EKSKLUZIVE/ “Duel special ndaj Tiranës, por fiton Kukësi”, Gjici: Ekipi ka shans të korrigjojë gabimin e 20 sekondave në Ballsh (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2020 | 21:09

EKSKLUZIVE/ “Duel special ndaj Tiranës, por fiton Kukësi”, Gjici: Ekipi ka shans të korrigjojë gabimin e 20 sekondave në Ballsh (E PLOTË)

Kukësi do të ndeshet me rivalin e saj kryesor ditën e premte Tiranën, e përpos pozicioneve në tabelë ku takohen vendi i parë me të dytin, të dyja palët duke parë kualitetet premtojnë spektakël. Por, Kukësi ka hedhur kandidaturën për titull dhe nuk hap rrugë. Pritshmëria e nënkampionëve për këtë takim është e lartë. 

safet gjici

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, flet ekskluzivisht për “Panorama Sport” në prag të kësaj sfide dhe pohon se ka besim të madh te skuadra e tij. Së pari, kreu i klubit verilindor u bën thirrje tifozëve kuksianë që të jenë sa më të shumtë në numër të mbështesin skuadrën, nga ana tjetër, ai pret që ekipi të fitojë bindshëm ndaj Tiranës dhe të korrigjojë edhe hapin fals në Ballsh.

Barazimi në frymën e fundit e ka mërzitur ndjeshëm presidentin Gjici, por sërish është optimist dhe këmbëngulës për rrugën e Kukësit drejt titullit. Rivalët nuk e trembin, e thekson se Partizani po afrohet, por gjithsesi Kukësi e ka mendjen te ndeshja e radhës, të cilën duhet ta fitojë patjetër pasi është shumë me rëndësi.

PRITSHMËRIA

Kukësi ka një skuadër mjaft kualitative, me lojtarë klasi si Abazaj, Shkurtaj, Gavazaj etj, prandaj dhe pritshmëritë janë mjaft të mëdha. Këta lojtarë, por dhe të tjerë si Rroca apo Limaj kanë zgjidhur ndeshjet, ndaj do u duhet shumë angazhim për të mundur sërish Tiranën. Presidenti Gjici pret shumë nga ekipi, pasi fitorja ndaj rivalit direkt do të ishte oksigjen për Kukësin në rrugën drejt titullit: “Kukësi gjithmonë ka triumfuar ndaj Tiranës, por këtë herë mendoj se është pak më ndryshe. E them këtë sepse edhe Tirana ka një ekip shumë të mirë për hir të së vërtetës. Prandaj, kjo ndeshje është shumë me rëndësi për Kukësin dhe u bëj thirrje tifozëve kuksianë kudo që ndodhen të jenë prezent në stadium e ri kombëtar “Air Albania” e të mbështetin ekipin tonë për një fitore shumë me rëndësi për titullin. Pres që atë hap fals që bënë në Ballsh për 20 sekonda ku nuk mbajtën fitoren, të bëjnë kthesën dhe të fitojnë bindshëm me Tiranën”.

safet gjici

NDESHJA QË VENDOS TITULLIN? 

Nëse është takimi me Tiranën që vendos titullin, presidenti Gjici thekson se kjo është një ndeshje me mjaft rëndësi, prandaj pret që ekipi t’ia shpërblejë me fitore. Sakaq, nuk lë pa përmendur se detyrimet dhe kërkesat klubi ua ka plotësuar lojtarëve, ndaj tani është radha e tyre: “Klubi ua ka plotësuar të gjitha kërkesat e tyre lojtarëve, korrektësi në pagesa dhe gjithçka u nevojitet. Kushtet kanë qenë optimale, tani ekipi dhe stafi duhet të na shpërblejnë me fitore. Kam besim te skuadra”, deklaroi Gjici.

HAPI FALS NË BALLSH 

Kukësi u barazua në ndeshjen e fundit në Ballsh nga vendësit në frymën e fundit, kur për 20 sekonda përfundonte ndeshja Kukësi u ndëshkua me gol dhe ekipi i drejtuar nga Shpëtim Duro humbi 2 pikë të arta. Hapi fals në Ballsh mërziti shumë të gjithë ekipin, e specifikisht kreun e klubit, njeriun që financon skuadrën, presidentin Gjici, i cili garanton tifozët se ndeshja me Tiranën do të jetë ndryshe.

“Hapi fals me Ballshin na ka mërzitur shumë mua dhe sportdashësit, por i garantoj tifozët se ndeshja me Tiranën do jetë ndryshe. Besoj shumë që ekipi do ta fitojë sfidën, për tifozët dhe për korrektësinë e klubit dhe mbi të gjitha për të fituar titullin kampion”.

GARA ME TIRANËN DHE PARTIZANIN 

Është fakt që Kukësi dhe Tirana janë pak të shkëputur prej Partizanit, por është presidenti Gjici, i cili nuk u zë besë të kuqve dhe kërkon me patjetër fitore, paçka se ka akoma dhe shumë ndeshje. Ai beson se kampionati do të jetë i rivalizuar nga tri skuadra, prandaj dhe kjo fitore ka rëndësi të veçantë për Kukësin:

“Natyrisht ka ende shumë ndeshje dhe kampionati do jetë i rivalizuar nga tri ekipe, sepse edhe Partizani po afrohet. Prandaj kjo ndeshje është shumë me rëndësi për ne”, përfundon kreu i klubit kuksian.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"