EKSKLUZIVE/ “Gol dhe trekanç”, flet komentatori që pushtoi rrjetin: Do ndëshkoj ata që u tallën (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2021 | 23:56

EKSKLUZIVE/ “Gol dhe trekanç”, flet komentatori që pushtoi rrjetin: Do ndëshkoj ata që u tallën (VIDEO)

“Gol dhe trekanç”, është ky hiti i momentit në rrjetet sociale. Një video e bërë virale na tregoi një formë krejt origjinale të të bërit koment. Shumëkush është kuriozuar dhe do të dijë se cili është ai që qëndron pas zërit që komenton ndeshjet e Veleçikut dhe ne po jua zbulojmë. Bëhet fjalë për Bashkim Ramekajn, bashkëpunëtor prej disa vitesh i “Panorama Sport”. Përveçse shkruan, ka edhe një tjetër zanat: bën komentatorin. Në Malësinë e Madhe e quajnë edhe “Babushi i sportit” dhe jo më kot, pasi në rininë e tij ka qenë edhe maratonist i Apolonisë dhe Vllaznisë. E megjithatë, është vetë 65-vjeçari që na rrëfen më shumë për veten në këtë intervistë të dhënë enkas për gazetën

ramekaj
Bashkim Ramekaj, komentator dhe gazetar

Bashkim, sa kohë keni që punoni si komentator sporti?
Po e nis pak më herët. Unë jam i datëlindjes 1956 dhe pasi mbarova filloren dhe gjimnazin, shkova ushtar. Megjithatë, sporti për mua është pjesë e jetës. Kam qenë maratonist me Apoloninë para ushtrisë dhe pasi u lirova, kam kaluar te Vllaznia. Në maratonën e 10 kilometrave, arrita edhe vendin e tretë. Më pas nisa që të angazhohesha si gazetar sporti. Fillesat i kam pasur te gazeta e parë e sportit, “Sporti popullor”, por në të njëjtën kohë kam qenë edhe radiokronist në “RTSH”. Kam mbuluar gjithnjë Veleçikun. Kur e lashë atletikën, kam qenë edhe trajner moshash në të njëjtin profil. Ymer Striniqi më futi në këtë rrugë. Më ka pasur nxënës në 8-vjeçare dhe gjimnaz, ku e nuhati që isha i dhënë për këtë punë. Që prej asaj kohe, nuk iu ndava kurrë…

Po në televizion kur kaluat?

E kam nisur që kur u hapën televizionet e para lokale, më konkretisht te “TV1” në Shkodër. Në mos gaboj, kanë qenë vitet 2003-2004. Kam punuar edhe te “Rozafa”, ndërsa prej gati 15 vitesh jam pjesë e të TV “Koplikut”. Pikërisht këtu i keni dëgjuar edhe komentet e mia.

Si lindi shprehja e famshme “Gol dhe trekanç”?
Krejt natyrshëm. Ishte takimi me Vorën dhe Veleçiku po vuante shumë, nuk kishte rezultate të mira deri në atë pikë të sezonit. Ishte fitorja e parë që mori. Kur Banushaj gjuan dhe e çon topin drejt e në trekëndësh, në atë moment them me të madhe: “Gol dhe trekanç”. Nga emocionet e përsërita dy herë, më doli nga shpirti.

E prisnit që do të bëhej kaq virale?

Unë nuk jam njeri i rrjeteve sociale, as “Facebook” nuk përdor, të them të drejtën. Fama po ashtu nuk më intereson, thjesht komentoj me shpirt dhe kaq. Thashë atë që ndjeva në atë çast.

E mendoni që të komentoni ndeshje edhe më të rëndësishme?

Edhe mund të ndodhë, por nuk është ky qëllimi im. Pas asaj videoje nisën që të më ftonin edhe për intervista, pasi miq kam vërtet shumë në këtë fushën tonë, por nuk kisha dëshirë. Jam rehat në këtë që bëj, nuk kam mundësi për t’u mbingarkuar. Kam televizionin dhe gazetën tani…

Ndiheni më i famshëm tani?
Ndihem, patjetër, pasi tani zëri im, teksa komentoj, është dëgjuar nga i madh dhe i vogël nga çdo shqiptar në mbarë botën. Unë Veleçikun e kam në gjak dhe nuk pendohem që e thashë atë shprehje

Besoj nuk ju kanë ndaluar telefonatat që pas atij momenti, çfarë ju kanë thënë miqtë dhe kolegët?
70% e komenteve që kam marrë, janë pozitive. Pjesa tjetër jo edhe aq. E megjithatë, do t’i ndëshkoj (qesh). Të rinjtë përgjithësisht më kanë përgëzuar. E kam thënë edhe në transmetim, direkt pasi videoja u bë virale dhe po shpërndahej gjithandej, që unë bëhem pishman. Kanë filluar të bëjnë edhe montazhe, me video që nuk i përkasin Veleçikut, por për mua nuk është problem. Unë jam veteran i sportit, madje jam inspektor i sportit në Bashkinë e Malësisë së Madhe.

VIDEO

Cila është ndeshja më emocionuese që keni komentuar?

Kam komentuar shumë dhe emocionet i kam në çdo ndeshje, madje edhe në miqësore. Por, do të veçoja atë me Partizanin, për Kupën e Shqipërisë. Fituam 1-0, paçka se u eliminuam në kthim.

A ju ka falënderuar Arsen Banushaj, pasi edhe ai njihet tashmë prej të gjithëve?

Po, po. Madje, po e zbuloj, që e kam edhe kushëri. Ai është një lojtar me të dhëna shumë të mira, por tani njihet përtej Kategorisë së Parë. Për ata që nuk e kanë ndjekur teksa luan, do të përmend një veçori që ai ka: goditjet standarde. 70-80 për qind të gjuajtjeve nga distanca ai i çon në gol.

ADELA MERKO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"