EKSKLUZIVE/ Gol dhe lot, rrëfehet Berisha: Unë si Rashfordi, ja çfarë më tha Memelli (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2021 | 20:42

EKSKLUZIVE/ Gol dhe lot, rrëfehet Berisha: Unë si Rashfordi, ja çfarë më tha Memelli (VIDEO)

Nga goli te lotët e hidhërimit dhe ato të gëzimit. Elvi Berisha i provoi të gjitha emocionet në ndeshjen e Kupës ndaj Teutës në Durrës. Shënoi, u ndëshkua me kartonin e kuq dhe gëzoi për arritjen në finale. Në një rrëfim pa doreza për “Panorama Sport”, sulmuesi i Skënderbeut tregon sekretet e këtij momenti mjaft të mirë që po kalon ekipi, bisedën me Memellin pas kartonit të kuq dhe idhulli i tij në futboll.

174029877_2842432182676328_5842762283101639251_n (1)

Elvi, e kishit menduar qe në këtë situatë jo të mirë që ndodhet klubi të shkonit në finalen e Kupës, në një kohë që ende nuk keni siguruar mbijetesën në Superiore?

Për të qenë i sinqertë, në bisedat që bënim me shokët, e kishim menduar për të shkuar deri në finale. Këtë besim e kishim, duke parë që po kalonim një formë të mirë. Ishim rritur shumë në aspektin moral dhe sa i përket lojës cilësore që bënim. Paraqitjet e ndeshjeve të fundit me rezultate pozitive radhazi dhe një ekip shumë herë më solid se në të kaluarën, na kishim dhënë besim se do të shkonim në finale. Pavarësisht se përballë kishim një ekip të fortë si Teuta dhe luanim në transfertë, mendoj se kemi zhvilluar një ndeshje perfekte.

Çfarë ndodhi në atë moment kur shënuat, hoqët fanellat dhe më pas shpërthyet në lot pas ndëshkimit me të kuq…?

Ishte një moment që më rrëmbeu, sepse e kisha pritur shumë atë gol. Për momentin më pushtoi një gëzim i paparë dhe në fraksion sekonde harrova që isha ndëshkuar me të verdhë në fillimin e lojës. Emocionet e mëdha bëjnë edhe lojëra të tilla. Më pas u kthjellova dhe u mërzita shumë që do lija shokët me 10 lojtarë në fushë dhe plus kësaj që nuk do të luaja në finale. Kërkoj edhe një herë falje për atë moment, por gjithsesi jam i lumtur që shënova dhe për arritjen e ekipit tonë në finalen e kupës kundër Vllaznisë.

175014243_280415323563878_1799461362547158499_n (1)

Memelli iu përqafoi direkt kur po shkonit në dhomat e zhveshjes. Çfarë ju tha konkretisht?

Trajneri u mundua të më qetësonte, pasi është një person që punon shumë me ne në aspektin psikologjik. Më përqafoi dhe më tha që nuk ka problem ajo që ndodhi. Të tilla situata janë gjëra që ndodhin. Me pak fjalë, më mbështeti, si trajneri, stafi dhe të gjithë shokët. Madje në përfundim të pjesës së parë, më premtuan që do ta fitojnë ndeshjen për të mos më bërë të ndihem fajtor.

Cili ka qenë komplimenti më i bukur që keni marrë pas ndeshjes?

Kam marrë shumë komplimente nga të gjithë njerëzit që më duan dhe nga specialistët e futbollit. Ishin të gjitha të bukura, prandaj nuk mund të veçoj dot askënd.

174078945_292258255758017_8388343329380249511_n (1)

A keni dikë që ju frymëzon dhe e keni idhull?

Më frymëzon babai im. Ai është personi që çdo ditë më motivon për të ecur përpara dhe pse është kritiku im më i madh, por edhe nga ana tjetër është tifozi më i zjarrtë i imi. Nga lojtarët që më pëlqen dhe më përshtatet me pozicionin dhe mënyrën e lojës është Markus Rashford.

Cili është sekreti i kësaj ecurie me Skënderbeun?

Është grupi dhe besimi që kemi krijuar me njëri-tjetrin. Kjo është merita kryesore. Ne futemi në fushë në çdo ndeshje për ta fituar dhe i shikojmë të gjithë kundërshtarët e barabartë. Ndryshim ka sjellë edhe këtë ecuri pozitive.

Pas kësaj periudhe të suksesshme, bëhet më e lehtë arritja e mbijetesës?

Besoj se nuk ka gjë të mirë që arrihet lehtë, por jam i mendimit se rezultatet pozitive do të na ndikojnë për mirë që ta rrisim performancën në vijim. Është një objektiv primar për ne dhe do të bëjmë të pamundurën që t’ia dalim. Kemi rikuperuar shumë këto javë dhe duhet të vazhdojmë kështu me të njëjtin ritëm, për të ecur të bindur përpara drejt sigurimit të mbijetesës.

Besoni se mund ta fitojë Skënderbeu Kupën kundër Vllaznisë?

Unë personalisht besoj se do ta fitojmë Kupën, edhe pse unë s’do të luaj. Një gjë të tillë e dua si një dhuratë nga shokët. Do t’u kërkoj që të më premtojnë se do të derdhin çdo energji për ta fituar. E di që çunat do të japin maksimumin dhe do ta sjellin kupën në Korçë, pasi do të ishte historike për ne.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"