EKSKLUZIVE/ “Gjobën do e heq vetëm nëse fitojnë ndaj Partizanit”, Gjici: Arbitrave s’ua di as emrin, Luftëtari ka të drejtë… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2020 | 21:41

EKSKLUZIVE/ “Gjobën do e heq vetëm nëse fitojnë ndaj Partizanit”, Gjici: Arbitrave s’ua di as emrin, Luftëtari ka të drejtë… (E PLOTË)

Barazimi në Gjirokastër trazon Kukësin. Në momentin kur pritej që të krijonin shkëputje në krye, gabojnë. Dy pikë të lëna pak ditë para përballjes me Partizanin, shtojnë ndjeshëm presionin në radhët e verilindorëve. I irrituar ka qenë edhe Safet Gjici, i cili direkt u kishte komunikuar drejtuesve se ndaj lojtarëve do të ketë masa financiare. Dhe për të konfirmuar vendimin, mendon vetë presidenti. 

safet gjici

 

Në një deklaratë të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ai saktëson se ka mbetur i pakënaqur nga ekipi dhe stafi drejtues për paraqitjen në javën e 18-të. E megjithatë, skuadra e ka një mundësi që të shmangë gjobën. Dhe kushti është i qartë, të mposhtin kampionët në fuqi të vendit.

“Pas ndeshjes që zhvilluam në Gjirokastër, jam shumë i pakënaqur nga lojtarët dhe stafi. Nëse do të fitojnë me Partizanin, s’do të ketë gjoba”, kështu u shpreh fillimisht Gjici, i cili tashmë ka statusin e presidentit të nderit te verilindorët.

KTHESA – Kukësi është në vend të parë, e megjithatë me ndalesën e bërë u dha mundësi rivalëve që t’u afrohen. Pretendimet e presidentit nuk ndryshojnë, ai do titullin kampion me çdo kusht. Dhe është ky motivi që nuk është kursyer kurrë duke afruar gjithnjë lojtarët më në zë në merkato dhe çonte ekipin në Antalia për fazën përgatitore.

Edhe pse në Turqi gjithçka shkoi si duhet, Shpëtim Duro nuk i bëri mirë llogaritë vetëm me diçka. Nënvlerësimi që iu bë kundërshtarit, iu kthye në “bumerang”. Në këtë mënyrë rrezikohet kampionati, gjë që nuk i pëlqen fare kreut të klubit: “Natyrisht që rrezikohet kampionati me këto ndeshje kështu, kërkoj reagim që nga ndeshja që vjen, nuk pranoj më asnjë rezultat tjetër përveç fitores”.

safet gjici

AKUZAT 

Në përfundim të ndeshjes Luftëtari-Kukësi nuk munguan as polemikat, e shkak për këtë u bë ajo gafë e arbitrit Erjon Bastari. Gjirokastritët gjetën rrugën e rrjetës në minutën e 35-të, por një vendim absurd e cilësoi të pavlefshme. Vendësit protestuan ashpër dhe jo vetëm gjatë ndeshjes, por edhe pas saj. Akuzat ishin të rënda edhe prej drejtorit sportiv të bluzinjve. Artur Dadaj sulmoi kryesorin e atij 90-minutëshi dhe mes të tjerash tha se ekipi i tyre ishte më lart se Kukësi.

Kukesi-Luftetari 0-0

Por kjo gjë nuk pranohet nga verilindorët. Presidenti mendon ndryshe, aq sa akuzave u përgjigjet në këtë formë. “Sa u përket arbitrave, as emrin nuk ua di, pasi nuk kam qenë as në Gjirokastër. Luftëtari ka të drejtë, kur lojtarët e mi nuk luajtën fare. Duhet të kishin fituar tre me zero minimumi. Çfarë arbitrash thonë ata, nuk ka lidhje fare”, përfundoi Safet Gjici, duke evidentuar se nuk ua di as emrat arbitrave të ndeshjes.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"