EKSKLUZIVE/ Gjashtë mijë shqiptarë në stadium, rrëfimi special i Bogdanit: Peng që nuk vesha fanellën e Romës, ju tregoj batutat me Murinjon (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2022 | 23:55


EKSKLUZIVE/ Gjashtë mijë shqiptarë në stadium, rrëfimi special i Bogdanit: Peng që nuk vesha fanellën e Romës, ju tregoj batutat me Murinjon (E PLOTË)

Erjon Bogdani nuk është vetëm golashënuesi më i mirë i Kombëtares kuqezi, por mbetet një ambasador i shkëlqyer i Shqipërisë në arenën europiane si një person që ka dhënë kontribut të çmuar për imazhin e vendit tonë. 

Bogdani

Si futbollist ka luajtur në vitet më të arta të Serisë A dhe gjithnjë duke qenë protagonist. Si trajner i Kombëtares U-19, ka meritën që këmbënguli për Marash Kumbullën, duke i bërë italianët të pendohen që nuk e ftuan ata të parët. Sot ai jeton mes Tiranës dhe Salernos dhe nuk është çudi që në të ardhmen të jetë trajner në ndonjë klub italian. “Jam gjithnjë pranë skuadrës së Salernitanës.

Kam miq të mirë këtu që nga koha kur kam luajtur futboll me këtë skuadër. Natyrisht që kam dëshirë që në të ardhmen të mund të angazhohem diku, por vetëm nëse ka një projekt serioz”, thotë për “Panorama Sport” ish-bomberi kuqezi. Më tej, ai flet gjatë për finalen Roma-Fejnord që do të luhet më 25 maj në Tiranë dhe thotë se shqiptarët duhet ta shijojnë, por duhet edhe të jenë bashkëpunues që gjithçka të shkojë mirë, sepse është në lojë imazhi i vendit tonë.

Erjon, a e kishit imagjinuar në vitin 2000, kur zbarkuat te Rexhina, se një ditë do të luhej një finale europiane Roma-Fejnord në Tiranë?

Kurrë. As në ëndrrat e mia më të bukura nuk e kisha imagjinuar këtë… (qesh). Është vërtet një ngjarje speciale që meriton vëmendje dhe bashkëpunim nga të gjithë faktorët, por edhe nga shqiptarët e thjeshtë. Së pari uroj ta shijojnë dhe së dyti shpresoj që gjërat të shkojnë sa më mirë sepse është në lojë imazhi i Shqipërisë. Është një rast i mirë për të treguar se sa europiane është Shqipëria, se sa mikpritëse dhe se jemi edhe të zotë që të organizojmë një eveniment të tillë.

A keni folur me ndonjë nga miqtë tuaj në Kombëtare për këtë ndeshje?

Kam folur disa herë me Lorik Canën. Ai kishte dëshirë që finalja të ishte Roma-Marsejë, por nuk iu realizua dëshira sepse Fejnordi e eliminoi ekipin e tij të zemrës. Natyrisht, të dy jemi në një mendje se është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe se është një shans i mirë për Shqipërinë.

Cila fiton, sipas jush?

Nuk mund të bëj parashikime, sepse janë të dyja skuadra të forta, por nuk e fsheh që do të doja të fitonte Roma.

Pse Roma?

Sepse kam një jetë në Itali dhe për më tepër aty kemi Marash Kumbullën.

A keni folur me Kumbullën së fundmi?

Jo, kam folur disa kohë më parë, kur ai hasi disa vështirësi. Biseduam dhe i thashë të mos dorëzohej sepse Seria A është e vështirë. Të gjithë kalojnë momente të vështira, por të zotët janë ata që dinë t’i kalojnë me sukses. Megjithatë, gradualisht ai do ta fitojë besimin e Murinjos dhe jam i bindur që sezoni tjetër do të jetë akoma më i mirë për Marashin.

Ju e keni bindur Marashin që të luante për Shqipërinë, apo jo?

Shikoni, kur unë isha trajner i Kombëtares U-19 mora informacion për një mbrojtës që po shkëlqente me moshat e Veronës. Shkova dy herë të bisedoja me të dhe herën e dytë ai as nuk luajti në ndeshjen e tij se kishte një dëmtim. I thashë që duhej të zgjidhte Shqipërinë dhe ai i kishte idetë e qarta në fakt, sepse vërtet e donte Shqipërinë. Më pas e mora me Kombëtaren e moshave dhe e pashë që ishte lider, sepse nuk ka vetëm cilësi si lojtar, por ka edhe karakter të fortë.

bogu

A e njihni Murinjon?

Jo personalisht. Kam shkëmbyer biseda të shkurtra kur ai ishte trajner i Interit, por kaq. Megjithatë, mua më pëlqen shumë dhe është një ndër trajnerët që unë e vlerësoj shumë.

Pse?

Sepse përveçse shumë i zoti në aspektin profesional, ai është edhe një motivues i shkëlqyer, por edhe një njeri inteligjent që për shkak të sjelljes apo influencës mediatike arrin t’i bëjë për vete tifozët kudo ku punon. Në këtë pjesë ai është fantastik.

Më thatë që keni pasur edhe biseda të shkurtra me të. Mund ta na tregoni ndonjë detaj?

Ishte koha kur ai drejtonte Interin. Unë isha te Kievo dhe luhej ndeshja Kievo-Inter. Na mundën 1-0 me një gol te Pandevit, por nuk e meritonin, sepse ne në fakt luajtëm shumë mirë. Në pushimin e ndeshjes u takuam në tunel dhe ai vetë e pranoi që ne po luanim shumë më mirë. Shkëmbyem 2-3 fjali kortezie, por më bëri përshtypje sjellja e tij.

Pse?

Sepse edhe para ndeshjes, por edhe para se të fillonte pjesa e dytë i takonte lojtarët një nga një kur dilnin nga dhoma dhe i motivonte duke u thënë se ishte i sigurt që do të fitonin. Nuk e kam hasur shpesh këtë te trajnerë të tjerë.

Kur keni qenë futbollist, a i keni shënuar Romës ndonjëherë?

Po, i kam shënuar në vitin që morën titullin. I drejtonte Fabio Kapelo asokohe dhe unë luaja te Rexhina. Na mundën 2-1 me gola të Totit dhe të Montelës, por mbaj mend që e kam shijuar shumë atë gol sepse isha ende në hapat e parë.

Ju keni qenë pranë Romës dikur, apo jo?

Po, ka qenë vera e vitit 2007… E kam ende peng sepse po të kisha pritur vetëm dy minuta, do të isha bërë lojtar i Romës.

Çfarë ndodhi?

Kisha mbyllur një sezon të vështirë me Kievon dhe skuadra ra në Serinë B. Një ditë para se të mbyllej merkatoja, më mori drejtori i Romës në telefon. Më tha se kishte dëshirë aty dhe nisi të më shpjegonte detajet e kontratës dhe pagën. E ndërpreva, i thashë: “Nuk ka problem paga, thjesht dua të luaj te Roma”.

Atij i pëlqeu qëndrimi im dhe ditën tjetër më thoshte të kisha durim sepse po negocionte që të çonte Shabani Nondën te Gallatasaraji. Po më dukeshin orët dhe minutat si vite… Isha në ankth. Prita deri 6 minuta para se të mbyllej merkatoja dhe më pas pranova ofertën e Livornos për të shkuar atje në huazim. Ndërkohë, saktësisht 2 minuta më pas, më mori drejtori edhe më tha: “Eja, se Nonda firmosi për turqit”. Nuk po e besoja dot, imagjinoni si u ndjeva…

Çfarë ndodhi më pas?

Shkova te Livorno, luajta dhe shkoi mirë gjithçka, por ato minuta ankthi dhe më pas telefonatën e tij e kam ende në mendje. Mund të kisha luajtur në një klub të madh si Roma, por nuk qe e thënë.

Ju keni luajtur në “Olimpiko”. Ç’mendim keni për tifozët e Romës?

Janë fantastikë. Pak si ata ka në Itali. Në stadiumin e tyre janë gjithnjë shumë të organizuar dhe i japin ndihmesë të madhe skuadrës. Por edhe jashtë organizohen shumë mirë.

Keni për të parë se edhe aty (në Tiranë) do të jenë shumë dhe do të dominojnë në atmosferën që krijohet. Keni luajtur me Kombëtaren kundër Holandës… Po tifozët holandezë si janë? Nuk është e njëjta gjë Kombëtarja me klubet, por natyrisht që për mendimin tim ata të Romës janë më të zjarrtë.

Bogdani, ju jeni golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares shqiptare. A keni marrë ndonjë ftesë nga FSHF për ta parë këtë ndeshje në tribunë?

Jo, nuk kam marrë. E kuptoj që ky është një eveniment që e organizon UEFA, por të them të drejtën nuk kam pasur asnjë ftesë nga FSHF edhe në ndeshje të Kombëtares.

Pse?

Nuk e di, kështu e kanë parë të arsyeshme… Por nuk dua të bëj polemikë. Po luhet një finale e rëndësishme në vendin tim dhe nuk kam dëshirë që vëmendja të fokusohet diku tjetër. Thjesht më bën çudi që lojtarë të rëndësishëm të Kombëtares, dhe nuk e kam fjalën vetëm për vete, por edhe për Skelën, Taren etj., duhet që të kenë një vend në tribunë.

Ta kenë përherë aty edhe ish-trajnerët e Kombëtares. Kur sheh vetëm politikanë në tribunat VIP dhe për ne që kemi luajtur për vite të tëra nuk ka asnjë lloj interesi, natyrisht që më vjen keq. Kjo nuk ndodh me Totin, Del Pieron, Kanavaron etj., kur shkojnë në stadiumet italiane. Ata respektohen pa masë nga federata dhe klubet, ndërsa këtu në Shqipëri më duket sikur mungon kjo kulturë.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL