EKSKLUZIVE/ “Goteborgu nuk na çorientoi as me filmat porno”, Memushaj: U mërzitëm kur Lutaj dhe dy lojtarë të tjerë qëndruan në Suedi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2020 | 0:16

EKSKLUZIVE/ “Goteborgu nuk na çorientoi as me filmat porno”, Memushaj: U mërzitëm kur Lutaj dhe dy lojtarë të tjerë qëndruan në Suedi

Eqerem Memushit ia ka “ngacmuar” memorien rrëfimi i Edmond Lutajt për bëmat suedeze. Ish-mbrojtësi i Flamurtarit tregon se nuk ranë “pre” e provokimeve të Goteborgut dhe në një kohë që hanin darkën, shihnin edhe filma erotikë. E megjithatë, kjo është vetëm një pjesë e të pathënave nga ajo aventurë.

Memushi

Është vetë 55-vjeçari i cili në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” kujton kohën kur fshihnin shishet “CocaCola” për t’i sjellë si dhurata në Shqipëri dhe pas dy ditësh u zbuluan nga kryekamerierja e hotelit ku ishin akomoduar. Ish-trajneri i vlonjatëve, sot “timonier” i Orikumit, vlerëson edhe një gjest shumë të Olimpiakosit që pas ndeshjes me Flamurtarin, lojtarët u falën këpucë e rroba.

Memushi, mbani mend nga karriera juaj si lojtar dhe trajner të jetë ndërprerë kaq gjatë kampionati për shkak të një force madhore apo pandemie?

Jo, jo. Është për herë të parë. Nuk ka bërë ndonjëherë vaki. Si në të gjithë botën e futbollit edhe në Shqipëri ndodh për herë të parë.

Në mars të vitit 1997, nuk ra asnjë ekip, edhe pse rinisi sezoni. Çfarë kujtoni nga ai kampionat në kohë lufte?

Kujtimet i kemi të gjithë bashkë. Kujtojmë që Flamurtari e meritonte që të dilte kampion, pavarësisht formulës që nuk u ndoq mirë. Problem ishte se ai kampionat u mbyll në mënyrë emergjente, me “play off”, që u bë në Tiranë. Ndaj, dhe nuk kishte rënie nga kategoria për mendimin tim, pasi nuk mund të binin në bazë të situatës. Kjo situatë aktuale është krejt ndryshe nga ajo situatë që u krijua në vitin 1997.

Mos duhet të veprojë njësoj FSHF-ja edhe në këtë kohë pandemie?

Lajmi i mirë erdhi. Dje (pardje), Ministria e Shëndetësisë mori në konsideratë kërkesën e FSHF-së dhe të paktën do të ulen dhe të flasin. Mendoj që do të jemi pranë rifillimit të sezonit. Skuadrat do të futen në garë aty ku e lanë dhe pasi të zhvillohen javët që kanë mbetur, do të ndahen edhe pozicionet, kush do të shkojë në Kupat e Europës, kush do të zbresë dhe kush do të ngjitet nga Kategoria e Parë apo nga Kategoria e Dytë. Mendoj se do të zhvillohet normalisht, nëse do të rifillojë.
ilir daja1
Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka thënë se nuk mund të vazhdohet në këto kushte kur lojtarët kanë dy muaj pa stërvitje. Sipas tij, duhet të nisë kampionati në shtator dhe të shtohet numri i ekipeve. Si ju duket kjo ide?

Secili ka mendimin e tij. Nuk është ide e keqe e kolegut Ilir Daja. Kemi shumë skuadra dhe qytete të mëdha që kanë qenë në elitën e futbollit shqiptar që i kanë dhënë tonin futbollit dhe ato e meritojnë që të jenë në vëmendjen e futbollit në përgjithësi. T’u jepet një shans që ta rifillojnë edhe një herë këtë garë, siç thotë Daja, dhe pastaj në fund të sezonit të pranojnë atë që do të japin në fushë. Mirë se të vijë ky mendim i Dajës, por varet se kush e dëgjon.

Ju bën përshtypje që qeveria nuk e ka mbështetur deri më tani sportin?

Pa diskutim që na bën përshtypje kjo gjë, jo vetëm mua, por të gjithëve. Me qëndrimin që po mban qeveria, po kuptojmë që nuk e ka mendjen nga sporti. Dhe me këtë politikë, i bie që gjithçka do të nisë nga e para dhe vështirësitë financiare do të jenë të mëdha. E megjithatë, nuk duhet harruar fakti që deri në këto momente është vetë qeveria ajo që ka investuar në futboll. Mjafton të shohësh se sa klube janë nën administrimin e bashkive… dhe kjo është edhe njëfarë ndihme që qeveria i ka dhënë sportit. Edhe nuk mund të abuzojmë dhe të themi që qeveria nuk ka qenë pranë sportit, pasi në gjithë këto vite sportin e kanë mbajtur bashkitë.
flamurtari
Flamurtari është drejt rënies nga kategoria, si e shikoni të ardhmen?

Nëse do të jetë formula e re, do të kemi një Flamurtar krejt ndryshe. Por problem për Flamurtarin dhe gjithë futbollin në përgjithësi është privatizimi. Qeveria duhet të jetë shumë e qartë, pasi vajti një vit që kanë propozuar privatizimin dhe ligjin duhet ta çojnë deri në fund. Edhe qeveria këtu shkarkohet nëse e nxjerr këtë ligj. I jep mundësi privatit që të merret vetë pastaj me pjesën tjetër më të madhe që do futbolli, me infrastrukturë e me të gjitha. Këtu, duke marrë shkas edhe nga administratori Sinan Idrizi që ka edhe njëfarë të drejte që nëse nuk jam unë i zoti për ta privatizuar skuadrën, atëherë pse duhet t’i hedh unë këta lekë që nuk më njihen. Pasi ai ka hedhur lekë, pavarësisht situatës aktuale të rënduar që ka këto dy vitet e fundit që nuk ka pasur stabilitet.

Si po vazhdojnë përgatitjet me Orikumin?

Ne komunikojmë herë pas here me lojtarët. Po bëjnë stërvitje individuale dhe gjithmonë konsultohen me mua. Kemi menduar që sa më shpejt të dalë urdhri i qeverisë, ne të rifillojmë stërvitjen, duke plotësuar edhe kërkesat dhe detyrat që do të vendosë Ministria e Shëndetësisë.

Jemi në kohë karantine, na tregoni historinë më humoristike që keni përjetuar kur keni qenë pjesë aktive e futbollit?

Janë shumë. Do t’ju tregoj një histori shumë të bukur në Suedi. Vinte kamerieri që na shërbente neve lojtarëve me shishe “Cola” e “Fanta” apo ndonjë birrë e verë që merrte stafi. Jo të gjithë i konsumonim. Ato ishin me ambalazh, ndaj duhet të ktheheshin në fabrikë. Kamerierit i bëri përshtypje, por s’po ndihej. Iku dita e parë, erdhi e dyta… Dy pjesëtarë të delegacionit tonë i merrnin shishet me “Cola” siç ishin të pahapura, i çonin lart në dhomë për t’i marrë në Shqipëri, për dhurata.

lutaj

Ju zbuluan?

Ditën e parë e të dytë nuk thanë gjë. Ditën e dytë në darkë vjen kryekamerierja dhe thotë: “Ju lutem kam një pyetje: Kush flet anglisht?” Ishte Kreshniku, ai që flet dhe i thotë se ku qëndronte problemi. “Ore juve ‘Coca-Cola’-t dhe këto të tjerat i pini me gjithë shishe apo…?”, thotë kryekamerierja. Aty nisëm të qeshnim dhe ngacmonim njëri-tjetrin, “jo i kam unë e jo i ke ti”. Dua t’ju them edhe një kujtim tjetër të bukur. Pas ndeshjes me Olimpiakosin, lojtarët kundërshtarë bënë një gjest shumë të bukur me ne. Na futën në magazinë dhe na i falën të gjitha rrobat e tyre, këpucë futbolli e mjete për stërvitje. Kjo ndodhi në vitin 1990, kur kemi luajtur në Kupën e Kupave, Flamurtari-Olimpiakos.

Lutaj rrëfeu se para ndeshjes me Goteborgun në Suedi, ishit mbyllur në dhomë për të parë filma erotikë. Ju ishit pjesë e atij grupi?

Po, është e vërtetë historia që thotë Lutaj. Ne ishim të akomoduar në një hotel me 5 yje në atë kohë dhe ata në TV kishin edhe programacione të tilla për pushuesit. Duke kontrolluar kanalet, sikundër bëjnë të rinjtë, u ndal pikërisht aty. Mbaj mend kur kemi shkuar për të ngrënë bukë në restorant dhe të gjithë shikonin njëri-tjetrin dhe pyesnim: “Hë, e pe atë?” Një situatë që nuk shkaktonte humor dhe të qeshura.

fLAMURTARI2

Në fund të takimit, kujtoj një thënie të madhe të ndihmësmjekut tonë, Asllanit. Kur u fut në dhomat e zhveshjes ai tha: “Sado që Goteborgu na provokoi për të na dëmtuar me kanalet televizive që na vendosi, ne ia dolëm dhe nuk ramë pre”. Kështu që i bie që edhe Asllani i kishte parë vetë ata filma që ishte atëherë 60 e ca vjeç (qesh). Ndeshja e parë doli 0-0 dhe një rezultat shumë i shkëlqyer në Kupën e Kampioneve.

Edhe ju personalisht keni parë atë natë?
Po, patjetër. Lojtarët hanin bukë dhe e kishin mendjen te televizori (qesh). Ishin momente të bukura.
Lutaj
E mbani mend qëndrimin e Lutajt në Suedi që nuk u kthye më, si ishte?
Na iku një pjesë e shpirtit të skuadrës. Iku Edmond Lutaj, Gramoz Murataj dhe Bashkim Shaqiri. U prekëm shumë.

Ju personalisht ju shkoi në mendje të qëndronit në Suedi?
Ishte një mundësi e artë ajo. Por unë në ato momente kisha bashkëshorten shtatzënë dhe prisja fëmijën tim të parë që ka lindur në 27 tetor, vajzën. Isha në mëdyshje dhe më shumë vendosa për ta festuar edhe unë gëzimin tim të parë në Shqipëri e të mos ikja.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"