EKSKLUZIVE/ Goli i parë si kapiten, Imami: Jemi për Europë! Festova me Shkëmbin sepse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2022 | 20:15

EKSKLUZIVE/ Goli i parë si kapiten, Imami: Jemi për Europë! Festova me Shkëmbin sepse…

Eni Imami shënon golin e parë në Superiore me Dinamon, ekipin e zemrës siç e quan ai dhe për më tepër erdhi me shiritin e kapitenit në krah.

Dinamo festa e golit

Në intervistën për “Panorama Sport”, pas ndeshjes mbrojtësi shprehet i lumtur që i dha tri pikët skuadrës dhe shpjegon pse shkoi të përqafonte trajnerin Bledi Shkëmbi.

Sipas Imamit, Dinamo është ndërtuar këtë sezon për të shkuar në Kupat e Europës, ndërkohë që pas Kukësit vjen derbi me Tiranën. Titullari i bluve thekson se derbet është mësuar që t’i fitojë, ndaj do ta tentojnë edhe ndaj Tiranës.

Shënuat në fund dhe i dhatë tri pikët Dinamos me një veprim sikur të ishit sulmues tipik…

Sigurisht që është një kënaqësi e veçantë të shënoj me ekipin e zemrës, për më tepër që ishte i pari në Superiore me fanellën e Dinamos. Erdhi në një moment të vështirë si ky që kaluam dhe uroj që të jetë një shenjë e mirë për vazhdimësinë.

Goli i parë dhe për më tepër me shiritin e kapitenit në krah…

Më besoni që është një ndjenjë shumë e veçantë. E kam shënuar edhe me Vllazninë golin e parë në Superligë dhe pa dyshim që ishte e veçantë. Por, kjo me Dinamon është një ndjesi tjetër, pasi është ekipi i zemrës.

E veçantë edhe mënyra e festimit, pasi shkuat te trajneri. Pse?

Ashtu si ne lojtarët, trajneri e ka vuajtur më shumë këtë situatë dhe ka qenë në një presion të madh. Ai përqafim ishte për t’i treguar se mbështetjen tonë e ka deri ditën që do të jemi bashkë këtu.

Mund të themi që kjo do të jetë fitorja e kthesës apo është ende herët?

Me afrimet që kanë ardhur së fundmi dhe ajo që kemi parë që në stërvitje, kjo është një Dinamo më agresive, më kërkuese dhe ekip shumë më i mirë në krahasim me më parë. Uroj që me këtë fitore të jetë ajo pika e kthesës dhe besoj që do të jetë, sepse kemi diçka më shumë.

Nuk keni shumë kohë për të festuar, sepse vjen derbi me Tiranën. Si e prisni?

Sigurisht që është një ndeshje e fortë, Tirana është në vend të parë me meritë. Është derbi, do ta vlerësojmë kundërshtarin ashtu si Kukësin. Gjithsesi, t’ia lëmë lojës, por mua derbet më pëlqen t’i fitoj.

Çfarë objektivash ka Dinamo këtë sezon, duke parë edhe situatën në kampionat dhe faktin që në Kupë përballeni me Partizanin?

Objektivat janë Kupat e Europës. Nga kampionati apo Kupa mbetet për t’u parë. Ky ekip nuk është ndërtuar për të qenë në këto pozita që është tani, por kemi edhe dy faza të tjera për të rikuperuar.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"