EKSKLUZIVE/ Gorea: Mjaft me arbitra që trukojnë basketbollin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2021 | 13:56

EKSKLUZIVE/ Gorea: Mjaft me arbitra që trukojnë basketbollin!

Rreth 10 ditë më parë, Arqile Gorea tronditi komunitetin e basketbollit me disa akuza të forta ndaj federatës dhe arbitrave. Presidenti i Teutës sulmoi hapur FSHB-në, duke u shprehur se kjo e fundit po ndërhyn në Ligën Unike, kompeticionin e përbashkët me skuadra nga Shqipëria dhe Kosova.

Gorea

Gorea kishte deklaruar se këto ndërhyrje e bëjnë të besojë se kanë lidhje me trukime dhe manipulime të ndeshjeve për baste, ndërsa sipas tij federata po përdor arbitra të caktuar.

Pas kësaj erdhi edhe reagimi i Shoqatës së Vëzhguesve dhe Arbitrave, të cilët mohuan çdo lloj ndërhyrjeje nga FSHB-ja, ndërsa kërcënuan presidentin e Teutës që të ndalë sulmet ndaj tyre, në të kundërt do të vendosin që mos ta arbitrojnë më ekipin bregdetar.

Ndërkohë, së fundmi ka ardhur kundërreplika nga Arqile Gorea, i cili në një deklaratë të gjatë për “Panorama Sport” i përgjigjet Shoqatës së Gjyqtarëve dhe jo vetëm.

REPLIKA – Fillimisht Gorea shprehet kështu mbi deklaratën që ka bërë Shoqata e Vëzhguesve dhe Gjyqtarëve: “Reagimi i tyre ishte i çuditshëm, sepse unë në pretendimet e mia kam qenë i drejtpërdrejtë duke përmendur emra dhe fakte. Pra, kam akuzuar një arbitër, Ervin Koçin, me arsyet e mia dhe kërkesa ime ishte e thjeshtë, pa ofenduar askënd, që ky arbitër është treguar dashakeqës duke e dëshmuar me fakte që është kundër Teutës.

Për këtë unë jam shprehur se nuk e dua. Nëse shoqata ka 30 arbitra, nuk i kushton asgjë të vendosë një tjetër. Kjo sjellje lë vend sërish për të dyshuar, pse vazhdojnë të këmbëngulin dhe të na sjellin të njëjtin gjyqtar?! Atëherë kjo bëhet që të më trukojnë ndeshjen”.

“JA KONTRIBUTI PËR ARBITRIMIN” – Për sa i përket pretendimit të gjyqtarëve se nuk ka dhënë asnjë kontribut në zhvillimin e arbitrimit, Gorea deklaroi: “Ata harrojnë që unë jam personi që vazhdimisht kam kërkuar që arbitrat të kenë shoqatën e tyre, të përfaqësohen dhe të mos varen nga federata. Të ketë shorte transparentë dhe një shpërndarje të barabartë të ndeshjeve. Pra, kam kërkuar demokratizimin e Shoqatës së Arbitrave, si një shoqatë që duhet t’i shërbejë drejtësisë në basketboll. Në momentet që ata nuk japin drejtësi, unë kam të gjithë të drejtën të revoltohem.

Por, inspiruesi i kësaj fletërrufeje është një njeri që nuk ka kurajë të dalë dhe të ballafaqohet dhe vendos në lëvizje mekanizmat e federatës duke përdorur hyzmeqarët interesaxhinj, që të më kundërvihen mua. Le të tregojnë një rast gjyqtarët, kur kemi dënim të ndonjë arbitri. Pra, lojtarët dënohen, ekipet dënohen, ndërsa asnjëherë nuk kemi ndonjë dënim të një gjyqtari, komisari apo një funksionari të federatës”.

KONFLIKTI I INTERESIT- Presidenti i Teutës thekson se te personat që ai ka shpallur “non grata” shikon një konflikt të pastër interesi: “Në të gjitha debatet e mia për basketbollin, kam akuzuar dhe denoncuar konfliktin e interesit dhe mungesën e transparencës.

Nëse futeni dhe kontrolloni procesverbalet që këta prodhojnë, shikon gallatë. Si mund të plotësojë procesverbalin e një ndeshjeje të rëndësishme babai komisar, këtu e kam fjalën për Arben Kasmin dhe Olti Kasmin arbitër. Pra, babë e bir janë hartues të një procesverbali. Këtu kemi të bëjmë me një konflikt të pastër interesi. Unë kam pasur respekt për z.Kasmi, si familje qytetare, familje pronarësh.

Por, me sa duket prona që e lidh me federatën, duke qenë se mbledhjet bëhen në shtëpinë e z.Kasmi, me sa duket e kanë detyruar që të ulë kokën dhe të kërcejë vallen e kazanit të konfliktit të interesave. Gjithçka është e qartë në këtë mes, ku kemi federatën qiramarrëse, djalin arbitër dhe vetë z.Kasmi komisar.

Imagjinoni se si mund të funksionojë drejtësia në këtë mes”, deklaron Gorea, i cili më pas përmend edhe Ervin Koçin (gjyqtarë i FIBA-s), të cilin e ka kontestuar disa herë: “Për të njëjtën gjë kam folur edhe për Ervin Koçin, i cili gjithashtu ka konflikt të pastër interesi. Ka ekipe zinxhirë të tijat, të cilat janë të lidhura me kampionatizmin e basketbollit. Gjithashtu ka edhe bashkëshorten trajnere te skuadra e Partizanit. Nëse i referohemi ndeshjes së vjetshme mes Partizanit dhe Flamurtarit, trajneri i vlonjateve u ngjit te shkallët e sallës për ta kapur prej fyti këtë arbitër, sepse ishin manipuluar gjërat. Pra, kemi një grup njerëzish që bëjnë gallatë, pasurohen dhe përfaqësohen me interesa në këtë vorbull”.

“AKUZAT, KONKRETE” – Numri një i skuadrës bregdetare në përgjigjen e tij ndaj deklaratës së gjyqtarëve sqaron se akuzat e tij janë konkrete dhe se nuk ka bërë përgjithësime: “Unë flas me emra dhe kam përmendur dy persona, siç janë Arben Kasmi dhe Ervin Koçi, ndërsa tani po shtoj edhe të birin Olti Kasmi, i cili ishte arbitër në ndeshjen Kamza-Teuta, së cilës unë iu referova.

Kam të gjithë të drejtën e Zotit të ngre zërin, pasi përballë kam babë e bir, qiradhënës të federatës. Hidhet shorti për gallatë, pa prezencën e ekipeve ose nuk hidhet short fare dhe caktohen. Na thanë që në ndeshjet që do të luhen këtu do të kemi dy arbitra nga Kosova dhe një nga Shqipëria dhe anasjelltas. Pse ndodhi ajo gjë në ndeshjen me Kamzën? Aty kemi të bëjmë me një ekip të përfolur, sepse dihet që sekretari i FSHB-së është në marrëdhënie direkte me Kamzën, ka dhe djalin trajner aty.

Si shpjegohet që të tre arbitrat ishin shqiptarë. Kur ne e mundëm Kamzën plasën edhe ‘memet’ në rrjetet sociale, me tifozë që shkruanin: ‘pse kishin vdekur arbitrat që paska fituar Teuta?!’ Kjo tregon që notojnë një vorbull interesash meskine, të cilat nuk i shërbejnë basketbollit, por janë vrastare për këtë sport dhe kontributorët”.

“DEKLRATA PA FIRMA” – Arqile Gorea ka dyshimet e tij edhe për deklaratën e gjyqtarëve, për të cilën thotë: “Ku e gjejnë të drejtën morale të flasin në emër të të gjithëve, për të cilën dy apo tre persona që unë kam pyetur nuk kanë dijeni fare për këtë mbledhje. Pse nuk e nxjerrin listën e pjesëmarrjes në mbledhje me emra dhe mbiemra, që ta shikojmë se cilët janë këta arbitra që kanë marrë pjesë në të. Sepse unë në respektin më të madh për shumicën e trupës së arbitrimit, nuk mund t’i akuzoj.

Unë nuk kam folur në përgjithësi, por kam akuzuar direkt me emra. Atëherë le të publikojnë listën e mbledhjes me emrat dhe firmat dhe të shkruajnë anash për secilin arbitër vendbanimin dhe nga sa ndeshje kanë arbitruar, kështu menjëherë të gjithë njerëzit do të informohen se cila është drejtësia brenda arbitrave. Pra, një trupë që nuk ka drejtësi brenda vetes, kërkon të japë drejtësi për sportin”.

KËRCËNIMI ME BOJKOT – Për sa i përket kërcënimit me mosarbitrim të Teutës, nëse vijon me sulmet ndaj gjyqtarëve, Gorea deklaron: “Për çfarë do ta bojkotojnë Teutën këta, se është kampione me 16-vjeçarë, 18-vjeçarë, kampione me të rritur, fituese e Kupës së Republikës, që zhvillon ndeshje dinjitoze edhe në Ligën Shqipëri-Kosovë, sepse nuk ma mban goja që të them Ligën Unike, pasi nuk kam ndërmend që t’i bëj reklamë firmës së Avni Ponarit. Por, paradoksi më i madh është se këta kanë kurajë të thonë ne do të bojkotojmë Teutën.

Ku e marrin rrogën këta gjyqtarë? E marrin nga lekët që paguajmë ne, si donatorë direkt, ashtu edhe si taksapagues. Pse këta njerëz po arbitrojnë falas, që na bëjnë të tilla kërcënime?! Do të ishte një fat dhe nder i madh për klubet dhe të gjithë basketbollin shqiptar që dy-tre arbitra të mos merrnin më pjesë në arbitrim. Duke qenë se federata nuk i dënon kurrë, atëherë unë shtroj pyetjen:

‘Kush i merr në mbrojtje këta dhe kush më heq mua të drejtën për të refuzuar arbitrat?’ E drejta e refuzimit është kushtetuese. Aty ku unë dyshoj, kam të drejtë të refuzoj. E njëjta gjë ndodh edhe në gjykatë. Largohet në mënyrë arbitrare drejtori i garave të Ligës Unike. Pse largohet?! Pse nuk flasin arbitrat për këtë rast, sepse ata vetë nuk e duan drejtësinë, por duan të jenë të justifikuar duke thënë se ne nuk kërkojmë drejtësi, por as ju mos na kërkoni drejtësi. Pse duan të ngatërrojnë të gjithë trupën e arbitrave me persona të veçantë, të cilët janë konfirmuar kokë e këmbë në konflikt interesi dhe që nuk kanë transparencë?!”

RASTI “BRUNO DALIU” – Më tej, presidenti i skuadrës durrsake rikujton një prej ngjarjeve më të shëmtuara të dhunës në basketbollin shqiptar: “Mos të harrojmë që Bruno Daliu po vuan dënimin, por si ai mund të kishte plot, pasi shumë të tjerë mund ta kishin bërë atë veprim. Ndërsa, nga ana tjetër, nuk kemi asnjë arbitër që mban përgjegjësi për padrejtësinë që jep në fushë. Ky është një tregues i qartë që basketbolli është bërë pazar dhe nuk është më garë”.

“HAKMERREN ME ATA QË NGRENË ZËRIN” – Gorea, gjithashtu e quan hakmarrëse sjelljen e FSHB-së dhe për këtë sipas tij shoqatat kanë frikë që të shprehen: “Njerëzit që kanë ngritur zërin janë përballur me kërcënime dhe pasoja. Unë jam i mendimit që drejtësia vërtetë kërkon sakrifica të mëdha, por gjithashtu edhe kënaqësinë ta jep të madhe. Unë i them federatës:

‘Zotërinj, ndaleni pushkatimin e basketbollit’, sepse nuk është rastësi që ky sport po përjeton nivelet më të ulëta të përfaqësimit të tij. Duke qenë se nisën edhe ndeshjet paraeliminatore, i uroj shumë sukses ekipit kombëtar, sepse i gjithë komuniteti i këtij sporti po vuan për të marrë suksese. Por, të mos harrojmë që nuk jemi komb i vogël dhe pa rezerva, por kemi një situatë dëshpëruese në menaxhimin e këtij sporti. Kemi të bëjmë me një sport intelektual, që nuk e duron dot padrejtësinë të përzier me injorancë”.

SHERRI NË FINALE – Në fund, Arqile Gorea i rikthehet edhe një herë sherrit në finalen e sezonit të kaluar, duke e evidentuar sjelljen me dy standarde nga FSHB-ja: “E mbani mend besoj që plasi sherri në finalen kur ne fituam titullin në sezonin e kaluar? Skuadra e Gogës u largua në mënyrë demonstrative duke braktisur fushën edhe pse u mund.

A mbajti ndonjë qëndrim federata për këtë rast?! Ndërsa skuadrën tonë, me të drejtën e zotit, më parë e kishin dënuar me humbje të ndeshjes në tavolinë dhe me 5 milionë lekë gjobë. Ja, pra, kjo është drejtësia që vendoset në basketbollin shqiptar”, përfundoi Gorea.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE/ “FSHB po fut hundët me arbitrat, tërhiqemi nëse…”, bixhoz dhe në basketboll, presidenti i Teutës plas “bombën”: Ja si po trukohet (E PLOTË)

EKSKLUZIVE/ Trukimet në basketboll, gjyqtarët presion Goreas pas akuzave

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"