EKSKLUZIVE/ Goditje “Superioreje”, Flamurtari arrin akordin me liderin e Kastriotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2022 | 14:42

EKSKLUZIVE/ Goditje “Superioreje”, Flamurtari arrin akordin me liderin e Kastriotit

Flamurtari bind Sokol Nezirin. Klubi ka siguruar shërbimet e ish-kapitenit të Kastriotit.

SOKOL NEZIRI

Akordi është arritur tashmë dhe e vetmja gjë që pritet është prezantimi.

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se është mbyllur gjithçka dhe në ditët në vijim, ai do të zyrtarizohet si blerja e parë për këtë merkato vere.

Mbrojtësi do të transferohet në Vlorë për sezonin 2022-2023, duke u dhënë një ndihmë kuqezinjve për të arritur objektivin “Superiore”.

Ai luan në linjën e djathtë dhe shihet si një përforcim i rëndësishëm për prapavijën.

25-vjeçari ka lindur në Krujë dhe është i gjatë 1.78 m. Nuk ka eksperienca në skuadra të tjera brenda apo jashtë vendit, përveçse në vendlindjen e tij.

E ka nisur me skuadrën e parë që në 2014-ën, për të mos u shkëputur kurrë.

Në total 158 ndeshje në kampionat dhe Kupë. Përvoja që ka fituar, është ajo për të cilën vlonjatët kanë nevojë për të realizuar misionin që i kanë vënë vetes. Bëhet fjalë për një lojtar që e njeh mjaft mirë si elitën, por edhe Kategorinë e Parë.

MERKATO

E ndërsa Neziri është përforcimi i parë që konfirmohet zyrtarisht edhe nga burime pranë klubit, Flamurtari ka në plan të afrojë edhe lojtarë të tjerë për të plotësuar organikën.

Deri më tani kanë dalë disa emra në skenë, por asgjë nuk është mbyllur.

Nëse shkodrani Abdurraman Fangaj është shumë pranë vlonjatëve, nuk dihet çfarë do të ndodhë me Kreshnik Ukën, Denisonin, Mentor Mazrekajn apo edhe Artur Maganin.

Orët e fundit u lakua edhe një rikthim i mundshëm i Bruno Telushit, por ish-kapiteni zgjodhi Partizanin.

Javën që vjen do të mbërrijnë në Vlorë edhe dy lojtarë të huaj, me shumë gjasa brazilianë. Thuhet se me ta është arritur marrëveshja dhe madje janë prerë edhe biletat, por emrat mbahen sekret.

RIKONFIRMIMET

Grupi që mbylli sezonin në Vlorë vijon të jetë në ajër. E megjithatë, drejtuesit kanë një ide të qartë edhe në këtë drejtim. Gjasat janë që boshti i ekipit të qëndrojë.

Ditmar Bicaj, Shpëtim Moçka, Andi Ribaj, Olsi Gocaj, Behar Ramadani, Denis Pjeshka, Alked Çelhaka apo edhe braziliani Indio Oliviera pritet që të telefonohen shumë shpejt për t’u rikonfirmuar.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"