EKSKLUZIVE/ Gjyqi me Tiranën, zbulohet se çfarë pretendon ish-kapiteni Karabeci. Në lojë janë rreth…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2020 | 13:54

EKSKLUZIVE/ Gjyqi me Tiranën, zbulohet se çfarë pretendon ish-kapiteni Karabeci. Në lojë janë rreth…

Ndodhi ajo që pritej. Erando Karabeci pa dit klubin e Tiranës në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve për mosrespektim të kontratës që ka pasur në sezonin e kaluar, por jo vetëm. “Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në FSHF, se prej ditësh mesfushori 32- vjeçar ka depozituar në zyrën juridike kërkesën e tij, ndërsa ka paguar edhe shumën prej 1 milion lekësh të vjetër, që i hap rrugën zhvillimit të gjyqit.

Karabeci

Klubi i Tiranës është njoftuar nga DHZK për këtë ankesë të lojtarit, por çuditërisht nuk ka dërguar asnjë përfaqësues në seancën e parë që është zhvilluar pak ditë më parë. Fillimisht DHZK bën një seancë ballafaqimi mes palëve për t’u dhënë shansin e marrëveshjes, por duke qenë se bardheblutë nuk kanë dërguar përfaqësues, kësisoj çështja do të kalojë direkt për gjykim, duke u marrë një vendim për pretendimet e lojtarit. Pra, do të vendoset nëse DHZK do të pranojë ose jo në mënyrë të plotë apo të pjesshme të gjitha pretendimet që ka Karabeci.

erando karabeci

GJYQI

Burime në institucionin e futbollit i thanë dje gazetës, se Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve ka njoftuar palët se do të marrë një vendim më 23 tetor për padinë e Karabecit kundër klubit Tirana. Gjatë ditëve të  fundit mesfushori që tashmë është pjesë e Teutës, ka qenë disa herë në ambientet e FSHF-së, i shoqëruar nga avokati i tij.

Duke plotësuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar për atë që pretendon, tashmë futbollisti pret të mësojë vendimin e formës së prerë më 23 tetor. Pas vendimit që do të marrë DHZK, më pas palët kanë të drejtë të ankimojnë vetëm në Gjykatën Arbitrazhit Sportiv në Zvicër (KAS-i i Lozanës).

KONTRATA

Karabecit i skadoi kontrata me Tiranën pas përfundimit të sezonit 2019-2020 dhe më pas nuk pati një rinovim të marrëveshjes mes palëve. Mesfushori iku nga bardheblutë pas 11 vitesh, aty ku fitoi gjithçka dhe sakrifikoi jo pak, teksa pranoi të luante edhe në Kategorinë e Parë. Largimi erdhi pasi ngriti titullin kampion, me bardheblutë që nuk preknin këtë trofe që prej vitit 2009. Mësohet se lojtari ka biseduar disa herë me presidentin Halili për detyrimet e prapambetura, por mesa duket premtimi nga ana e klubit nuk është mbajtur dhe kjo ka detyruar Karabecin të padisë Tiranën.

karabeci tirana

Paga e tij mujore te bardheblutë ka qenë 6 milionë lekë të vjetër dhe tashmë ajo që pretendon futbollisti bëhet fjalë për një shumë të majme që ndoshta mund të shkojë deri në 100 milionë lekë të vjetër, por kjo mbetet për t’u parë. Ishkapiteni i 25 herë kampion, firmosi për Teutën në fillim të muajit shtator dhe tashmë do të nisë një aventurë të re në Durrës. “Djemtë e detit” janë ekipi i tretë në karrierën e mesfushorit të qendrës, pas Partizanit ku u formua si futbollist dhe luajti për tre sezone, si dhe Tiranës ku u aktivizua për më shumë se një dekadë.

JORGIS MEMO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"