EKSKLUZIVE/ “Gjyqtari rrezikoi jetën e lojtarëve tanë”, drejtori i Skënderbeut: Shahini la ndërhyrje horror

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2020 | 15:58

EKSKLUZIVE/ “Gjyqtari rrezikoi jetën e lojtarëve tanë”, drejtori i Skënderbeut: Shahini la ndërhyrje horror

Skënderbeu kthehet i masakruar nga Ballshi në Korçë, por më shumë se me gjykimin, korçarët duket se po shqetësohen për shëndetin e lojtarëve të tyre. Pavarësisht se është ndeshja e dytë që goditen nga arbitrimi, pas asaj ndaj Laçit ku iu mohua një penallti, Skënderbeu ka vendosur që të mos merret drejtpërdrejt më gjyqtarët edhe këtë sezon. Një gjë të tillë e ka bërë edhe drejtori i klubit të Skënderbeut, Ilirjan Përmeti, i cili në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” tregon se çfarë ndodhi në ndeshjen ndaj Bylisit dy ditë më parë dhe mbi të gjitha përplasjen me kryesorin e takimit.
Permeti2-470x287

Përmeti, ndeshja e dytë që Skënderbeu ka pretendime për gjykimin. Çfarë po ndodh?
Keni të drejtë. Mbase është e dyta ndeshje radhazi që po dëmtohemi dhe ju po shihni padrejtësi në vendimet e arbitrave. Ne nuk jemi marrë ndonjëherë me gjykimin dhe një gjë të tillë nuk do ta bëjmë sot. E them këtë për të treguar se Skënderbeu nuk ankohet edhe kur bëhen gabime, pasi i kemi gjykuar si pjesë të garës nëse bëhen pa qëllim. Të jemi të sinqertë, na shqetëson fakti kur këto gabime janë me tendencë dhe mbi të gjitha cenojnë shëndetin e lojtarëve tanë.

Çfarë do të thoni me këtë?
Dua të them se ndikimi i një arbitri dhe impakti që jep tek ekipet, vjen në bazë të vendimeve që ai merr që në fillim të lojës. Kemi shumë faulle të padhëna në favorin tonë. Një gjë e tillë sjell më pas ashpërsimin e lojës së kundërshtarit, deri në ajo ndërhyrje makabër që iu bë Meksit në pjesën e dytë. Ishte horror.

Ju patët edhe një komunikim me arbitrin kryesor në këtë moment, çfarë i thatë?
Përsëris edhe një herë atë që nuk jemi marrë me gjykimin. Edhe në rastin kur atë ndërhyrje e pa e gjithë Shqipëria se për çfarë kartoni ishte, u treguam të qetë. I thashë kryesorit që të mos e sinjalizonte as faull, as të mos jepte karton, por të paktën të kujdesej për shëndetin e lojtarëve, pasi po u prishte karrierën me atë qëndrim që po mbante në lojë. Meksi dhe shumë të tjerë kanë dalë me probleme, Meksi më shumë se kushdo. Janë profesionistë dhe me këtë punë mbajnë familjet. Të lejosh lojë të tillë dhe atë intensitet ndërhyrjesh, sikundër bëri arbitri në këtë takim, është t’u shkatërrosh karrierën lojtarëve.

A ka pasur raste të tjera, për të cilat keni pakënaqësi?
Sigurisht që po. E përsëris mesazhin. E dha që në fillim se do të kursehej në dhënien e faulleve në favorin tonë. Kemi edhe një rast kur një lojtar i Bylisit duhet të merrte kartonin e dytë, por edhe në këtë rast kryesori e ka një përgjigje. “Para një minute e ndëshkova”, ishte përgjigjja që më dha mua. Ku është parë kjo? Ka qenë Kampionat Botëror dhe brenda një minute janë dhënë, madje edhe penallti. Nuk mund ta kuptoj.

Mendoni se arbitrimi ndikoi te rezultati i ndeshjes?
Gjykimi ishte i njëanshëm dhe arbitri lejoi ndërhyrje vrastare kundër nesh. Pa dyshim që ndikimin e saj e ka pasur, pasi na dëmtoi një prej lojtarëve më të mirë në fushë atë ndeshje, duke na sjellë probleme në atë pikë. Lojtarët marrin një përgjigje negative në momentin kur arbitri mban qëndrim në fushë pro një ekipi. Kjo ndodhi edhe me ne. Psikologjikisht u goditëm që në fillim me kalimin e minutave.

Po penalltia? A keni kundërshtim?
Duhet të flasin specialistët. Për mua ka kontakt mes Jashanicës dhe kundërshtarit. Natyrisht që vjen edhe për shkak të acarimit të lojtarit si pasojë e gjykimit.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"