EKSKLUZIVE/ Godet Apolonia, “poker” nga Gana. Zbulohen 4 futbollistët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2020 | 8:35

EKSKLUZIVE/ Godet Apolonia, “poker” nga Gana. Zbulohen 4 futbollistët

Më në fund, fierakët janë gati të bëjnë goditjen e paralajmëruar nga “Panorama Sport”, pikërisht afrimin në skuadër të katër futbollistëve nga Gana. Siç është bërë me dije nga administratori i klubit të Apolonisë, Olsi Bregu, afrikanët janë pajisur me vizë dhe pas përfundimit të procedurës për “COVID-19”, në fundjavë të katër futbollistët do të mbërrijnë në Fier. Bëhet fjalë për katër lojtarë me përvojë, që pretendohet se janë cilësorë dhe mund të bëjnë diferencën në kampionatin shqiptar. Ata janë aktivizuar kryesisht në kontinentin e tyre dhe Apolonia do të jetë e para përvojë europiane për ta.
pjimage
Ganezët vijnë “paketë e plotë”, ndërsa luajnë në pozicione të ndryshme dhe e përmirësojnë ndjeshëm organikën e skuadrës së drejtuar nga Xhovani Kolela. Bëhet fjalë për një qendërmbrojtës, një mesfushor organizator, një sulmues krahu dhe një qendërsulmues të mirëfilltë. “Panorama Sport” mëson se të katërt pritet të nënshkruajnë për Apoloninë, pasi bëhet fjalë për lojtarë të afirmuar në vendet e tyre. Gjithsesi, vlerat e tyre mbeten për t’u konfirmuar në fushë. Po cilët janë katër futbollistët ganezë që do të vijnë tek Apolonia? Gazeta zbulon emrat e tyre dhe karrierën që kanë bërë deri më tani.

BENJAMIN AGYARE
1111111111111

Benjamin Agyare është 26 vjeç dhe luan si qendërmbrojtës. Ai është aktivizuar në Premier Ligën ganeze për skuadrat Heart of Lions dhe Hearts of Oak. Kjo e fundit është fituese e Kupës së Konfederatave CAF më 2004. Agyare dallohet për lojë pozicionale dhe markim të rreptë të kundërshtarit. Është një futbollist që mund të luajë edhe në krahët e mbrojtjes. Lojtari është 1.88 metra i gjatë.

KOFI JEBOAH
22222222222222222

Kofi Jeboah është 25 vjeç dhe luan si mesfushor qendre, pikërisht në rolin e një organizatori. Shtatshkurtër, vetëm 1.67 metra, por pritet të jetë një lojtar shumë i vlefshëm për Apoloninë me cilësitë që ka. Jeboah është aktivizuar për katër sezone në Premier Ligën ganeze me All Stars, ndërsa në tri kampionatet e fundit ka qenë pjesë e skuadrës libaneze Tadaman Suor. Gjithashtu, Jeboah ka luajtur edhe për kombëtaren U-20 të Ganës.

BERNARD ARTUR
3333333333333

Bernard Artur luan kryesisht sulmues i linjës së majtë. Ai është 23 vjeç, ndërsa në skuadrat ku ka luajtur së fund mi, ka treguar se mund të bëjë edhe qendërsulmuesin. Është aktivizuar me një sërë klubesh në kampionate të ndryshme: në Ganë, Algjeri dhe Tanzani. Sezonin e fundit ka luajtur në të njëjtin ekip me qendërmbrojtësin Agyare, pikërisht te Hearts of Oak. Artur ka qenë pjesë e kombëtareve ganeze U-17, U-20 dhe U-23, me të cilat është aktivizuar në total 22 ndeshje dhe ka realizuar 12 gola. Me Ganën U-17 ka luajtur 7 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola. Me U-20, 5 ndeshje dhe 3 gola, ndërsa për U-23, 10 ndeshje dhe 6 gola. Bëhet fjalë për një lojtar të shpejtë që dallohet edhe për gola.

ROBERT GANSAH
44444444444444

Qendërsulmuesi Robert Gansah është një tjetër lojtar me eksperiencë që do të fuqizojë Apoloninë. Ai është 25 vjeç dhe me një përvojë futbollistike të kaluar në disa shtete, si Ganë, Tajlandë, Oman, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Pretendohet që të jetë njeriu-gol për Apoloninë, duke rritur ndjeshëm konkurrencën me të riun e talentuar, kryeshënuesin aktual të skuadrës fierake, Mario Gjata.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"