EKSKLUZIVE/ “Gjyqtari i katërt mund të mbajë maskë”, Jareci: Takim me arbitrat javën e ardhshme (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2020 | 0:16

EKSKLUZIVE/ “Gjyqtari i katërt mund të mbajë maskë”, Jareci: Takim me arbitrat javën e ardhshme (E PLOTË)

Si të gjitha ekipet e futbollit, edhe ai i arbitrave është dashur të stopojë këtë periudhë. Koronavirusi i pengoi gjyqtarët që të mos stërviten normalisht për më shumë se dy muaj. Tashmë që rinis futbolli, edhe ata do të zbresin në fushë. Nga rregullat nuk mund të përjashtohet, ndonëse protokolli sanitar është disi më lehtësues për ta.

Sokol Jareci

Është Sokol Jareci, dizenjatori i gjyqtarëve në sektorin e arbitrimit, ai që ka sqaruar të gjitha direktivat që janë dhënë për “xhaketat e zeza”. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai zbardh masat që do të ndërmerren prej 3 qershorit, ndërsa shpjegon pse nuk do të ketë testime fizike para rifillimit të aktivitetit.

Si i gjithë futbolli, edhe ekipi i arbitrave ka qenë pushim prej më shumë se dy muajsh.  Si ka qenë kjo periudhë për ta?

Që në momentin që u mor vendimi për ndërprerjen e futbollit, sektori i arbitrimit u vu direkt në lëvizje, për të caktuar se çfarë do të ndodhë me klasën arbitrale, kryesorë dhe asistentë qofshin, për sa i përket aspektit fizik. Përgatitësi atletik i tyre hartoi një program pune dhe stërvitjeje në kushte shtëpie. Jo vetëm kaq, por sektori i arbitrimit filloi të punonte në lidhje me futbollin e luajtur në fushë.

Ku konsiston kjo punë?

Arbitrave dhe asistentëve u shpërndanë situata loje, mbi të cilat kryesorët apo asistentët do të ndërmerrnin vendimet e tyre. E gjithë kjo duke përfshirë teknologjinë. Ata vendosnin dhe na i kthenin përgjigjet te sektori i arbitrimit.

Vendime me vlerë testimi real?

Jo, thjesht për t’i mbajtur në tonus. Çdo javë, sektori i arbitrimit dërgonte pesë klipe për kryesorët dhe pesë për asistentët. E njëjta gjë edhe për vëzhguesit e kategorive të ndryshme.

Klajdi Kola mbeti jashtë Shqipërisë për disa kohë, kur u bllokuan edhe kufijtë. A ka të tjerë gjyqtarë që nuk janë në Shqipëri?

Me sa di unë, ai ishte në një udhëtim privat për çështjet e tij. Tani që flasim, nuk ka asnjë gjyqtar që është jashtë vendit. Janë të gjithë në Shqipëri.

Futbollistët kanë hyrë në muajin e tretë pa kontakt me topin, ndaj në momentin e rifillimit të futbollit mund të shohim situata të ndryshme. A ka direktiva për gjykimin që të jetë edhe më “mirëkuptues”?

Nga organet e UEFA-s apo FIFA-s nuk ka asnjë lloj direktive të tillë. Përkundrazi, ato sjellin herë pas here rifreskime të rregulloreve aktuale. Nuk ka asnjë lloj rregulli apo direktive që arbitrat të jenë më dorëlëshuar apo qoftë edhe më dorështrënguar në lidhje me masat disiplinore. Rregullorja është një dhe ajo do të zbatohet. Javën e ardhshme do të kemi një mbledhje me arbitrat dhe para saj do të bëjmë një takim në sistemin e arbitrimit për të fiksuar se si do të aderojnë arbitrat në fushë.

Sokol Jareci Akademia e Arbitrimit

Ju jeni ish-arbitër me stemë dhe me shumë përvojë, nuk mendoni se duhet të ketë një lloj këshillimi që arbitrat të kenë mirëkuptim për situata të veçanta?

Mbase do të jetë edhe kjo që thoni ju, si një lloj këshillimi nga ana jonë që të mund të jenë pak më tolerantë. Kjo sepse kuptohet që po vijmë nga një periudhë pushimi dymujore, pa kontakte me topin apo pa stërvitje normale. E them që do të jetë një lloj “këshille” nga ana jonë, ama, gjithsecili duhet ta kuptojë vetë nga situata në fushën e lojës. Nuk mund të ketë shpjegime specifike për situata që nuk e dimë se çfarë do të ndodhë.

Do luhet në qershor-korrik me temperatura shumë të larta. A do të ketë direktiva për pushimin mes pjesëve për freskimin e lojtarëve?

Kjo është pjesë e rregullores, pavarësisht nëse është muaji janar apo korrik. Specifikohet në rregullore që në momentin kur kalon temperatura 31 gradë, atëherë bëhet pushimi mes pjesëve respektivisht në minutën e 22-të të çdo pjese. Krahas kësaj, do të jetë prezent edhe ndryshimi i përkohshëm i zëvendësimeve. Do të jenë pesë të tillë dhe kjo është një ndihmë shumë e madhe për lojtarët dhe klubet.

A ka një specifikim se kur mund të bëhen zëvendësimet, ose si mund të shmanget ndërprerja e lojës 10 herë për ndërrimet?

Rregullorja e thotë qartë që pesë zëvendësimet çdo ekip mund t’i bëjë me 3 ndalesa. Është edhe rregulli që për ndeshjet që kanë kohë shtesë, në periudhën e dy shtesave me 15 minuta, ekziston mundësia e një zëvendësimi të gjashtë.

Testet fizike janë të rëndësishme për arbitrimin, për sa kohë që rregullorja e kërkon të bëhen katër herë në sezon. A do të ketë testim fizik të gjyqtarëve para rifillimit të kampionatit?

Për një test fizik është shpejt të flasim. Megjithatë, gjatë këtyre dy muajve, përgatitësi atletik, Elton Kodra, ka qenë 3 herë në javë “online” me të gjithë arbitrat duke udhëhequr stërvitjen në kushtet e shtëpisë. Ka punuar me ata që jetojnë në Tiranë dhe për të tjerët jashtë kryeqytetit, që kanë patur disi më tepër lirshmëri për t’u stërvitur edhe jashtë banesës së tyre.
Gjyqtaret45
Çfarë do të ndodhë në rast se do të ketë arbitra jashtë formës fizike ose në mbipeshë, do të jetë kjo një kriter për mosaktivizimin e tyre?

Në momentin që nuk do të kemi testime, nuk mund të themi se cili është më mirë fizikisht e cili jo. Megjithatë, unë jam i bindur se arbitrat janë në nivelin e tyre në masën rreth 80 apo 85%. Kjo masë na garanton që të përfundojmë sezonin. Të mos harrojmë që edhe futbollistët do të jenë në rreth 70 apo 75% të formës së tyre fizike. Le të themi që edhe arbitrat do të jenë në të njëjtin nivel të përgatitjes fizike me futbollistët.

Çfarë protokolli masash do të ketë për arbitrat?

Gjithçka është e sanksionuar në protokollin e masave të përpiluara nga FSHF-ja dhe i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë. Për sa u përket arbitrave, janë shumë pak pika, duke qenë se arbitrat përbëjnë shumë pak rrezik në fushën e lojës. Protokolli përcakton që arbitrat të vijnë në stadium me maska, e megjithatë maskë do të mbajë vetëm arbitri i katërt, për momentet kur komunikon me trajnerët në pankina. Gjatë lojës mund edhe të mos e mbajë maskën, sepse e pengon në komunikimin me kufje me trupën e arbitrimit. Sa u përket dusheve, protokolli sanksionon që të jenë katër metra larg njëri-tjetrit, por duke qenë se janë pak pjesëtarë në ekipin e arbitrave, e kanë edhe mundësinë e zbatimit të protokollit. Edhe largimi nga stadiumi duhet të jetë prapë me maskë.

FSHF ka publikuar disa rregulla të lojës që kanë pësuar ndryshime për sezonin e ardhshëm. A ka ndonjë prej tyre që do komunikohet në këtë edicion?

Ishte vetëm rregulli i përkohshëm për pesë zëvendësimet. Edhe ky opsional me të drejtën që të vendosin vetë federatat nëse duan ta vënë në zbatim apo jo. Të tjerat do të jenë për sezonin e ardhshëm dhe do të ketë një moment të dytë pas këtij sezoni kur mund të ndalemi për t’i shpjeguar me detaje. Sidoqoftë, edhe për këto ndryshime të cilat nuk janë shumë, FIFA e ka lënë opsionale nëse një federatë do apo jo t’i fusë në zbatim që në këtë sezon edhe pse ka nisur prej kohësh.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"