë për herë të parë në Kupat e Europës.

teuta-5

Kuptohet që ajo ka një buxhet shumë herë më të madh se durrsakët dhe diferencat janë të mëdha. Mjafton fakti që bëhet fjalë për një skuadër të një prej kampionateve më të forta në botë, siç është ai spanjoll. Nuk është një pjesëmarrje e rastësishme kjo e Granadës në Ligën e Europës, spanjollët vijnë pas një sezoni shumë të mirë, të mbyllur në vend të shtatë, me pikë të barabarta me Real Sociedadin e vendit të 6-të, duke lënë pas skuadra me shumë emër si Valencia, Atletiko Bilbao, Betis etj.

Teuta

Patjetër që meritë të veçantë për këtë arritje ka trajneri Diego Martinez. Në historinë e saj 89-vjeçare, skuadra e Granadës është shpallur tri herë kampione e Segunda Divizion (kategoria e dytë), ndërsa në La Liga nuk ka lënë gjurmë.

SOLDADO-GONALON – Granada financohet nga një pronar kinez, Jiang Lizhang. Skuadra përbëhet kryesisht nga futbollistë vendës, por ka edhe disa të huaj. Gjatë kampionatit të fundit me fanellën e saj kanë luajtur edhe emra mjaft të njohur të futbollit europian, me në krye ish-sulmuesin e Realit Madridit dhe Mançester Sitit, Roberto Soldado, tashmë 35 vjeç. Një tjetër emër i njohur te spanjollët është mesfushori francez, Maksim Gonalon, për shumë vite pjesë e Lionit dhe një vit me Romën në Serinë A. Sulmuesi venezuelas Darvin Daniel Makis është një nga ata që spikatën sezonin e fundit, ku 27-vjeçari shënoi 7 gola.

Një sezon mjaft të mirë bëri edhe veterani Antonio Puertas, edhe ai autor i 7 golave. Paraqitja shumë e mirë e kësaj skuadre në sezonin e fundit ka bërë që shumë nga titullarët e saj të kërkohen nga klube më të mëdha në Spanjë. Për Teutën do të jetë shumë e vështirë, por në një ndeshje teke gjithçka mund të ndodhë.

HASANBELLIU – Momenti i artë që po kalon Teuta e bën entuziast edhe presidentin e saj, Edmond Hasanbelliun. Ai nuk e ka fshehur entuziazmin pas fitimit të Superkupës së Shqipërisë në “Elbasan Arena”, ndërsa shortin e Ligës së Europës e ka komentuar me nota humori.
HASANBELLIU
“Është kënaqësi të fitosh trofe. Lojtarët kanë dhënë maksimumin, njësoj siç bënë edhe në finalen e Kupës së Shqipërisë po ndaj Tiranës. E merituan gjithçka me atë që bënë në fushë”, ka theksuar fillimisht numri 1 i klubit durrsak pas ndeshjes së mbrëmshme në Elbasan.
Granada-CF-Twitter_571_855
“Granada? Ajo është bombë, nuk quhet granadë (qesh). Është bombë për ne ky short. Në fakt, nuk e prisnim. Shorti ishte i vështirë, por do të bëjmë maksimumin. Kemi një skuadër të fortë dhe do të tentojmë të bëjmë gjithçka që mundemi. Patjetër që do të preferoja një kundërshtar më të lehtë se ky që na ra. Të gjitha skuadrat janë të forta, në këtë nivel, por kjo që na ra ne është super e fortë. Është skuadër spanjolle dhe kur pamë që ka mundur edhe Barcelonën, na ka trembur shumë. Gjithsesi, çunat do të japin maksimumin, duke qenë se nuk kanë çfarë të humbin në këtë ndeshje. E kujtoj njëherë Realin e Madridit që luajti në Kupë dhe u eliminua nga një skuadër e vogël. Ne do ta provojmë dhe do ta luajmë atë ndeshje”, tha presidenti i Teutës për “Panorama Sport”.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"