EKSKLUZIVE/ Gjobë Rexhinaldos, Cungu: Nuk marr leje për kritikat, golat nuk i bën për mua (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2018 | 23:49

EKSKLUZIVE/ Gjobë Rexhinaldos, Cungu: Nuk marr leje për kritikat, golat nuk i bën për mua (E PLOTË)

Kukësi përgatit gjobën për Arturo Rexhinaldon. Drejtuesit e klubit kanë mbetur të befasuar nga deklarata e sulmuesit nga Mozambiku. Ndaj me të lexuar reagimin e tij në “Panorama Sport”, kanë verifikuar fillimisht që gjithçka është thënë ka autorësinë e afrikanit, e më pas i janë “përveshur”. Gazeta mëson se jo vetëm që i kanë kërkuar llogari për reagimin e tepruar kundër teknikut, por kanë menduar që ta gjobisin me 1 mijë euro.

cungu

Mbledhja në klub

I gjithë ky diskutim është bërë në mbledhjen e zhvilluar dje në mëngjes mes presidentit, stafit drejtues e atij teknik. Sigurisht që qëllimi i kësaj mbledhjeje ka qenë situata që po kalon ekipi dhe mbi të gjitha dy humbjet e fundit ndaj rivalëve direkt. Pasi kanë menduar strategjinë që do të ndjekin për të gjetur rrugën e kthesës, Safet Gjici ka dhënë edhe ultimatumin për 3 fitore radhazi. Por, para se të kalonin tek analiza e rezultateve, u morën me zhurmën që shkaktuan me deklaratat e tyre trajneri dhe lojtari. Si përfundim kanë dënuar sulmuesin, e megjithatë në vazhdim kreu i klubit do të zhvillojë një tjetër mbledhje. Këtë herë jo vetëm me stafin, por dhe me lojtarët. Në ditët në vijim do të mblidhen për të vendosur pikat mbi “i” për objektivat, por edhe për sjelljet.

Reagimi i trajnerit

Qendërsulmuesi i Kukësit nuk i ka kapërdirë dot fjalët e trajnerit ku shfaqte ankesa për finalizimin. Ndaj edhe argumentoi se në dy ndeshjet e fundit ka sakrifikuar duke luajtur i sëmurë, madje shkoi më tej ku tha se tekniku duhet të fliste me të fillimisht dhe jo të qahet në media. Deklarata e sulmuesit ka bërë që “ujërat” mos të qëndrojnë të qeta në kampin kuksian. Ndaj nuk ka ngurruar që ekskluzivisht për gazetën të reagojë edhe Armando Cungu. Shkodrani i ka kujtuar edhe një herë sulmuesit që kushdo që është pjesë e këtij ekipi, ka bërë vetëm punën, për të cilën po paguhet.

Në kundërpërgjigjet e tij, trajneri i verilindorëve ka evidentuar se kritikat janë të pashmangshme për këdo, ndaj as sulmuesi nga Mozambiku nuk mund të bëjë kurrsesi përjashtim. “Sa u përket deklaratave të lojtarit të ekipit që unë drejtoj, sulmuesit Arturo Rexhinaldo, unë mund të them se: Armando Cungu ka ardhur te Kukësi për të kryer detyrën si trajner i kësaj skuadre. Kur ekipi nuk merr atë që kërkon, atëherë unë e them me bindje se të gjithë lojtarët do marrin kritika, e këtu nuk bën përjashtim as Rexhinaldo.

Rexhinaldo nuk shpëton Armando Cungun, thjesht po bën detyrën për të cilën paguhet dhe ka marrë përsipër. Unë jam realist dhe i drejtpërdrejtë, në momentet që ekipi dhe secili individ ka shkuar mirë, e kam shprehur edhe publikisht konsideratën. Por, edhe e kundërta duhet thënë, sepse kemi përgjegjësi gjithsecili dhe për këtë paguhemi. Nuk dua të flas më tepër, pasi përgjigjen më të mirë e ka dhënë presidenti Safet Gjici në lidhje me këtë lojtar”, tha trajneri për Rexhinaldon. Kujtojmë që autori i 5 golave në kampionat, pas konfrontimit mediatik me teknikun, do e ketë disi të vështirë “bashkëjetesën”.

Armando Cungu njihet si një trajner shpërthyes dhe realist, por me aftësi të shkëlqyera në profesionin e trajnerit. E njëjta gjë ndodh dhe me Rexhinaldon, i cili është një sulmues mjaft i mirë, por jo pak herë është bërë protagonist me zënkat e tij, kujtojmë këtu Luftëtarin dhe Laçin. Tani mbetet për t’u parë çfarë do të ndodhë me Kukësin.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"