EKSKLUZIVE/ Goditje për Flamurtarin, FIFA i bllokon sërish merkaton! Nëse nuk paguhet ish-portieri, kuqezinjtë rrezikojnë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2021 | 23:56

EKSKLUZIVE/ Goditje për Flamurtarin, FIFA i bllokon sërish merkaton! Nëse nuk paguhet ish-portieri, kuqezinjtë rrezikojnë…

Flamurtari nuk e njeh fjalën “qetësi”. FIFA i bllokon sërish sistemin. Kuqezinjtë nuk federojnë dot lojtarët e rinj që kanë afruar dhe prezantuar në këtë merkato vere. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se dje në klub ka ardhur ultimatumi për një detyrim ndaj Adis Nurkoviçit. 

adis nurkovic

Jemi duke folur për ish-portierin boshnjak, që është aktivizuar në sezonin 2017-2018 te kuqezinjtë. “Qeveria” ndërkombëtare e futbollit ka qenë e prerë në shkresën më të fundit që i ka sjellë Flamurtarit:

Nëse nuk shlyhet 35- vjeçari, nuk mund të bëhen federime. Megjithatë, klubi e kundërshton hapur FIFA-n dhe vetë boshnjakun. Ata vënë në dispozicion të gazetës faturën që vërteton se ndaj Adis Nurkoviçit kanë bërë një pagesë prej 7500 eurosh paradhënie, pra përpara nisjes së sezonit në 15 qershor 2017

nurkovic

REAGIMI

Ka reaguar ashpër edhe administratori Sinan Idrizi. Kreu i klubit tha se Nurkoviç dhe avokati i tij mashtrojnë dhe sot do t’i kallëzojë në polici dhe prokurori, duke i cilësuar si “banda ishjugosllave”. Ai saktëson se e ka paguar këtë detyrim paradhënie, e megjithatë sërish është gati ta paguajë që të mos penalizojë ekipin.

“Na ka ardhur sot (dje) një ultimatum nga FIFA që më ka shokuar. Na detyron që t’i paguajmë një shumë ishportierit Adis Nurkoviç. Në fakt, ne e kemi paguar, madje ia kemi dhënë paradhënie. Ky qafiri pretendon se nuk kishte marrë 30%-shin dhe nuk e kishte deklaruar në FIFA atë që ka marrë. Thotë që kam 30% te Flamurtari pa marrë, kur është e kundërta dhe ne disponojmë faturën e pagesës. Sot (dje) komunikuam me ish-portierin dhe na thotë:

‘Nuk e kam bërë unë. E ka bërë avokati dhe nuk e di çfarë ka bërë ai’. Ka fituar gjyqin, kur ne nuk kemi shkuar aty dhe as jemi njoftuar. Sot (dje) FIFA na vendos në dijeni për këtë. OK, po ka një rrogë, dy rroga, të vijë t’i marrë, por na kërkon 30%-shin që gjasme nuk e paska marrë që në kohën e Duros. Harrojnë këta që i kanë marrë paradhënie? FIFA na thotë tani që të regjistrosh lojtarët e rinj, duhet të paguash edhe këtë se ka fituar gjyqin ky.

OK! Gjyqin e ka fituar, ka bërë dëshmi të rreme ky dhe avokati bashkë. Ndërtojnë këtë sistem këta ustallarët. Nesër (sot) që në mëngjes do të shkoj në polici dhe prokurori dhe do t’i denoncoj për mashtrim dhe prishje imazhi të klubit. Meqë FIFA ka dhënë vendimin e formës së plotë, unë do ta paguaj shumën e plotë. Por të keni parasysh një gjë, që këta janë një bandë ordinere në ishJugosllavi që merren me këto gjëra”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"