EKSKLUZIVE/ “Goli i humbur me serbët më del në ëndërr”, Ernest Muçi: Kualifikohemi në grupe ndaj cilitdo kundërshtari (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2020 | 20:31

EKSKLUZIVE/ “Goli i humbur me serbët më del në ëndërr”, Ernest Muçi: Kualifikohemi në grupe ndaj cilitdo kundërshtari (E PLOTË)

Ernest Muçi është gati ta marrë për dore Tiranën. Thotë se është gati për të qenë lideri në sulm. Është i bindur se skuadra shkon në fazën e grupeve. Në fund, ashtu siç bëri edhe Devi Muka, kthehet e flet për golin e munguar në sfidën me Crvena Zvezdën.
Muci

Vini pas ndeshjeve të mira me Kombëtaren e Shqipërisë, ku keni shënuar edhe dy gola në dy ndeshje…

Ishte debutimi im me Kombëtaren e Shpresave. Mendoj se jam paraqitur shumë mirë. Ndeshjen e parë e nisa nga stoli, ndërsa takimin e dytë isha në formacion. Diçka e arrirë për mua, por falënderoj trajnerin që më dha mundësi të luaja në fushë dhe të vishja fanellën e Kombëtares. Për më tepër jam i lumtur që morëm gjashtë pikë në dy ndeshje. Një debutim perfekt për mua tek ekipi Shpresa.

Ka nga ata që thonë se Ernest Muçi mund të bëjë më mirë kur e nis ndeshjen nga stoli…

Nuk e di. Të them të vërtetën nuk e kam menduar. Kështu kanë qëlluar ndeshjet ku kam shënuar dhe nuk kam shënuar. Nuk është e thënë. Disa ndeshje i kam nisur në formacion dhe kam shënuar. Të tjera i kam nisur nga stoli dhe kam shënuar. Golat nuk e di kur vijnë. Thjesht i shënoj.

Jeni projektuar në sulm si titullar në Europë dhe kampionat. Keni një peshë shumë të madhe?

Të të vënë titullar te Tirana, madje në sulm, është diçka shumë e madhe. Është një peshë shumë e madhe. Besoj ama se unë jam gati të jap më të mirën që të shënoj për ekipin dhe ta ndihmoj që të marrë sa më shumë fitore.

Keni një mendim për skuadrën aktuale, e cila me shumë mundësi do të jetë ajo e kampionatit?

Kemi një skuadër të plotë. Nuk është se kemi humbur shumë nga largimet. Formacioni është pak a shumë i njëjti si sezonin e shkuar. Mund ta quaj se jemi i njëjti ekip. Jemi mësuar së bashku që të luajmë e njihemi mirë. Po kështu stërvitje kemi bërë. Shtyrja e kampionatit na ndihmon. Kemi ndeshjen e Europës dhe më pas do të mendojmë për kampionatin.

Kalimi në fazën e grupeve?

Po stërvitemi shumë. Aty i kemi sytë, te “play off”-i dhe te shorti. Do të shohim se cili është kundërshtari. Ama cilido të jetë kundërshtari ne do të kualifikohemi.

E treta e vërteta për Muçin në Europë për të shënuar gol?

Kështu duhet të jetë. Në dy ndeshjet e kaluara kam kaluar shumë peripeci. I kam shkuar shumë pranë golit, por edhe nëse nuk shënoj, rëndësi ka të fitojmë apo kualifikohemi.

Torasa dhe Muci

Me Zvezdën thatë: “I provova të gjitha”. Nuk hynte topi?

Ai moment më del gjithmonë përpara. Kur e mendoj që do të kisha shënuar dhe do të fitonim e kualifikoheshim, mërzitem. Si unë dhe ekipi, nëse e kisha shënuar atë gol, do të ishim në një nivel tjetër. Nuk e di. Ishte çështje fati që ai gol të mos hynte. Preku gjithçka dhe vetëm rrjetën nuk preku.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"